Edmond Spaho: Ndryshimet në qeveri, kozmetikë e Ramës për të shuar protestat

Nënkryetari i demokratëve: Rreziku i manipulimit të zgjedhjeve nga Rama është i plotë. “Unaza e Madhe”, në këtë skandal janë të përfshirë figurat më të larta të qeverisë

Bisedoi: Herion Mesi

Për Partinë Demokratike protesta e studentëve në thelb është politike, pasi drejtohet kundër politikave të qeverisë “Rama” në fushën e arsimit. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho në një intervistë për “Koha Jonë” shprehet se për këto çështje opozita është shprehur në favor të qëndrimeve të studentëve në vitin 2015, kur u miratua ligji i arsimit të lartë. Ndërsa qëndrimet e Kryeministrit, kur shprehet që do kapë dhe drejtojë protestën, sipas Spahos, tregojnë se sa shumë ka degraduar demokracia në vendin tonë dhe se deri në çfarë mase Kryeministri tallet me popullin e tij. “Kundër kujt do protestojë Kryeministri, kundër opozitës, apo kundër vetes?!”- shprehet Edmond Spaho. Në vijim nënkryetari i demokratëve teksa komenton edhe ndryshimet në kabinetin qeveritar shprehet se deri sa protestat vazhdojnë, do të thotë që grupet e interesit nuk janë të kënaqura me reagimet e qeverisë.

“Ndryshimet në kabinetin qeveritar janë kozmetikë e Ramës për të shuar protestat. Nga ato nuk duhet pritur asgjë, pasi kreu i politikave që na kanë çuar në këtë gjendje është Edi Rama. Ata që ishin në krye të dikastereve qenë marioneta të Ramës, këta që po vinë do të jenë edhe më shumë, pasi nuk kanë as profil politik dhe as teknik”- u shpreh deputeti demokrat. Duke u ndalur tek çështja e “Unazës së Madhe”, Spaho ngre pikëpyetjet se pse kjo aferë nuk po hetohet nga drejtësia shqiptare, sipas siç thotë ai, në këtë skandal janë të përfshirë figurat më të larta të qeverisë. “Për sa i takon hetimit ne duhet të shqetësohemi se përse nuk po hetohet në Shqipëri. Cilët janë autorët e falsifikimit që do ju jepte rreth 18 milion euro? Përse deri më sot nuk është ndaluar dhe pyetur as themeluesi i kompanisë, i cili mban përgjegjësi ligjore për letrat e falsifikuara? Përse Prokurorja e Përgjithshme dhe ajo e Krimeve të Rënda nuk shqetësohen për mos hetimin e këtij skandali që përfshin edhe një vend tjetër? Në këtë skandal janë të përfshirë figurat më të larta të qeverisë, Gjiknuri dhe Rama prandaj edhe nuk hetohet”- theksoi Edmond Spaho.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në intervistën e tij për “Koha Jonë” deklaron se rreziku i manipulimit të zgjedhjeve nga socialistët është real, pasi sipas tij Rama të vetmen mënyrë që të fitojë zgjedhjet ka manipulimin dhe blerjen e tyre. “1.4 milionë zgjedhës do të mbeten shpejt pa karta dhe me infrastrukturën aktuale dhe çmimin e kartës qytetarët nuk do kenë mundësi të pajisen me to dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Votimi dhe numërimi elektronik, i cili duhet të testohet në zgjedhjet vendore po sabotohet pasi në buxhetin e vitit 2019 nuk është parashikuar asnjë lek për ta testuar atë në dy qarqe të vendit. Regjistri i adresave nuk është realizuar, duke krijuar mundësinë që zgjedhësit të transferohen nga një bashki në tjetrën, sipas nevojave elektorale të mazhorancës fenomene të evidentuara në zgjedhjet e vitit 2015. Asgjë nuk është ndërmarrë për të frenuar angazhimin e policisë dhe administratës publike në procesin zgjedhor”- janë disa nga dyshimet e kreut të ligjvënësve të PD-së, Edmond Spaho.

Intervista

Zoti Spaho, viti politik 2019 nisi pothuajse aty ku u mbyll 2018-ta: studentët, minatorët, naftëtarët sërish i janë rikthyer shesheve, po ashtu edhe banorët që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe të Tiranës, të cilët protestuan edhe në ditë festash, duke shënuar një akt të paprecedent rezistenceje. Ndërkohë, si kundërpërgjigje Rama vendosi të bëjë “katharsis” në kabinetin e tij qeveritar. Si e shihni këtë situatë?

Deri sa protestat vazhdojnë, do të thotë që grupet e interesit nuk janë të kënaqura me reagimet e qeverisë. Studentët i kanë përshkallëzuar kërkesat duke kërkuar anulimin e ligjit të arsimit të lartë, banorët e Unazës jo vetëm kërkojnë zgjidhjen e çështjes së tyre, por edhe vënien para përgjegjësisë së atyre që kanë mashtruar dhe do përfitonin nga ky projekt. Ndryshimet në kabinetin qeveritar janë kozmetikë e Ramës për të shuar protestat. Nga ato nuk duhet pritur asgjë, pasi kreu i politikave që na kanë çuar në këtë gjendje është Edi Rama. Ata që ishin në krye të dikastereve qenë marioneta të Ramës, këta që po vinë do të jenë edhe më shumë, pasi nuk kanë as profil politik dhe as teknik.

Në gjykimin tuaj, ka pasur më shumë skandale nga qeveria, apo protesta?

