Biznesi mori më pak kredi – Huaja e re, në rënie me 8% gjatë vitit 2018

Vitin e kaluar, sistemi bankar dha më pak kredi për biznesin, çka konfirmon vështirësitë në segmentin më të rëndësishëm të huadhënies në ekonominë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 11 mujorin e vitit 2018 kredia e re për biznesin kishte vlerën e 171 miliardë lekëve, në rënie me 15 miliardë lekë ose rreth 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pjesërisht, kjo rënie i detyrohet edhe luhatjeve në kursin e këmbimit, ku mbiçmimi lekut ka ulur vlerën e konvertuar të kredisë në euro. Megjithatë, në thelb, kreditimi i biznesit ngelet në ngërç, çka është evidentuar shpesh edhe nga Banka e Shqipërisë.

Kredia e re është në rënie për shumicën e sektorëve të rëndësishëm, me përjashtim të tregtisë. Kredia për tregtinë arriti në mbi 94 miliardë lekë apo më shumë se gjysma e kredisë së re të dhënë për biznesin gjatë periudhës. Krahasuar me një vit më parë, kredia për tregtinë me shumicë dhe pakicë është rritur me afro 16%.

Mes të tjerash, kjo tregon se zhvendosja së financimeve drejt sektorëve prodhues të ekonomisë ngelet më shumë dëshirë, sesa tendencë apo rrugë drejt një modeli të ri ekonomik.

Deri në fund të nëntorit 2018, kredia e re për industrinë përpunuese ka rënë me 11%, ndërsa ajo për sektorin e energjisë me mbi 80%. Edhe kredia për ndërtimin paraqitet në rënie, me 15 më pak krahasuar me një vit më parë.