Duka: Sistemi i Arsimit të Lartë nuk i përgjigjet shoqërisë

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, thotë se protestat e studentëve treguan jo vetëm problemet e shumta që kanë universitetet por edhe se sistemi i arsimit të lartë nuk i përgjigjet sfidave të shoqërisë tonë.

Me anë të një postimi në facebook, Duka vë theksin tek mungesa e orientimit dhe prioriteteve zhvillimore, dhe shton se për pasojë universitetet do të prodhojnë vetëm studentë për tregun e jashtëm, pa një hapësirë në tregun e punës.

Kreu i PAA-së nënvizon se protesta në fjalë nuk mund të ketë në thelb vetëm realizmin e 8 pikave, por, sipas tij, duhet të kthehet në një shans të mirë për t’i lidhur nevojat e studentëve me ato të sektorëve strategjik të vendit.

Positmi i plotë i Agron Dukës

Studentët janë përherë një hap përpara; edhe duke huazuar nga tradita e mrekullueshme e iso-polifonisë. Ata tregojnë se heshtja nuk është vlerë dhe një shoqëri demokratike themelet i ka te lira e fjalës dhe e protestës. Kush kërkon t’i ndalë apo t’i mashtrojë, lufton me mullinjtë me erë. Protestat e tyre treguan jo vetëm problemet e shumta që kanë universitetet shqiptare, por se sistemi i arsimit të lartë nuk i përgjigjet sfidave të shoqërisë tonë. Një shembull i qartë janë shërbimet dhe bujqësia, të cilat formojnë 66 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe kontribuuan me 80.6 % të punësimit (42.4 shërbimet dhe 38.2% bujqësia), por të diplomuarit për këto degë zinin vetëm 4.2 % të totalit të të diplomuarve në vitin 2017.

Kjo do të thotë se gjithnjë e më pak të rinj studiojnë për veteriner, ekspert peshkimi apo agronom. Që ky fenomen të ndalë, do të duhej që sistemi arsimor të ishte i lidhur me prioritetet kombëtare. Mirëpo, paçka mund të deklarohet në media, vendi ende nuk ka një strategji të tillë në fusha jetike si bujqësia dhe turizmi. Kur nuk ka orientim dhe prioritete zhvillimore, universitetet do të prodhojnë vetëm studentë për tregun e jashtëm. Do të prodhojnë vetëm qytetarë me një diplomë, por pa një hapësirë në tregun e punës.

Për këtë arsye, kjo protestë, nuk mund të ketë në thelb vetëm realizmin e 8 pikave, por duhet të kthehet në një shans të mirë për t’i lidhur nevojat e studentëve me ato të sektorëve strategjik të vendit. Një pikë kthese për të koordinuar gjymtyrët e ndryshme të një trupi shoqëror, deri tani, të pa organizuar; i cili ecën kuturu, nga protesta në protestë…