“Unaza e Re”, Meta: Probleme serioze me ligjin dhe transparencën

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar sot në emisionin “A Show” të gazetarit Adi Krasta ka komentuar edhe protestën e banorëve të kryeqytetit të zonës së “Astirit” që kundërshtojnë projektin e “Unazës së Re”. Sipas kreut të shtetit: “Duket qartë që i gjithë ky projekt ka probleme serioze të transparencës dhe të standardeve ligjore dhe etike që duhen ndjekur në një rast të tillë”.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari: Ju jeni një President jo i relaksuar, por ju jeni një President i shqetësuar në raport me tre vatra të rëndësishme protestash në këtë vend, që janë protesta e studentëve kundër ligjit të Arsimit të Lartë; protesta e familjeve që do të lëvizin nga “Astiri” dhe protesta e artistëve dhe dashamirësve të këtij vendi kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Keni kontaktuar, përveç veprimeve që keni bërë nga pikëpamja institucionale si President? Ajo është shumë e rëndësishme për Teatrin. Dhe natyrisht përveç mendimeve që keni për protestat, ju zoti Meta, a keni kontaktuar, a jeni takuar me ta? A jeni në brendësi të shpirtit të asaj që po ndodh me këta njerëz që kanë dalë për të protestuar?

Presidenti Meta: Përsa i takon çështjes së Teatrit Kombëtar, si Institucion i Presidentit të Republikës jemi shprehur dy herë: përmes kthimit të ligjit dhe të argumenteve të kthimit, që besoj se kanë qenë mjaft solide.

Përsa i takon çështjes së “Astirit” apo të banorëve të Unazës së Re, ne kemi bërë kërkimet tona ndaj institucioneve për të verifikuar se si qëndron e vërteta e këtij projekti. Duket qartë që i gjithë ky projekt ka probleme serioze të transparencës dhe të standardeve ligjore dhe etike që duhen ndjekur në një rast të tillë. Sigurisht që për interesin publik mund të dëmtohet apo mund të prishet prona, pavarësisht nga statusi ligjor i saj, i cilitdo qytetari, por kjo duhet bërë në mënyrë të qartë dhe strikte ligjore dhe transparente, në mënyrë që askush të mos ndihet i diskriminuar, i papërfilluar apo më keq, i shtypur dhe njëkohësisht të mos ketë as hapësirë, po themi, për opozitën apo për segmente të saj për të instrumentalizuar gjithë këtë mungesë transparence apo mbi problemet ligjore.