Vëllezërit Gazuli ishin humanistë shqiptarë të shek. XV, bashkëpunëtorë të Skënderbeut

Nga Mark Uci –

Një tjetër fis shqiptar, që arriti nivele më të larta gjatë Rilindjes Italiane dhe asaj Evropiane ishte fisi i Gazullorëve, me origjinë nga Malësia e Lezhës dhe që i përkasin fshatit (lagjia)  Gjazuj të Kashnjetit të Mirditës, nga ata e kanë lënë ose marrë emrin e dinastisë Gazullorë. Për këtë At Valentini na thotë : “ Që Gazulli ka qenë prej fisit shqiptar kemi sigurimin e padyshimtë  se prej familjes së tij që ka pasë rrue (jetuar) në Shqipni kanë dalë shumë bujarë meritim- plotë ndaj atdheut për trimni e burrni.’’ 1  Sot është vërtetuar se Gazujt janë nga Kashnjeti i Lezhës nga fshati Gjazuj, toponimi i një lagje, i zbutur në dialektin mirditor nga Gazul në Gjazuj. Përveç emrit të fshatit Gjazul të bajrakut të Dibrrit të Mirditës, ka dhe një fakt tjetër, që në Zadrimën e Lezhës (Dajç) ka një vazhdimësi, një fis me emrin Gazulli. Me sa duket rreth vitit 1400, një degë e Gazullorëve zbriti nga Malësia e Lezhës dhe pati vazhdimësinë e saj në Zadrimë duke arritur nivele të larta në këtë krahinë si në pasuri dhe në atë të fesë. Një degë tjetër e Gazullorëve, shumë më herët se Gazullorët e Zadrimës, në vitin 1301 kishte zbritur nga Shqipnia dhe qe vendosur në Raguzë.  Për këtë fakt  At Valentini sqaron: “ Por cungu i parë i vllaznisë së Gazujvet qëndroi në Shqipni.’’2  Pra, Valentini kishte vënë re se cungu kryesorë i Gazujve vazhdonte gjeanalogjinë në vendin tonë, dhe siç tregojnë llagapët edhe sot ky fis ka vazhdimësinë në Zadrimë të Lezhës. Por, po sipas Valentinit: “ …nji varg pinojsh fisnikë e të fuqishëm lulëzoi sidomos në shek. XV në marrëdhënie të ngushta me Raguzën.’’ 3

Gazullorët, na përmenden qysh në vitin 1301, një degë e të cilëve e ardhur nga Lezha ishte vënë në shërbim të Republikës. Për këtë, Valentini shkruante: “ sikur del prej librit Reformationum, prej vitit 1301 deri më 1336 përmenden disa pinjoj të familjes Gazulli, Gozulo e Gozula si të ngulun ndër vendet e Republikës së Raguzës.’’Në një burim tjetër dokumentar të At Zef Valentinit, prezantuar në  Vëllimin III, pjesa II ,  “Albanes Veneta” do të shprehet: “ rregjistri kadestral i shitblerjes për trevat e Shkodrës i vitit 1416-17  (Achivo di stato di Venezia ), i paraqet Gazullorët, pronarë të Zadrimës : Bardh Gazulli, Ded Gazulli, Klomanda Gazulli, Manket Gazulli. Këto emra i ndeshim edhe sot në Zadrimë, si vazhdimësi e tyre. Gjyshi i Gjonit (Gjon Gazullit,astronomi) quhej Pal, ndërkohë përmendet xhaxhai i tij Matia që cilësohet shumë i pasur. Ndeshet në Raguzë, si dhe prift në Zadrimë. Pra Gazullorët në dokumentat raguziane i ndeshim në tre degë, ku baza e tyre ka qenë Gjazujt e Kashnjetit të Lezhës. Madje dhe emri Gazull vjen nga fjala shqipe “ Gaz ” (gazmorë), disa e shpjegojnë me fjalen “ gacë”, mirditorët e Kashnjetit i thonë gjacë . Sipas At Valentinit, dokumentat raguziane vërtetojnë , se dega nga rrjedh astronomi Gjon Gazulli i përket Zadrimës, madje dhe vetë shkencëtari i madh mund të ketë lindur në Zadrimë. Për këtë ai shtjellon: “ Për prejardhjen e Gazullorëve, duhet të mbështetemi tek testamenti i noterit të Matit  Gazullit, i datës 24 shtator 1426, ku caktohet si trashëgimtar ( vetë Matia ish prift), nipi i tij Gjoni i biri i Gjinit, nipi i Palit. Po ashtu  prokura noteriale e dt. 2/ 6/ 1428 tregon se Gjon Gazulli gjatë studimeve në Padova ka lënë një arkë me libra.’’ Duke studjuar aktin noterial, del se Pali (gjyshi i Gjon Gazullit), ishte nga Zadrima ( de Sapa). Mungesat e rregjistrimit të Gjonit në rregjistrin e Raguzës, e vetëm cilësimi “ De Albania” e bëjnë të qartë vendlindjen e tij në Shqipëri, sepse dokumentat e tjera e cilësojnë si “ De Raguza”, pra qytetar Raguzian. Një të drejtë që e ka fituar më vonë, pasi ai qe vendosur në Raguzë.

