Golashënuesi më i mirë i Superiores transferohet në Bjellorusi

Skuadra bjelloruse e Shakhtar Soligorskut ka vendosur t’i rrëmbejë sërish Kategorisë Superiore, golashënuesin më të mirë të gjysmës së parë të sezonit. Bëhet fjalë për sulmuesin e Teutës, Amadou Latif, i cili është golashënuesi më i mirë i Superiores me 9 gola të shënuar, por sot është larguar drejt skuadrës nënkampione të Bjellorusisë.

Mediat sportive në vend raportojnë se për këtë transferim, klubi durrsak ka përfituar një shifër të rëndësishme, ndonëse nuk janë bërë ende të ditura detajet e marrëveshjes.

Ky është një rikthim për Amadou Latif në kampionatin e Bjellorusisë, pasi në vitin 2016, para se t’i bashkohej Teutës, ka qenë pjesë e Dinamos së Brestit. Kujtojmë që dimrin e kaluar klubi i Shakhtar Soligorskut mori nga Kukësi sulmuesin Elis Bakaj, i cili ishte golashënues i Superiores deri në atë periudhë.