“Komunistët e shitën Çamërinë tek grekët”

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, familja Dino ishte një ndër më të goditurat nga regjimi komunist.

Njëri prej tyre, Mazar Dino, u dënua me vdekje nga komunistët, edhe pse ishte një prej luftëtarëve më aktiv në mbrojtje të Çamërisë. Mazar Dino u dënua me vdekje me akuzën për tradhëti, ndërkohë që ishin komunistët ata që e kishin tradhëtuar Mazarin, familjen e tij dhe gjithë Çamërinë.

Komunistët e shitën Mazarin dhe gjithë çamërinë tek grekët menjëherë pas luftës, pasi nënshkruan marrëveshjen e turpit që e lejuan gjenocidin grek ndaj çamërisë. Mazar Dino ishte një prej viktimave të kësaj marrëveshjeje të pisët të komunistëve shqiptarë me grekët.

Mazar Dino u kthye nga Jugosllavia në fillim të vitit 1945, atje ku u kishte shpëtuar jetën shumë shqiptarëve. Mazari ishte mik i ngushtë me Dr. Omer Nishanin, të cilit i kërkoi edhe mbështetjen për ta shpëtuar nga diktatori komunist Enver Hoxha, i cili ishte betuar që do ta vriste Mazar Dinon.

Mazar Dino i shkoi Omer Nishanit në shtëpi dhe i kërkoi ndihmë. Omer Nishani ishte në atë kohë njeri me influencë tek komunistët, menjëherë pas luftës u emërua president. Por Nishani u tregua i sinqertë dhe i tha: “Nuk të ndihmoj dot në këtë situatë të rëndë që është krijuar. Më mirë largohu nga Shqipëria”. Pak ditë më pas, Mazari u arrestua në shtëpinë emikut të tij, Isuf Musaj, në Shijak.

U dënua me varje në litar te rrapi në Delvinë. Rugës kur po shkonte drejt litarit,  “masat “ iu sulën, duke e gjuajtur me çfarë kishin nëpër duar: me gurë, domate, vezë, shoqëruar me fyerje e sharje. Një inskenim i organizuar nga komunistët.

Rrugës për tek rrapi ku do mbyllte sytë përgjithmonë, Mazar Dino tha: “Nuk më vjen keq që më ekzekutojnë vëllezërit e mi shqiptarë. Të më vriste greku do të më vinte shumë herë më keq”.

Mazar Dino nuk pranoi t’i mbulonin sytë dhe t’i hiqnin stolin nga këmbët, por e hoqi vetë duke i rënë me këmbë. Kështu mbylli sytë përgjithmonë djali i çamërisë, Mazar Dino, i dënuar me vdekje nga komunistët, në shtator të vitit 1945.