Rama rrezikon karriken prej studentëve protestues

-Miku historik i Edi Ramës, avokati i njohur Spartak Ngjela, deklaron: “Nëse studentët do të vijojnë kërkesën për tetë pikat e tyre, atëherë Rama rrëzohet, sepse pranimi i tetë pikave, është të pranuarit e Ramës që Shqipëria sot është një vend i korruptuar dhe korrupsioni drejtohet drejtpërsëdrejti prej tij”.

Studentët janë rikthyer dje për të protestuar në sheshin para zyrës së Kryeministrit Edi Rama për të kërkuar plotësimin e të gjithë kërkesave të tyre për arsimin. Megjithëse në Tiranë temperatura shënonte -3 gradë, mijëra të rinj kanë sfiduar motin e pazakontë dhe protestuan për disa orë kundër qeverisë “Rama”. Studentët paraqitën edhe një herë kërkesat e tyre drejtuar kreut të qeverisë, ku më kryesorja është rrëzimi i ligjit për Arsimin e Lartë. Tubimet masive të studentëve do të vijojnë çdo ditë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u kthyer në reagim masiv ndaj qeverisë. Ndryshe nga protesta e një muaji më parë, dje studentët e të gjitha universiteteve në vend ishin në një zë. Universitetet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Gjirokastër dhe Vlorë bojkotuan mësimin duke deklaruar grevë totale nëse qeveria nuk plotëson kërkesat. Ndërkohë që qeveria me anë të një pjese të rektorëve dhe studentëve të FRESSH tentoi të bënin rolin e “grevëthyesit” duke kërkuar vijimin e mësimit. Në këtë situatë, organizatorët e protestës morën vendimin ekstrem për të bllokuar dhe kyçur dyert e universiteteve, ku një pakicë studentësh të FRESSH gjasme donin të bënin mësim. Dje u shënua dhe akti i parë i humbjes së durimit të qeverisë me studentët. Gjatë mbrëmjes, dy prej studentëve që bllokuan dyert e universiteteve për të mos lejuar që të zhvillohej mësimi, u shoqëruan në komisariat. Policia nuk dha asnjë motiv për arsyet e ndalimit, por studentët thanë se dy të rinjtë u arrestuan në mënyrë flagrante nga forcat e rendit.

Kryeministri Edi Rama në të vetmin reagim që bëri në rrjetet sociale për protestën, deklaroi se “mbyllja e dyerve të universiteteve tregon se protesta është marrë peng” duke nënkuptuar ndërhyrjen e opozitës. Kryeministri Edi Rama tha se problemet e studentëve janë drejt zgjidhjes duke përmendur miratimin e disa vendimeve nga Qeveria për uljen e tarifave në bazë të notave dhe rezultateve të larta që kanë marrë studentët. Veç këtyre vendimeve, qeveria bërë dhe një sërë lëvizjesh taktike për të larguar vëmendjen nga protesta dhe problemet e arsimit. Një prej tyre është largimi i Ministres së Arsimit. Por dje studentët ishin më të qartë se në protestat e tjera lidhur me kërkesat e tyre. Duke prezantuar pikat për ligjin e arsimit, rritjen e buxhetit për studentët dhe arsimin falas, ata theksuan se nuk do të mashtrohen me VKM që nuk plotësojnë kërkesat e tyre. Duke komentuar vendimet me të cilat Rama pretendon se ka bërë më shumë sesa i është kërkuar nga studentët, të rinjtë deklaruan se investimet në arsim nuk duhen parë vetëm si “shpërblim për studentët me nota më të larta”, por si e drejtë e të gjithë të rinjve që janë në universitet.  Ndërkohë një pjesë e vendimeve që ka miratuar së fundi qeveria “Rama”, në vend të zgjidhin po krijojnë më shumë probleme. Një nga vendimet është ai i kontrollit të pedagogëve, në bazë të sondazheve dhe vlerësimeve të Ministrisë së Arsimit. Edhe pse duket risi, në fakt është cënim i autonomisë së universiteteve, pasi pedagogët tashmë do të vlerësohen nga Qeveria (Ministria e Arsimit) dhe jo nga kriteret akademike të universiteteve. Qeveria në vend që ta lexonte protestën e studentëve si një sinjal për të korrigjuar ligjin e Arsimit të Lartë aq shumë të kritikuar për dështimin e universiteteve, po e përdor për të kapur jo vetëm rektorët por gjithë pedagogët. Megjithatë pjesa e parë e “leksionit” që i dhanë studentët qeverisë solli shkarkimin e gjysmës së saj dhe largimin e 8 ministrave. Rinisja e protestave nga të rinjtë dhe mos reflektimi i kryeministrit për situatën ku ka futur vendin duket se do të sjellë largimin e gjithë qeverisë. Është një zhvillim që edhe për miqtë dhe njerëzit e afërt të kryeministrit Edi Rama tashmë duket i pashmangshëm. Avokat Ngjela, në një analizë të protestës së studentëve deklaronte se me tetë kërkesat e tyre, studentët kanë kapur gjithë korrupsionin dhe keqqeverisjen e Edi Ramës. “Nëse studentët do të vijojnë kërkesën për tetë pikat e tyre, atëherë Rama rrëzohet, sepse pranimi i tetë pikave, është të pranuarit e Ramës që Shqipëria sot është një vend i korruptuar dhe korrupsioni drejtohet drejtpërsëdrejti prej tij”,- deklaron avokati Spartak Ngjela.

Nëse nuk ka përgjigje ligjore të kërkesave të studentëve, pritet që protesta të avancojë në kërkesa. Do kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama./Q.Xhani/