Basha: Caka një kandidaturë e papërshtatshme për ministër të Jashtëm

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të enjten, është shprehur për kandidaturën e z.Genti Caka si ministër i Jashtëm se është një kandidaturë e papërshtashme për një post të tillë.

Kreudemokrat tha se pavarësisht kësaj, çështja më e rëndësishme nuk është standardi që vendos presidenti, por ai që vendos Kryeministri.

Ai tha se kjo është hera e dytë pas Lleshit që Rama shkel kushtetutën duke dërguar persona të papërshtatshëm për dekretim në presidencë.

“Kandidatura e zotit Caka nuk është kandidaturë e përshtatshme për ministër të jashtëm, pasi kam parë edhe faktet e bëra publike nga presidenti. Problemi kryesor nuk është standardi që ka vendosur presidenti, por standardi që ka vendosur kryeministri në dy emërime njëri pas tjetrit. Herën e parë ky kryeministër i dërgoi për dekretim presidentit një person në shkelje flagrante me ligjin, herën e dytë e dërgoi sërish u dekretua pasi ishte në rregull me ligjin. Sot jemi në rastin e papërgjegjshmërisë. Papërgjegjshmëria e parë e Ramës ishte në rastin kur shkoi një gjeneral për dekretim, tani çon për dekretim një person që ka thyer në mënyrë flagrante ligjin për sigurinë kombëtare. Në kushtet kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, nuk mund të jetë kandidat për ministër të jashtëm një person që ka thyer standardet për sigurinë kombëtare. Ministri i jashtëm, i brendshëm, dhe të mbrojtjes janë në kontakt jo vetëm me sekretet kombëtare por dhe ato të NATO-s”, tha Basha.

Kreu i PD, Lulzim Basha ka folur për mosdekretimin e Gent Cakajt nga presidenti Ilir Meta në postin e ministrit të jashtëm.

Basha tha se certifikimi i sigurisë i Gent Cakajt nga DSIK brenda 24 orëve është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

“Nuk mendoj se mosdekrertimi vjen se ai është shqiptar i Kosovës. Ky është një vendim për të cilin duhet të pyetet presidenti. Por certifikimi nga DSIK brenda 24 orëve është i pabesueshëm sepse moria e informacionit që përpunohet është e një natyre që nuk mund të përpunohet brenda 24 orësh. Kjo është bërë me urdhër politik nga personi që e ka emëruar. Është e pamundur të bëhet certifikimi brenda 24 orësh. Sigurisht është edhe përgjegjësi e DSIK”- tha Basha.

Ndiqeni LIVE intervistën e kryedemokratit Basha në “Opinion”