Kukësi barazon në miqësoren e dytë ndaj rusëve të Rostov, Çyrbja shënon sërish

Kukësi ka luajtur sot miqësoren e dytë në Antalia duke sfiduar rusët e Rostov. Në “Titanic Resort”, djemtë e Armando Cungut kanë arritur që të marrin një barazim 1-1.

Çdo gjë është mbyllur që në pjesën e parë ku u shënuan 2 gola dhe në të dytën portat kanë qenë të paprekura. Verilindorët e panë vetën në disavantazh në minutën e 17-të, kur Gulevskui shënoi për rusët. Kundërpërgjigja e ekipit të Cungut erdhi në minutën e 38-të me Çyrbjan, që shënon golin e dytë brenda tre ditësh, duke konfirmuar momentin fantastik që po kalon.

Një ndeshje pozitive për ekipin verilindor që pas humbjes kundër Basaksehir, ngre disi kokën dhe me këtë barazim, shkojnë drejt nisjes së Superligës, ku janë në ndjekje të Partizanit me vetëm 3 pikë mbrapa.