Moti i keq, Qeveria apel qytetarëve: Evitoni daljet e panevojshme!

Në një kohë që moti i keq ka paralizuar qarkullimin në disa qarqe të vendit, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në një dalje për media u ka bërë thirrje  qytetarëve të evitojnë daljet e panevojshme nga shtëpia.

“Ministria e Mbrojtjes, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile si dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura janë në kontakt të vazhdueshëm, me 5 ministritë e linjës si edhe me Autoritetin Rrugor Shqiptar; Policinë e Shtetit; me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrikë, Koorporatën Elektroenergjitike Shqiptare, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes; Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, me 12 prefektët si dhe me njësitë  vetëqeverisjes vendore.

Aktualisht, në të gjitha qarqet e prekura nga dëbora, janë aktivizuar mbi njëqind mjete, që po punojnë për hapjen e akseve me probleme. Mbi dy mijë efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, punonjës të OSSHE dhe të shëndetësisë janë në gatishmëri të plotë për t’iu gjendur pranë banorëve, për çdo problem të vërejtur.  Helikopterët e Forcës Ajrore dhe ekuipazhet e tyre janë të gatshëm të ndërhyjnë nga ajri për t’iu përgjigjur të gjitha problemeve shëndetësore apo kërkesave për bazë ushqimorë, në ato fshatra, që bllokohen nga moti i keq.  Të dashur qytetarë të zonave të prekura nga reshjet e dëborës,  Siguria juaj është misioni ynë parësor. Ndaj do të kërkonim të evitonit daljet e panevojshme nga shtëpitë.

Për të gjithë ju, që keni nevojë për asistencë, duhet t’i drejtoheni ambienteve të përshtatshme të ngritura nga pushtetit vendor në raste emergjencash, të telefononi në numrat e emergjencave 126, 127, 128 dhe 129 ose tu drejtoheni shtabeve të emergjencave në qytetet tuaja. Është detyrë kryesore e pushtetit vendor, dhe e përsëris këtë apel, ashtu sikundër kemi bërë në të gjitha komunikimet e vazhdueshme, që të marrë masa për parandalimin dhe përballimin e situatave të shkaktuara nga moti i keq, përfshirë edhe ngritjen e qendrave të posaçme për t’i ardhur në ndihmë banorëve në vështirësi.

Në ditë të tilla është shumë e rëndësishme që, edhe ju drejtues të automjeteve, të përdorni  zinxhirë dhe të respektoni  rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të zbatoni udhëzimet për qarkullimin rrugor”, u shpreh Xhaçka.