Deputeti i LSI-së: Përgjimet nxorën zbuluar Edi Ramën

Deputeti i LSI, Endrit Braimllari akuzoi kryeministrin Edi Rama si zyrtarin kryesor që ka kthyer gjithë administratën në shërbim të Partisë Socialiste. Duke ju referuar përgjimeve të publikuara një ditë më parë nga “Zëri i Amerikës”, Braimllari u shpreh se tashmë është e faktuar se shteti i ndërtuar nga Rama është një fasadë dhe i korruptuar.

“Vendi po kalon momente të vështira për shkak të politikës së Edi Ramës. Sot shqiptarët janë të pashpresë, varfëria në vend po kalon në ekstrem, nuk ka mundësi punësimi. 79% e të rinjve kërkojnë të emigrojnë sepse nuk ka mundësi punësimi, nuk ka meritokraci në këtë vend sepse Edi Rama përkrah krimin e organizuar dhe oligarkinë në kurriz të qytetarëve të thjeshtë të vendit. U vërtetua nga përgjimet zyrtare të Prokurorisë që Administrata Publike është kthyer në strehë të krimit të organizuar. Është kthyer në strehë të anëtarëve të Partisë së Rilindjes të paaftë. Deputetët e Rilindjes rendin me lista në dorë për të punësuar militantë të  rilindjes. Përgjimet nxorën zbuluar Edi Ramën, ku nga zyra e kryeministrit jepen urdhra se si të falsifikohen konkurset e punësimit. Edi Rama  ka mashtruar shqiptarët për sa i përket Administratës Publike ku nuk punësohen në bazë të meritokracisë, por me listë partie dhe me urdhër të krimit të organizuar. Kjo u vërtetua nga përgjimet. Fundi i këtij kryeministri do jetë për të ardhur keq, sepse çdo veprim i tij rëndon drejtpërdrejtë mbi qytetarët dhe shqiptarët nuk do ja falin”,- deklaroi Braimllari në një intervistë për “TV 1 Channel” në Shkodër.