Mogherini kërkon heqjen e taksës me Serbinë

Pas takimit me grupin përfaqësues të  Kosovës për dialogun me Serbinë, përfaqësuesja e  Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini  ka përsëritur qëndrimin e BE-së rreth taksës së vendosur ndaj mallrave që importohen nga Serbia.

Mogherini këmbënguli në krijimin e një klime që kontribuon në fqinjësinë e mirë, ajo gjithashtu  ka kërkuar që të respektohen marrëveshjet që dy shtetet i kanë arritur në Bruksel.

Sipas saj, një marrëveshje e paqes do të krijonte edhe një klimë të fqinjësisë së mirë në Ballkan.

“Duhet të krijohet një klimë që i kontribuon fqinjësisë së mirë, ku marrëveshjet e arritura në të kaluarën duhet të respektohen dhe implementohen. Veprimet dhe deklaratat që nuk janë në pajtim me interesin e përgjithshëm dhe objektivat strategjikë për rajonin duhet të shmangen”, ka deklaruar Mogherini.

Ndërsa pas këtij takimi, bashkëkryesuesit e delegacionit kosovar, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti deklaruan se taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet derisa kjo e fundit ta njohë Kosovën.