Policia e Sandër Lleshajt dhe “barkderrat” e Policisë

Nga: Roland Qafoku

Vera e re në fuçinë e vjetër

Kthimi në detyrën e drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale të Tonin Vocajt është një lajm i mirë. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj duhet të përshëndetet për këtë vendim sepse ai është nga specialistët më të mirë të zbulimit të krimeve. Por largimi i 1200 oficerëve të policisë në 2013 dhe i sanksionuar me ligj që të mos kthehen kurrë mbetet një nga krimet më të rënda që i është bërë policisë që duhet të abrogohet urgjentisht sepse aktualisht Shqipëria ka dy polici: Njëra është në punë dhe tjetra është në rrugë. Aleks Hajdari, Muhamet Rrumbullaku, Nikolin Bala, Arjan Bozho, etj., duhet të rikthehen në polici si asete të shtetit për të mos patur fatin e keq të Artan Cukut që pasi u largua u vra nga kriminelët që arrestoi. Lleshaj e ka dhënë shenjën e parë por duhet pritur vazhdimi. Një analizë për atë që po ndodh në policinë shqiptare

Emërimi si drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale të Tonin Vocajt shënon një erë të re në policinë shqiptare. Nuk është një lajm i rëndomtë lëvizjesh dhe rokadash në polici që i kemi parë e stërparë ndër vite. Është një rikthim në detyrën më të rëndësishme të zbulimit të krimit të një prej profesionistëve më të mirë që ka nxjerrë policia në këto 28 vjet. I larguar nga e njëjta detyrë kur socialistët erdhën në pushtet, Tonin Vocaj vërtetë vazhdonte të ishte pjesë e policisë, por merrej me “punë shkencore” në Akademinë e Policisë në Fakultetin e Sigurisë. Ishte si një internim profesional për një specialist të këtij kalibri. Megjithatë, ai, pa bujë, me një përulje që e karakterizon përherë, jo vetëm e pranoi detyrën, por prej vitesh dha në këtë akademi më të mirën e tij.

Duket qartë se Sandër Lleshaj nuk e ka përfshirë Tonin Vocajn si ata socialistë që në opozitë e quajtën barkderr dhe në pushtet e internuan. Sa e rëndë ishte kjo fjalë e thënë në parlament në vitin 2013 nga disa personazhe të PS që tundnin në dorë një fotografi në të cilën kishin dalë disa drejues policie, mes tyre edhe Tonin Vocaj. Por histeri të tilla politike që na bëjnë me turp, për një pjesë të pushtetarëve quhen kështu vetëm kur i bën kundërshtari. Kur i bëjnë vetë, ato janë të drejta. Ky koncept tipik oriental në mendësinë e disa politikanëve, të medias dhe një pjesë të shoqërisë, e ka dëmtuar policinë duke e shndërruar atë në levë dhe zgjatim të politikës. Pikërisht për këtë arsye, prej kohësh shteti shqiptar funksionon me dy polici: Njëra është në punë dhe tjera pa punë. Njëra është polici që bën karrierë, merr grada, mban detyra të larta dhe tjetra ndodhet në rrugë dhe fiton gjyqe për largim të padrejtë nga puna. Kur ndërrojnë pushtetet, ndërrojnë edhe policitë. Ajo polici që ishte pa punë, në rrugë dhe fitonte gjyqe, befas nis punën, merr grada të larta dhe detyra po të larta. Ndërsa ajo polici që ishte në detyra të larta del në rrugë si e pa punë dhe fiton gjyqe për largim të padrejtë nga puna. Vërtetë kjo është turp mbi turpet.

Prandaj rikthimi i Tonin Vocajt është lajm i mirë për të dy policitë: Atë që është në punë dhe atë që është pa punë. Është një lajm i mirë sepse Tonin Vocaj nuk është as i PD-së e as i PS-së. Ai është një produkt shqiptar nga ai më i miri tamam si uji i pakët që as politika nuk e bëri të vetin e as ai nuk u afrua politikës. Një specialist krimesh që ka shkëlqyer në çdo detyrë që ka mbajtur. Dhe ironikisht nuk e konteston as policia që është në punë dhe as policia që është pa punë.

