Homazhet në nder të Mikel Jankut, presidenti Meta dhe Duka: Figurë e madhe e futbollit

Paraditen e sotme u zhvilluan homazhet në nderim të Mikel Jankut, i cili u nda ditën e djeshme nga jeta në moshën 78-vjeçare. Për t’i bërë nderimet e fundit legjendës së portës së Partizanit dhe Kombëtares ishin të pranishëm qindra qytetarë të kryeqytetit, miq e shokë të të madhit Janku, por edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe kreu i FSHF-së, Armand Duka.

“Për një njeri të madh si Mikel Janku, fjalët sot janë të vështira për t’u thënë. Por ai ishte një figurë e madhe e futbollit shqiptar dhe më pas e gazetarisë sportive. Mikeli ishte njeri me integritet në shoqëri, një njeri që sot nuk mund të përshkruhet me pak fjalë. Figura e tij le të jetë një mesazh për gjeneratat e reja të shoqërisë shqiptare, të cilat duhet të mësojnë më shumë nga historia që Mikel Janku la pas”, deklaroi presidenti Meta.

Ndërsa kreu i FSHF-së, Armand Duka, i shpreh: “Mikeli ishte dhe do të mbetet një nga figurat e shquara të futbollit shqiptar. Ai ka qenë model i një sportisti shembullor, i një njeriu me kulturë e qytetari, një drejtues pasionant në sport, por edhe një gazetar që sportit i mbeti besnik deri në fund të jetës së tij. Sot ai po ndahet vetëm fizikisht nga jeta, por historia e tij do të mbahet mend nga brezat. Federata Shqiptare e Futbollit gjendet pranë familjes së tij në këtë dhembje”.