 Pal Gazulli dhe Andrea Gazulli ambasador të Skënderbeut pranë Republikës së Raguzës

Pal Gazulli (14051470), ishte humanist shqiptar, diplomat, pedagog, orator dhe një bashkëpunëtor i Skënderbeut. Në vitin 1442 u emërua rektor i shkollave të Raguzës. U kthye menjëherë në atdhe, sapo Skënderbeu krijoi Besëlidhjen e Lezhës, duke i qëndruar afër Komandantit të Arbënorëve. Dihet se Skënderbeu i vlerësoi shumë marrëdhëniet me shtetet e Evropës për luftë të përbashkët kundër osmanit barbar. Republika e Raguzës ka qenë një ndër aleatët kryesorë të Kastriotit. Atje dërgoi si ambasador një ndër priftrit më të përgatitur të derës së Gazujve. Për këtë Valentini dëshmon se : “ Prej këtyneve asht për t’u përmendë Emzot Pal Gazulli ambasador i Gjergj Kastriotit pranë republikës (Raguzës) ndër vjetët 1452- 1459 dhe komisari Andre Gazulli po me atë zyrë në vjetin 1462.’’4

Vëllezërit Gazulli kanë luajtur një rol aktiv në marrëdhënie të shtetit të Skënderbeut me Raguzën, e cila i pati akorduar  Krujës disa ndihma të përvitshme ushtarake dhe financiare.

Gjon Gazulli astronom dhe matematikan i madh i Rilindjes Evropiane

   Një ndër figurat e rëndësishme të Gazullorëve ishte Dom Gjon Gazulli. Gjon Gazulli (1400- 19 shkurt 1465). Kombësia Arbër,Sapa (Zadrima). Shtetësia Raguziane. Gjon Gazulli ka lindur në Zadrimë është djali i Gjinit,  gjyshi i tij ka qenë Pali, pronar tokash në Dajç të Zadrimës, ndërsa axha i tij ka qenë Matia, prift që shërbeu në Barbullush dhe Zadrimë (Dajç), me shumë pasuri, që sipas  aktit noterial të datës 24 shtator 1426, lë testamentin që i delegon pasurinë e tij Matia, nipit tij Gjon Gazullit. Gjoni ishte vëllai i Pal Gazullit dhe Andrea Gazullit. Mbasi mbaroi studimet në Padova, mori titullin shkencor “ Doktor i shkencave të matematikës dhe astronom i shquar.” Pati qenë edhe profesor i Universitetit të Padovës. Matematikan dhe astronom i shquar i Rilindjes Evropiane. Ishte diplomat në shërbim të Skënderbeut e ambasador i tij në Raguzë.

