“Zëri Amerikës”: Çështja Cakaj, sërish polemika Meta-Rama

Nga VOA/

Në Shqipëri presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama u përfshinë sërish sot në polemika pas tensioneve të kriejuara për shkak të refuzimit nga Kreu i Shtetit të emërimit të zotit Gent Cakaj në postin e Ministrit të Jashtëm.

Përmes një postimi në Facebook, zoti Meta shprehet se “sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor”. Sipas presidentit, Partia socialiste por dhe vendi kanë kapacitete dhe diplomatë të sprovuar të cilët mund të drejtojnë politikën e jashtme të vendit, duke venë në dukje në këtë mënyrë moshën e re dhe mungesën e përvojës së zotit Cakaj.

Kryeministri nga ana e tij, u përgjigj përmes një postimi në Twitter duke shkruar se nuk do të merret më me “një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit”, ndërsa shton se “Gjykata e re Kushtetuese do t’i japë fund kësaj maskarade”.

Qeveria e ka konsideruar antikushtetues vendimin e presidentit Meta, i cili nuk ka firmosur as shkarkimin e ministrit aktual Ditmir Bushati, pa dhënë asnjë shpjegim ligjor për këtë zgjedhje, duke shënuar një tjetër precedent lidhur me kompetencat e Kreut të Shtetit në raport me emërimet dhe shkarkimet e anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Zoti Bushati vijon të jetë në detyrë, dhe javën e ardhshme ai do të ketë dy takime të rëndësishme në Tiranë, ku do të presë ministrin e Jashtëm të Italisë, e cila është pjesë e Trojkës së OSBE-së bashkë me Slovakinë dhe Shqipërinë. Një tjetër vizitë është me pas ajo e ministrit të Jashtëm të Hollandës.