Partizani kërkon një gjigant për sulmin, kërkon sulmuesin e Boavistës

Një emër i ri del në skenë për sulmin e Partizanit dhe ai është Ide Colubali. 25-vjeçari nga Guniea Bissau aktualisht është lojtar i lirë në treg dhe ka arritur marrëveshjen për t’u transferuar te të kuqtë e kryeqytetit. Bëhet fjalë për një futbollist shtatlartë me një fizik potent i cili mund të jetë forca e shtuar e Partizanit në lojën në ajër pasi Colubali është 2 metra e 4 centimetra i gjatë.

Në të kaluarën ai ka qenë pjesë edhe klubit prestigjioz portugez Boavista ndërsa pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar te skuadra të ligave të ulëta në Portugali. Së fundmi ka patur dhe një eksperiencë në kategorinë e dytë norvegjeze me skuadrën e Jerv teksa në 11 takime, 10 prej tyre të nisura nga stoli ka arritur të realizojë dhe 2 gola.

Vështirësitë për të arritur te bomberi Kouame Karikari, i cili nuk po lirohet dot nga azerët e Neftci Baku me parametër zero, pasi këta të fundit kërkojnë ta shesin në Arabinë Saudite për një shifër të majme, ka bërë që Partizani të ndryshojë pistë dhe tashmë ka gati goditjen në sulm, me Ide Colubali që është gati të veshë fanellën e kuqe.