Gripi në Shqipëri, po qarkullon virusi AH1N1

Rastet e para me grip në vendin tonë janë izoluar tashmë. Ditët e para dhe shumë të ftohta të janarit kanë sjellë me vete edhe virusin e gripit. Laboratori i Institutit të Shëndetit Publik ka konfirmuar se, aktualisht në vendin tonë është duke qarkulluar virusi AH1N1. ”Po, ka filluar sezoni i gripit. Pra edhe numri i rasteve me viroza respiratore është rritur. Nuk kemi një numër tepër të lartë të rasteve, por jemi në sezonin e gripit. Ne kemi izoluar raste me grip, të cilët i përkasin virusit AH1N1, ish-virusi pandemik, i cili tashmë është kthyer në një virus sezonal”, tha Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, në ISHP.

Virusi AH1N1 shfaq simptoma të njëjta me viruset e tjera, si dhimbje koke, dhimbje muskulare të forta, kollë të thatë, etj. Ekspertët e ISHP-së janë duke shqyrtuar format e shfaqjes së këtij virusi në popullatë, pasi me kalimin e kohës, viruset pësojnë mutacione dhe japin komplikacione te njerëzit. ”Viruset e gripit janë shumë hileqarë dhe pësojnë mutacione të ndryshme, ndaj është shumë e rëndësishme që të kryhet vaksinimi ndaj gripit. Ky vaksinim kryhet në çdo kohë, gjatë të gjithë periudhës së gripit dhe krijon imunitetin e duhur apo bën që personi, edhe nëqoftëse infektohet nga gripi, të mos kalojë forma të rënda të tij”, tha më tej Silva Bino.

Personat që kanë sëmundje kronike si diabet, probleme pulmonare, apo janë obezë, janë të prirur të shfaqin komplikacione nëse preken nga virusi i gripit. Ndaj, sipas ekspertëve, ata duhet të rendin të bëjnë vaksinën e gripit. Aktualisht janë vetëm 4 raste të konfirmuara në Laboratorin e ISHP-së, ndërkohë që mund të ketë raste të tjera, të cilat trajtohen në shtëpi dhe nuk janë paraqitur te mjeku. /Top Channel/