Kosova në takim me Mogherinin, vendosen hapat e parë për marrëveshje me Serbinë

Bashkëkryesuesit e Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, pritet të takohen sot në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kociajançiq, të hënën, ka thënë se Ekipi negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë, është ftuar nga Bashkimi Evropian për konsultime në Bruksel. Por, sipas saj, bisedimet në nivelin e lartë politik, do të vazhdojnë ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë.

“Zyra e Bashkimit Evropian për çështje të jashtme ka ftuar delegacionin nga Kosova të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës më 15 dhjetor, për konsultime në Bruksel më 8 janar. Ekipi gjithashtu do të pritet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini. Konsultimet janë një mundësi për të diskutuar me përfaqësuesit e Kosovës në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që lehtësohet nga BE-ja. Dialogu në nivelin e lartë bëhet ndërmjet dy presidentëve dhe kjo nuk ndryshon”, ka thënë Kocijançiq.

Në anën tjetër, bashkëkryesuesit e Ekipit negociator, para udhëtimit për në Bruksel, u kanë thënë mediave se takimi i paralajmëruar për datën 8 janar, është më tepër i natyrës konsultative.

Siç është thënë ky takim ka për qëllim njoftimin e Brukselit zyrtar me delegacionin e Kosovës, përkushtimin dhe qëndrimin për dialogun, si dhe shpërfaqjen e ideve për platformën e dialogut. Gjithashtu, bashkëkryesuesit e Ekipit negociator kanë theksuar edhe pritjet që kanë nga Brukseli zyrtar, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, që të paraqesë pikëpamjet mbi pjesën përfundimtare të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Më herët, përfaqësuesit e Ekipit negociator kanë shprehur besimin që rezultati i dialogut të Brukselit duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, gjë që do të mundësonte edhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.