“Besoni në Zot”, risia e fjalimit të Monika Kryemadhit në Konventë

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka sjellë një risi në një fjalim politik në Konventë Kombëtare, ku i kushtuar një vend të veçantë në fjalën e saj Besimit në Zot. Kryemadhi tha se shqiptarët duhet të luftojnë të kthejnë besimin në Zot.

“Ne duhet të luftojmë të kthejmë besimin në Zot, sepse vetëm besimi në Zot, do të na kthejë besimin te institucioni i familjes. Shqipëria për ne është familja, Shqipëria për ne është shtëpia jonë. Ne e duam Shqipërinë ashtu siç duam familjen tonë. Ne duhet ti japim dorën njeri-tjetrit sot. Pa dallimesh bindje politike. Unë besoj se Shqipëria ka të ardhme. Jam e bindur që edhe ju besoni që Shqipëria ka të ardhme. Prandaj duke u lutur në Zot, lutemi çdo ditë që t’ju japi çdo ditë të gjithëve ju forcë dhe besim. I lutem çdo ditë që të na falë mëkatet tona për mosveprim ndaj kësaj të keqeje që ka uzurpuar, i jam mirënjohëse çdo ditë për besimin dhe përkrahjen që kam te ju dhe i lutem çdo ditë që ta shtojë më shumë. Por më lejoni që në emrin tuaj, të gjithë së bashku, të besojmë në Zot dhe ti lutemi Zotit që të kemi një Shqipëri të begatë, që të kemi një Shqipëri të ndritur, që të kemi një Shqipëri që të jetë familja e shqiptarëve, që të kemi një Shqipëri siç e meritojmë. Ti lutemi çdo ditë që ti kthejë të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri, që të ndërtojnë të ardhmen e tyre, të ndërtojnë familjen e tyre. Zoti qoftë me ju, Zoti na dhëntë forcë, zoti na dhëntë forcë që të përballemi me këtë të keqe të madhe dhe jam e bindur që Zoti do të na ndriçojë në rrugën për të ecur përpara dhe për të mos u ndalur më përballë kësaj të keqeje. Ne kemi një mision, të kthehemi në vendin tonë, të luftojmë në vendin tonë, të luftojmë për familjen e shqiptarëve, sepse sistemi i vlerave qëndron te familja. Pa familje nuk ka vlera. Pa familje nuk ka atdhe. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. Zoti ju ruajt ju dhe gjithë shqiptarët kudo që janë”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.