At Valentini  për këtë humanist  të madh na shfaq të dhëna më të plota, mbështetur në dokumenta raguziane, të cilat po i shtrojmë më poshtë:  “ Kah fundi i shek. të XV e gjejmë të shpërngulun në Raguzë njifarë Gjon Gazulli prej Arbnije, t’anë e Gjonit, i cili përmendet si i vdekur para vjetit 1430. Ky shqiptar i mërguem do të ketë fitue qytetsinë raguzjane, ndoshta mbas martesës së tij me nji qytetare të republikës, e cila do të ketë ndikuar në zemër të Gjonit të vogël,dashuninë ndaj atdheut të dytë e të thomi edhe n’atë fe katolike që u ba madje  hylli prijës i jetës së tij në këtë shekull. Mbaroi studimet për artet liberale e të theologjisë, u-shungrue meshtar e madej vajti në Padue, ku u nënshkrue në fakultetin e arteve u – dha mbas matematikës e astrologjisë. Si mbaroi studimet, u-shtrue provimëve në nji cermoni me 31 kallnduer 1430 dhe muer titullin e doktorit ndër artet liberale. Duket se Gjon Gazulli do t’ketë botue ndonji vepër e do t’i ketë dalë zani si shkenctarë i zoti, sepse u ngarkue dy herë prej Republikës së Raguzës me mision diplomatik së pari pranë mbretit të Hungarisë Sigismondit dhe së dyti pranë Papës Nikollës së V. Në ligjeratën që mbajti Gazulli përpara Papës përmendë edhe ndihmën që i kish pasë dhanë Republika Gjergj Kastriotit për dobi të krishtenimit. Mbas këtyre misioneve, si dhe të studimeve të thella, Gazulli u ba njeri i madh në jetën kulturore e politike të Raguzës, zani i tij kapërcen kufijt e republikës raguziane e muer dhenë jo vetem n’Itali, por edhe në Hungari, aq ma tepër se Raguza prej 1358 deri 1526 mbahej ndën proje të kunorës së Shën Shtjefnit. Ku hypi në fron të Hungarisë Mati Korvini më 1469, e thirri n’oborr të vet Gazullin që kishte fitue emnin e mirë të një astrologu të madh. Gazulli nuk vajti në Budapest, nuk dihet se për ç’shkak, por i dërgoi Korvinit (mbretit) nji vepër të vetëm, kopjen e së cilës ia dërgoi humanistit Jan Pannonit, oborrtar të dashun të mbretit të Hungarisë. Për këtë vepër të hupun për ne ban dishmi letra që i dërgoi Panoni auktorit tue e falenderue për kopjen që kishte marrë prej tij.’’…sepse shumë fort na knaqi ai libri i juaj të cilin tash vonë na keni dërgue…Prandaj ju porosisim që të mos të pritoni me vazhdue tue shkrue e mei dhanë fund veprës së filluem…’’ Sikur mund të nxirret nga veprat e astronomit Gjon Muller të mbiquajtun Regimontanus Gazulli do të ketë qenë gjallë në vjetin 1467, madje nuk përmendet gja për jetën e tij. Por shkrimtarët e mëvonshëm ruajtën kujtimin e tij ma të mirë; ndër këto historian raguzian Apendini (1769-1837) e quen ‘’astronom dhe matematikan të madh’’. E kështu Gjon Gazulli na del si pjestar i atij zgjimi shpirtnuer të ndritshëm të njerzisë që quhet Rilindje. Me anë të tij  edhe emni i Shqipnisë lidhet me humanizmin, mbasi ai, sado që i lemë dhe i varruem në Raguzë, mbetet pinjuell i atij cungu të shëndoshë të fisit shqiptarë që e nderon kombin fisnik.( At Valentini V.III  f.71- 72-73)