Kryeministri Rama e quajti “Zërin e Amerikës” kazan, reagon Elez Biberaj

Drejtori për Europën dhe Azinë i “Zërit të Amerikës”, gazetari i njohur dhe drejtuesi emblematik i saj, Elez Biberaj, iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, pas etiketimit prej këtij të fundit, si kazan edhe për Zërin e Amerikës.

Biberaj garantoi se investigimi për implikimin e deputetëve dhe shefes së kabinetit të kryemsitrit shqiptar, në biseda përgjimesh, për punësime, është i saktë ashtu si të gjitha lajmet e publikuara nga kjo media.

“Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura”, u shpreh për Ora News, Elez Biberajn, Drejtori për Evropën dhe EuroAzinë i Zërit të Amerikës.

Denoncimi i Zërit të Amerikës zbuloi se si zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste përdornin vendet e lira të punës në administratën e burgjeve për të punësuar militantët e tyre.

Pas publikimit të këtij lajmi, Kryeministri reagoi në twitter, duke e quajtur këtë media kazan. “Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, reagoi Rama.

“Zëri Amerikës” nxjerr korrupsionin, kryeministri e “shpartallon” si dikur Enver Hoxha