Ironia e Lutfi Dervishit: 8 pengesat e kandidaturës së re për ministër të Jashtëm

Nga Lutfi Dervishi 

1. Kandidatura për ministër të Jashtëm, ndryshe nga ministri jashtëm në detyrë nuk ka shprehur një qëndrim të qartë dhe të prerë për çështjen e shumëdebatuar të “korrigjimit të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë.

2. Bashkimi postit të kryeministrit me ministrin e jashtëm është vijimi i një precedenti të rrezikshëm të krijuar nga Enver Hoxha që për gati 10 vjet mbati të dy postet.

3. Në kushtet kur është ende në diskutim marrëveshja e detit me Greqinë, bashkimi I dy posteve do të keqkuptohet nga komuniteti çam në Shqipëri – si kopje e modelit të kryeministrit grek Cipras.

4. Protestat e shumta në vend kërkojnë angazhimin me kohë të plotë të kryeministrit në Shqipëri, ndërsa si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme- kandidatura duhet që shumicën e kohës ta kalojë jashtë Shqipërisë, sidomos për të bindur vendet skeptike që e meritojmë hapjen e negociatave me BE-në. Presidenti nuk krijon bindje se kandidatura mund të ketë kohë të mjaftueshme për të përmbushur dy detyrat shumë të rëndësishme.

5. Nga informacionet e marra nga Bashkia e Tiranës- gjatë 6 muajve të ardhshme do të ketë shumë trafik në intinerarin nga godina e Ministrisë së Jashtme tek godina e Kryeministrisë, kështu që kandidatura do ta ketë të pamundur zhvillimin normal të kohës së punës.

6. Protesta studentore që po vijon në pothuaj të gjitha universitetet do të marrë një goditje të rëndë. Do të rikthehet dilema e dhjetorit ku studentët u përçanë për faktin se duhet protestuar para ministrisë së Arsimit apo kryeministrisë. Me adresën e re, synohet që studentët nga dilema të kalojnë në trilemë.

7. Në mungesë të hapësirës në kartvizitë për të shënuar… kryeministër dhe ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, ky do të ishte rasti i parë që titulli të bëhej me vijim në faqen tjetër të kartvizitës.

8. Kandidatura e paraqitur në të gjitha daljet publike- vetëm si diplomat nuk është shfaqur!

Lexoni edhe…