Vasili: Rama dhe gjithë grupi i PS u kap në përgjime

Kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili reagoi sot pas investigimit të
“Zërit të Amerikës”, ku një pjesë e madhe e deputetëve të PS janë kapur në biseda aferash për vende pune me ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko.

Deklarata për mediat e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili

“Jemi në këtë komunikim të vonshëm me qytetarët shqiptarë pasi të gjithë më së fundmi janë njohur qartë, haptas dhe publikisht me rrënimin përfundimtar moral të Edi Ramës, qeverisjes së tij dhe të tërë të asaj që quhet klikë banditësh të korruptuar.

Të gjithë shqiptarët morën vesh përfundimisht që historia e portaleve, historia e rekrutimeve sipas meritës, historia e stigmatizimit të emërimeve të bëra dikur dhe historia e famshme e tepsisë kanë vetëm një emër dhe se ky emër është Edi Rama. Jo se kemi dëshirë të shqiptojmë dhe të bëjmë përgjegjës vetëm atë, por ai është përgjegjësi i vetëm, pasi siç doli qartazi në përgjimet e bëra publike, nga prestigjiozja “Zëri i Amerikës”, zyra e kryeministrit është ajo që merret drejtpërdrejtë dhe me punësimet deri tek ato më banalet, duke krijuar një kontroll të vërtetë policor, i cili mundëson punësim vetëm dhe vetëm për ata që janë militantë të Partisë Socialiste, asnjë qytetar tjetër të mos ketë iluzionin se në administratën e Edi Ramës do mundet që qytetarë tjerë, të ndershëm, të aftë apo të zotë, mund të bëhen pjesë e saj.

E gjithë dëngla, farsa, mashtrimi që Edi Rama u hodhi pa kursim qytetarëve në 2017 për gjoja politikën e re, për të ashtuquajturën formë të re, epokë të re në rekrutimet në Shqipëri ishte një vulgaritet dhe një banalitet nga më të shëmtuarit, nga më të pa shembullit në historinë e Shqipërisë.

Ju e keni të qartë që qindra njerëz punësohen me urdhër politik, se si manipulohen këto konkurse edhe brenda për brenda njëri tjetrit, meqenëse të 1300 konkurrentët, ishin të gjithë të Partisë Socialiste, por edhe aty ishte shumë e lehtë që fituesin ta nxirrje për humbës dhe humbësin ta nxirrje për fitues. Pamë se si që nga kreu i komisionit të ligjeve, njeriu, korifeu i Reformës në drejtësi ishte një nga ata ordinerët që merrej me vende pune, plus deputetë të tjerë, pra një radhë deputetësh të cilët ishin sekserë punësimesh dhe asgjë më shumë.

Për të gjithë është fare e qartë që Edi Rama një demagog, një mashtrues ordiner, i cili edhe në këtë çështje të cilën u përpoq ta kthente në kalë beteje dhe për të cilin luftonte, se gjoja problemi i tij ishte tepsia, ishte vetëm një dhe vetëm një të dashur qytetarë, një tepsi e tërë për militantë, jo socialistë, rilindas, më keq akoma, të cilat përçonin frymën e korrupsionit të tmerrshëm e mosbesimit ndaj një administrate të paaftë, të korruptuar, një administrate të ligë, e cila lind, siç e morëm vesh, nga zyra e Kryeministrit, i cili edhe me administratën e burgjeve bllokohet nga ky kryeministër.

Ky kryeministër i cili ka kohë të merret me administratën e burgjeve, e emërimin e njerëzve më të thjeshtë atje në administratë dhe u privon e u mbyll dyert tërë shqiptarëve, të cilit i mungojnë çizmet që t’i veshë të shkojë atje te ato rrugë të mbyllura nga dëbora, i cili mungon të shkojë te fukarenjtë, i cili mungon të shkojë kur ka përmbytje, mungon të shkojë tek Unaza e Re. Ky kujdeset vetëm për punësime, për grabitjet e 40 milion eurove me një dorë, për koncesionet që shkojnë 1 miliard e ca dhe gjithë kjo kërkon ushtarë dhe kamikazë të partisë, të cilët ai i rekruton në këtë mënyrë. Kjo është një histori kriminale, e cila ka hyrë në thelbin e shtetit dhe të administratës, ajo i ka hyrë sinjë kancer administratës shtetërore.

Ky kancer ka emrin Edi Rama, ka edhe targën dhe markën Edi Rama, pasi ka marrë përsipër vetë t’ia vërë këtë targë e këtë markë, që nga zyra e tij e shtypit, deri tek Drejtoresha e tij e Kabinitetit, i japin atunë vetes që të merren gjoja me njerëz fukarenj dhe hallexhi, të cilëve këta u zgjidhin halle. Po portalet dhjetëra milion euro radhitet e shenjtëruara sipas moraleve, ku janë? Ku janë meritokracia? Ka janë ligjet e Shërbimit Civil? Ku janë ligjet e tjera që rregullojnë rekrutimin, për të cilët kemi dëgjuar shprehjen e madhe: Do bëjmë shtet. Pra, do bëjmë shtet! E morët vesh qytetarë? Do bëjmë shtet do të thotë: Do mbushim tepsinë e Edi Ramës me fanatikë e njerëz të pazotë, çfarë do që të jenë, boll që të kenë targën, teserën dhe përbetimin: Që ne vdesim për ty Edi Rama.

Që nga ky moment është e qartë që asnjeri nuk mund të hezitojë më. Në çdo rrugë e shesh të Shqipërisë ka vend për secilin, i cili duhet t’i kthejë përgjigje të tmerrshme këtyre njerëzve të cilët nuk ju lejojnë edhe ëndrrën shqiptarëve, edhe konkurrimin siç e morët vesh. Pra, një mundësi e madhe ku mund të konkurrojnë të gjithë. 1350 vetë konkurronin, siç thuhej në përgjim, sipas listave të partisë. Nëse nuk je i partisë nuk ke të drejtë as të konkurrosh, as të fitosh, nuk ke të drejtë as të ëndërrosh dhe ky njeri të vret ëndrrën, sepse ose do ëndërrosh sipas psikopative të Edi Ramës, o do vjedhësh siç do të vjedhë Edi Rama në administratë, ose nuk ke më vend pune.

Këtij standardi të poshtër, këtij korrupsioni të shëmtuar dhe kësaj fëlliqësire shtetërore ne i kemi thënë Stop! E kemi denoncuar pa fund. Por është një ngjarje e madhe që fakte konkrete, prova konkrete vërtetojnë më së miri atë që kemi thënë me zë të lartë, atë trafik vendesh pune pa fund me mijëra që u bë në fushatën e 2017-s dhe u siguroi atë të famshme fitore për të cilën krenohen ata kusarë me kryekusarin Edi Rama që paskëshin marrë votat e tyre me ndershmëri të plotë. Ky është morali.

Kjo është e vërteta e Edi Ramës në sytë e të gjithëve. Prandaj sot është koha për t’u menduar, për të reaguar për vete, për mijëra të rinj që nuk kanë mundësi të futen sepse duhet të kenë teserat e PS-së, duhet të jenë njerëz që duhet t’i rrinë nga mbrapa Edi Ramës. Po mijëra burra e gra, të cilët janë të ndershëm e duan të punojnë e konkurrojnë për të fituar një vend pune. Për të tërë shkon ky mesazh: Njerëz, hapini sytë!”.