Protestat burojnë nga politikat e gabuara të qeverisë, korrupsioni që materializohet në skandale, lidhjet me krimin dhe një sërë fenomenesh thellësisht negative për vendin. Nuk di të kemi pasur ndonjëherë një qeveri kaq të korruptuar dhe me kaq shumë skandale sa qeveria e Edi Ramës.

Lidhur me protestën studentëve shënuat një përplasje në distancë me kreun e grupit parlamentar socialiste Taulant Ballën, i cili akuzoi opozitën se përmes kësaj proteste, kërkon rrëzimin e Ramës. Në fakt, sa e përfshirë është opozita në këtë vijimin e lëvizjes studentore, në një kohë që kemi vetë Kryeministrin që ka deklaruar se do ta kapë ai protestën në fjalë?

Protestat janë revolta të grupeve të interesit, në rastin në fjalë, të studentëve për çështjet që kanë ngritur. Ne i kemi përkrahur dhe ju kemi bërë thirrje qytetareve t’ju bashkohen studentëve. Protesta në thelb është politike, pasi drejtohet kundër politikave të qeverisë në fushën e arsimit. Për këto çështje opozita është shprehur në favor të qëndrimeve të studentëve në vitin 2015, kur u miratua ligji i arsimit të lartë. Qëndrimet e Kryeministrit, kur shprehet që do kapë dhe drejtojë protestën, tregojnë se sa shumë ka degraduar demokracia në vendin tonë dhe se deri në çfarë mase Kryeministri tallet me popullin e tij. Kundër kujt do protestojë Kryeministri, kundër opozitës, apo kundër vetes? Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim studentët në kërkesat e tyre të drejta, si dhe do i bëjmë thirrje qytetarëve të mbështesin studentët. Problemet e studentëve janë edhe të qytetarëve. Nëse nuk bashkohemi dhe të mbështesim njëri-tjetrin, rezultati nuk do të jetë ai i pritshmi.

Ndërkohë protesta e qytetarëve të Astirit në gjykimin tuaj subjektiv si pritet të vijojë? Ju si opozitë keni ndonjë informacion nëse ka një hetim nga ana e SHBA-ve dhe deri ku mund të shtrihet sa i përket zinxhirit të përgjegjësive në falsifikimin e dokumenteve, apo bëhet fjalë për një hetim vetëm për firmën fituese të realizimit të njërit segment të këtij projekti?

Qytetarët e Astirit janë shprehur që shtëpitë mund t’ju shemben vetëm duke kaluar mbi ta. Për sa i takon hetimit ne duhet të shqetësohemi se përse nuk po hetohet në Shqipëri. Cilët janë autorët e falsifikimit që do ju jepte rreth 18 milion euro? Përse deri më sot nuk është ndaluar dhe pyetur as themeluesi i kompanisë, i cili mban përgjegjësi ligjore për letrat e falsifikuara? Përse Prokurorja e Përgjithshme dhe ajo e Krimeve të Rënda nuk shqetësohen për mos hetimin e këtij skandali që përfshin edhe një vend tjetër? Si edhe në shumë raste të tjera, përgjigjet janë të qarta. Në këtë skandal janë të përfshirë figurat më të larta të qeverisë Gjiknuri dhe Rama prandaj edhe nuk hetohet.

Dhe lidhur me zgjedhjet, deputeti Ervin Salianji ngriti shqetësimin për skadimin e afro 1.4 milionë kartave të identitetit, sa real është rreziku i manipulimit të zgjedhjeve?

Rreziku i manipulimit të zgjedhjeve është i plotë. Rama të vetmen mënyrë që të fitojë zgjedhjet ka manipulimin dhe blerjen e tyre. Janë një sërë çështjesh të cilat duhet të adresohen nga qeveria, por ajo nuk ka marrë asnjë masë. 1.4 milionë zgjedhës do të mbeten shpejt pa karta dhe me infrastrukturën aktuale dhe çmimin e kartës qytetarët nuk do kenë mundësi të pajisen me to dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Votimi dhe numërimi elektronik, i cili duhet të testohet në zgjedhjet vendore po sabotohet pasi në buxhetin e vitit 2019 nuk është parashikuar asnjë lek për ta testuar atë në dy qarqe të vendit. Regjistri i adresave nuk është realizuar, duke krijuar mundësinë që zgjedhësit të transferohen nga një bashki në tjetrën, sipas nevojave elektorale të mazhorancës fenomene të evidentuara në zgjedhjet e vitit 2015. Asgjë nuk është ndërmarrë për të frenuar angazhimin e policisë dhe administratës publike në procesin zgjedhor. Mos harroni që është po ai kryeministër, i cili i bënte thirrje punonjësve të policisë që pas orarit të punës të hiqnin uniformën dhe bënin fushatë për PS-në. Mbi të gjitha nuk është marrë asnjë veprim që të shpresosh se do ndërpriten lidhjet e politikës me krimin dhe përdorimin e tij në procesin zgjedhor. Mazhoranca jo vetëm rrëzoi ligjin e vetingut të politikanëve, por ka marrë në mbrojtje eksponentë të saj, si kryetari i bashkisë së Durrësit, i cili komunikon me eksponentë të krimit të organizuar për ti siguruar atij vota. A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në këto kushte dhe a duhet ne të jemi fasadë e një procesi farsë? Sigurisht që jo.

Si do të bëhet procesi i përzgjedhjeve i koalicionit opozitar të kandidatëve për garën për bashkitë e vendit?

Në thelb çdo Parti do të paraqesë kandidatët e saj për bashkitë e vendit. Më pas do seleksionohen bazuar mbi anët e tyre të forta përfshirë testet për perceptimin e qytetarëve për çdonjërin kandidat.