Kandidati për Ministër i Jashtëm po shkon drejt mos dekretimit për faj të tij

Emri i Gent Cakaj, i propozuar nga kryeministri Edi Rama në postin e Ministrit të Jashtëm, ka sjellë reagime të shumta dhe mosaprovim të kandidaturës së tij nga të gjithë autoritetet e politikës së jashtme në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Ish-ministra të Jashtëm si Besnik Mustafaj, Tritan Shehu, por edhe analistë e gazetarë me reputacion në Kosovë, si Berat Buzhala kanë deklaruar hapur kundërshtinë dhe pikëpyetjet e tyre ndaj një kandidature pa përvojë në politikën e jashtme të Shqipërisë. Veç këtyre emrave janë dhe një sërë analistësh të politikës së jashtme dhe diplomatë karriere që e shohin të gabuar lëvizjen e Edi Ramës për të vendosur në krye të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, një 28 vjeçar thuajse anonim në arenën rajonale dhe atë ndërkombëtare. Të ishte fjala vjen Veton Surroi një përsonalitet kosovar, do të ishte një pozitivitet në raport me Bushatin.

Edhe kreu i qeverisë Edi Rama kur është pyetur nga gazetarët për profilin e Cakajt nuk ka mundur të rendisë asnjë cilësi të veçantë diplomatike të kandidatit të tij si ministër, përveç “leximit të librave”. Një detaj që mund të ketë rëndësi personale për Gent Cakaj, por nuk është aspak kriter dhe ndonjë meritë për postin e Ministrit të Jashtëm.

Por nëse në Prishtinë dhe në Tiranë, të gjithë ngrenë supet kur pyeten për karrierën dhe meritat e Cakaj, në ato pak dalje që ka bërë në media, kandidati i Edi Ramës rezulton të ketë një këndvështrim të dëmshëm për interesat e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në rajon. Të vetmet qëndrime diplomatike për rolin e shqiptarëve në rajon, Cakaj i ka mbajtur në dy-tre emisione të gazetarit Baton Haxhiu në “Klan Kosova”. Në këto intervista, të cilat për hir të së vërtetës janë shumë pak për të përcaktuar vijat e diplomacisë, Cakaj ka përmendur para se ta thoshte Hashim Thaçi në media faktin se mes Kosovës dhe Serbisë po diskutohet ndarja e territoreve. Një ide e tillë e dhënies së territorit që u fitua me luftë ndaj Serbisë është jo vetëm absurde, por edhe anti-kombëtare. Përkrah kësaj ideje kanë dalë vetëm serbët dhe një minorancë e politikës së Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, drejtuesit e partive opozitare si Isa Mustafa, Albin Kurti, madje dhe pjesa më e madhe e partisë së Hashim Thaçit janë kundër ndarjes. Po ashtu Tirana zyrtare, me anë të Presidentit të Republikës dhe qëndrimeve të Ditmir Bushatit si ministër i Jashtëm ka shprehur qëndrimin kundër lojës me harta, duke e cilësuar lojë të rrezikshme për Ballkanin dhe shqiptarët në rajon.

Edhe Gjermania është hapur kundër kësaj ideje e cila sjellë luftë në Ballkan.

Kur shumica e faktorit politik në Kosovë dhe në Tiranë, aq me tepër aleatët, janë kundër ndarjes së kufijve, Gent Cakaj propozohet në qeverinë e Edi Ramës si zëri që do të flasë pikërisht për nevojën e ndarjes së Kosovës. Cakaj do të bëjë atë detyrë që Edi Rama nuk ka kurajë ta bëjë vet dhe që sigurisht me Ditmir Bushatin do të kishte ta pamundur ta kryente.

Qëndrimet e kandidatit për ministër në intervistat e dhëna për mënyrën sesi duhen ruajtur interesat e shqiptarëve në Ballkan janë jo vetëm shqetësuese, por të dëmshme. Idetë e kandidatit për ministër shkojnë dhe më tej, kur veç faljes së territorit të Kosovës, Serbisë, ka folur dhe për ndryshim kufijsh më Greqinë. Në një tjetër intervistë që ka dhënë për Baton Haxhiun rreth një muaj më parë, Gent Cakaj në postin e zv/ministrit të Jashtëm dhe si këshilltar i kryeministrit Rama, foli hapur për ndryshime kufijsh në Ballkan. Ai mbështet ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por shkon edhe më tej duke hedhur një propozim sa arkaik aq edhe të rrezikshëm; ndryshim kufijsh edhe mes Shqipërisë dhe Greqisë. Madje e barazon këtë çështje me atë të mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo e gjitha është në sinkron të plotë me planin e Beogradit që sa herë që do të dëmtojë shqiptarët flet për planin e “Shqipëri të Madhe”, një ide që sado romantike të prezantohet, në fakt nënkupton një shkatërrim përfundimtar të çështjes shqiptare dhe një kthim kundër vendit tonë të miqve ndërkombëtarët shqiptarëve.

Kaq sa Cakaj ka deklaruar mjaftojnë që kreu i shtetit të mos e dekretojë për ministër. Çdo diplomat edhe me pak eksperiencë e di se në diplomaci ka disa vija të kuqe. Dhe Cakaj duket se e ka firmosur vet mosdekretimin me këto që ka deklaruar.

E vetmja mënyrë për të frenuar këtë eksperiment që Edi Rama po bën me diplomacinë shqiptare është që kandidati për ministër të mos ketë mundësi që idetë për ndarje t’i promovojë nga zyra e kreut të diplomacisë shqiptare. Nëse projekte të tilla do të hidhen për diskutim nga kreu i diplomacisë shqiptare, statusi i Kosovës vihet seriozisht në rrezik, ndërsa Shqipëria duhet të harrojë BE-në dhe shumë më tepër se kaq.

Por nëse shtojmë edhe disa deklarata të tjera të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e cilëson Cakaj si një njeriu që do të punojë për “axhendën e Beogradit” në Tiranë, atëherë kemi të bëjmë me një situatë më të rëndë për të cilën kryeministri Edi Rama duhet të tërheqë kandidatin, ose vetë kandidati të deklarojë mos kandidimin.

(VIDEO) Deklaratat e Gent Cakaj për shkëmbim territoresh me Serbinë