E mbaj mend Tonin Vocajn në karrierën e tij jo si një oficer që ne gazetarët e kronikës së zezë na lumturonte sepse na jepte lajme. Nuk ishte tipi që jepte lajme ai. Por kurrë ne nuk kemi vënë në dyshim aftësitë e tij menaxhuese të trupës policore dhe zbuluese dhe parandaluese të krimit. Kurrë nuk është diskutuar profesionalizmi i tij. Kurrë nuk është vënë në diskutim korrektësia e tij dhe kurrë nuk është vënë në diskutim ndershmëria e tij.

Por a është i mjaftueshëm kthimi i vetëm Tonin Vocajt? Ministri Lleshaj duhet të inkurajohet që në radhët e policisë dhe në vendet që ata i japin shumë asaj, të kthejë edhe shumë specialistë të tjerë. Duhet ta themi troç që largimi i 1200 oficerëve të policisë në vitin 2013 ka qenë një veprim deri kriminal për organizatën e policisë dhe gjithë shtetin shqiptar. Turpi u hëngër me bukë kur ky vendim u sanksionua me ligj në vitin 2015 që ata të mos ktheheshin kurrë në detyrë. Edhe më e rëndë ishte shkarkimi nga detyra e 12 drejtorëve të qarqeve me një vendim të vetëm dhe zëvendësimi i tyre me shpejtësi rrufe. As kryeministri i parë i shtetit shqiptar Ismail Qemali nuk arriti të zëvendësojë në kohë kaq të shpejtë policinë turke me policinë shqiptare të shtetit të saposhpallur të pavarur. Ama kjo gjë ndodhi 101 vjet më pas nga shpallja e kësaj pavarësie. Ndodhi në shtator të vitit 2013 por nëse një ditë do shkruhet historia e policisë, ky megalargim do shkruhet me shkronja të zeza dhe do jetë një shenjë e rëndë turpi.

Prandaj, për ministrin e ri Sandër Lleshaj del imediate që këtë situatë ta ndryshojë. Zoti Lleshaj, bëni çmos që të abrogohet ai ligj i turpshëm që nuk i kthen më ata policisë të larguar. Ata nuk janë të PD e as të PS. Ata janë asete të policisë së shtetit shqiptar. Oficerë policie si Aleks Hajdari, Muhamet Rrumbullaku, Nikolin Bala, Arjan Bozho, etj., kanë treguar potenciale në punën e tyre dhe janë vlerësuar për punën e tyre po nga ky shtetit që i hodhi në rrugë në mënyrë të turpshme. Por fatkeqësisht ata sot ndodhen në rrugë sit ë papunë, ose në rastin më të mirë punojnë përgjegjës rojesh për sigurinë e bizneseve private. Për të mos shkruar te oficeri Artan Cuku si pjesë e të përjashtuarve nga policia u vra nga ata që arrestoi kur ishte në detyrë. Në fakt autori real i Cukut ishte shteti që e hodhi në rrugë, pikërisht ky shtet për të cilin punoi dhe sakrifikoi deri jetën por që një ditë u gjend i tradhtuar.

Në fakt ka një element të ri në mënyrën se si Lleshaj po funksionon si ministër i 63-të i Brendshëm në historinë e shtetit shqiptar. Ai vazhdon të jetë i padukshëm edhe kur policia ka sukses. Ai flet pak kur policia flet me suksese. Ai është në zyrë por jo në ekrane, jo si radha e ministrave të Brendshëm në këto 28 vjet që mbinë në televizione dhe gazeta duke konkurruar edhe vetë kryeministrin. Madje duke bërë mburrjen sistematike diletante se zbulueshmëria e krimit ishte rritur në 80 për qind sapo ata kishin marrë detyrën a thua se shteti nisi kur morën ata detyrën. Era e re po fryn në drejtimin e Sandër Lleshajt dhe kjo është shenjë pozitive. Rikthimi i Tonin Vocajt është një lajm i mirë për policinë. Tani mbetet që ata që Vocajt dhe kolegëve të tij u thanë barkderra, tu kërkojnë falje. (Albania Free Press)