Pas Ramës, edhe Balla rikonfirmon Veliajn: E ka justifikuar besimin

Pas Ramës, edhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, ka rikonfirmuar vullnetin e partisë për të rikandiduar Erion Veliaj për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës. Në një intervistë për News24, theksoi se PS-së i duhen kandidatë që i mbështet komuniteti.

“Do kemi 61 kandidatë në 61 bashkitë e vendit, për të cilët kemi përcaktuar një axhendë shumë të mirë për sa i përket marrjes së mendimit të komuniteteve. Ne kemi krijuar modele të shkëlqyera të qeverisjes vendore, qoftë me Edi Ramën por edhe tashmë në qeverisjen vendore, ku ndër to spikat në mënyrë të veçantë kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili e ka justifikuar besimin e dhënë nga ne, por pikësëpari besimin e dhënë nga qytetarët shqiptarë në 4 vite. Por askush prej nesh nuk ka të drejtë të dalë mbi vendimet e përbashkëta e kolegjiale të PS-së që në momentin e duhur do të flasin për vendimet”, tha Balla.

Ai u shpreh më tej se më 30 qershor “ne duam që të bëjmë të njëjtën punë të shkëlqyer që kemi bërë në Tiranë dhe në bashki të tjera e për këtë qëllim nuk do të rikandidohen një pjesë dhe do rikandidohen disa të tjerë. Për këtë kemi nisur konsultimet. Partia e parë që do shpallë kandidatët do të jemi ne. Ne kemi një libër rregullash brenda familjes politike ku kemi përcaktuar afatet. Secili do kandidojë në bazë të performancës së vet. Ne dimë të vlerësojmë punën e gjithkujt që komuniteti e do. Duam kandidatë që i mbështet komuniteti. Ne e kemi kuptuar që mandati që kemi marrë më 25 qershor na ka obliguar të jemi në një proces bashkëqeverisje me njerëzit”, theksoi Balla.

Pra përfundimisht kandidimi i Erion Veliaj është vendosur nga qytetarët dhe selia rozë do të zbatojë vendimmarrjen e qytetarëve, ky ishte mesazhi i numrit dy në PS.