“Shtëpia në Surrel falë Lindës”, Paloka rikujton dokumentin e OSBE

Nënkryetari i PD, Edi Paloka është ndalur te një nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama, kur tha te emisioni “Xing me Ermalin” se shtëpinë e tij në Surrel e ka falë të shoqes, Lindës. Paloka është kthyer pas në kohë dhe rikujton dokumentin e OSBE-së, sipas të cilit Rama renditej si një nga politikanët më të pasur në Europë me një pasuri të fshehur 200 milionë euro.

Reagimi i plotë

Jo shumë larg në kohë, një dokument i brendshëm i OSBE-së, e rendiste Edi Ramën, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, si një nga politikanët më të pasur në Europë me një pasuri të fshehur 200 milionë euro.

Damka e një njeriu që jeton në luks iu rikthye ditët e fundit me oxhakun 18 mijë euro që ngrohte studion e punëve të tij private dhe me shtëpinë superluksoze në Surrel.

Njësoj si njerëzit e tij në hall për të fshehur pasurinë, edhe Edi Rama përdori si mburojë gruan, që në këto raste qëllon edhe kursimtare, edhe nikoqire. Edi Rama e nisi karrierën me 10 milionë lekë dhe sot, vetëm vlera e shtëpisë superluksoze në Surrel është deklaruar 400 milionë lekë.

Tokën ku është ndërtuar shtëpia ia ka blerë gruaja, dasmën e bën me kursimet e gruas, shtëpinë e paska ndërtuar me kursimet e gruas. Çfarë kuptuam nga kllouni që kemi për Kryeministër është se gruaja e Edi Ramës qenka më punëtore dhe më kursimtare se mami i Erion Veliajt.