Shefi i Kabinetit të Presidentit: Meta i propozoi Edi Ramës ta bëjë Cakajn ministër kulture

Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, Arben Cici, gjatë një prononcimi në emisionin “Pressing” të televizionin “T7” ka folur në lidhje me vendimin e Presidentit Meta për të refuzuar propozimin e Kryeministrit Rama për emërimin e Gent Cakajt në postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në deklaratën e tij z. Cici shpjegon se institucioni i Presidentit të Republikës nga momenti që erdhën propozimet e Kryeministrit Rama përpos dekretimeve të menjëhershëm dhe të arsyetuar të Presidentit të Republikës për ministrat, të cilët kishin një profil të vërtetuar politik dhe publik, iu desh një kohë e domosdoshme për të kaluar në filtër të gjithë emrat të cilët nuk ishin figura shumë të njohura publike dhe nuk përbënin profile politike.
“Natyrisht në funksion të këtij posti të rëndësishëm siç është ai i ministrit duhet të kalonin të gjithë filtrat që kanë të bëjnë me certifikatat e sigurisë, me aktivitetin që kanë pasur deri në këtë moment, etj. Të njëjtin proces kaloi edhe kandidatura e zoti Cakaj. Të gjitha strukturat e Institucionit të Presidentit të Republikës u lidhën dhe komunikuan me institucionet përgjegjëse, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri për të marrë informacionin e duhur në mënyrë që Presidenti të ishte shumë i qartë, shumë i bindur në vendimin që ai do të merrte për të dekretuar apo jo një kandidat të caktuar si Ministër i Republikës së Shqipërisë”, – tha shefi i kabinetit të Presidentit Meta, duke u ndalur te fakti se situata sot në rajon kërkon që Shqipëria të jetë shumë e përgjegjshme.
“Kemi disa sfida siç janë përparimi i dialogut Kosovë-Serbi me qëllim përfundimin e suksesshëm të marrëveshjes mes këtyre dy vendeve dhe arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme dhe me rezultate pozitive për Kosovën. Do të dëshironim që të ishte një marrëveshje e cila të përfundonte me një vend të Kosovës në OKB. Së dyti, sfida tjetër e politikës së jashtë të Shqipërisë është çelja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe kjo kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm. Natyrisht edhe sfida tjetër që është një sfidë dhe një hap historik i politikës së jashtme të republikës së Shqipërisë, kryesimi i OSBE-së për vitin 2020. Sot që flasim Shqipëria është pjesë e trojkës së OSBE-së dhe ka një angazhim të jashtëzakonshëm dhe një mision historik që kapërcen kufijtë e Shqipërisë madje edhe të rajonit për shumë arsye”.
Gjithashtu, Cici theksoi se Presidenti nuk mund të pranojë asnjë deklaratë, qoftë ambigue kur bëhet fjalë për korrigjim apo ndryshim të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës e natyrisht dhe për një qasje paralele mes çështjeve të mbetura pezull ose për kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë.
“Nëse do t’i referohemi intervistës që ka dhënë zoti Cakaj në nëntor të vitit të kaluar, ka shumë qëndrime ambigue për të, sidomos kur bëhet fjalë për politikën e jashtme rajonale dhe çështjen e kufijve, shkëmbime ose korrigjime territoriale që shkojnë ndesh si me parimet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë ashtu edhe me vetë programin e qeverisë shqiptare si edhe politikën e NATO-së, BE-së në qasjen e tyre rajonale. Të gjithë e dinë qëndrimin dhe pozicionin e zotit Meta sa i takon Kosovës dhe procesit të dialogut Serbi-Kosovë dhe sa i takon politikës së jashtme të Shqipërisë në raport me Kosovën. Do të ishte një paragjykim edhe për faktin që ndër kandidatët e propozuar për ministër nuk ishte vetëm zoti Cakaj nga Kosova, por edhe zonja Shahini, e cila u dekretua”, – shtoi Shefi i Kabinetit të Presidentit, teksa në fund zbuloi edhe një detaj interesant nga biseda që Presidenti Meta ka pasur me Kryeministrin Rama fundjavën e kaluar dhe propozimin që ka bërë kreut i shtetit në lidhje me këtë kandidaturë.
“Gjatë bisedës që Presidenti Meta ka bërë me Kryeministrin Rama ditën e premte për të qartësuar pozicionin e tij në raport me zotin Cakaj, Presidenti i Republikës i ka propozuar Kryeministrit, që meqenëse zoti Cakaj pretendohet se është kaq i shkolluar dhe lexuar, mund ta vendosni Ministër të Kulturës apo çdo lloj ministri tjetër, por në këto kushte që ndodhemi ne nuk kemi luksin të bëjmë eksperimente as edhe një çast për të vendosur një njeri si zoti Cakaj në pozicionin e Ministrit të Punëve të Jashtme përballë atyre sfidave që kemi ne dhe në mungesën e theksuar të përvojës së spikatur në marrëdhëniet ndërkombëtare, në politikën e jashtme, në njohjen e thellë të administratës së Republikës së Shqipërisë dhe të tjera që janë qartësuar në argumentet që Presidenti i ka bërë publike në letrën refuzuese të propozimit të Kryeministrit Rama”, – deklaroi Arben Cici.

Lajme të tjera për dekretin e kreut të shtetit: