Thirrja e Kryemadhit: Studentë dhe gjimnazistë, protestë me 7 janar!

-Të hënën në ora 10.00 Këshilli Studentor Shqiptar bën thirrje për t’u mbledhur para kryeministrisë për t’i kërkuar Edi Ramës të plotësojë pa asnjë shtyrje kohe të gjitha kërkesat. Duhet rrëzuar Ligji i Arsimit të Lartë duke bërë një ligj me standarte përendimore në favor të universitetëve publike- kjo është kërkesa themelore e studentëve shqiptarë.

Më 7 janar, të hënën, studentët e gjithë vendit pritet të rinisin protestat. Kërkesat që ata paraqitën në muajin dhjetor për qeverinë ende nuk janë plotësuar dhe për pasoja protesta dhe bojkoti i mësimit mbetën e vetmja mënyrë reagimi. Tubimet e të rinjve këtë herë do të jenë më të mëdha, pasi gjatë këtyre ditëve universitetet në gjithë vendin janë koordinuar për të  patur qëndrime të njëjta për kushtet ndaj Qeverisë “Rama”. Problemi me arsimin nuk janë vetëm kushtet e universiteteve, por gjithë sistemi shkollor. Situata paraqitet problematike edhe në gjimnaze, ku kostot e librave dhe bazës materiale që duhet të kenë nxënësit janë rritur çdo vit. Ligji aq shumë i debatuar i Arsimit të Lartë ka dhënë efekte negative dhe për maturantët e futjen e tyre në shkollën e lartë duke krijuar probleme për gjithë të rinjtë që duan të ndjekin studimet.

Për të diskutuar mbi shqetësimet e maturantëve, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe drejtues të tjerë të LSI, zhvilluan dje një takim me gjimnazistë të Tiranës. Që në fillim të fjalës së saj,  kryetarja e LSI-së theksoi se këto vite treguan se qeveria “Rama” bëri eksperiment me të rinjtë dhe brezin e ri duke vënë në zbatim një ligj të gabuar dhe shkatërrues për të ardhmen e të rinjve. Duke u ndalur në shqetësimet e maturantëve, Kryemadhi deklaroi se është koha që qeveria dhe çdo parti që do të drejtojë vendin duhet të kenë një plan të qartë dhe të detajuar për arsimin. Një platformë, që siç tha kryetarja e LSI, duhet të përmirësojë sistemin arsimor që nga shkolla fillore dhe deri në universitete. Premtimi i parë që bëri kryetarja e LSI është anulimi i ligjit për Arsimin e Lartë të miratuar nga qeveria “Rama”. Kryemadhi  u shpreh se edhe nëse nisma e këtij ligji ishte e mirë, aktet nënligjore të qeverisë e bënë atë të kthehet në shërbim të individëve të caktuar dhe jo të universiteteve. “Do të shkojmë drejt abrogimit të Ligjit të Arsimit të Lartë, i cili është një ligj që për hir të së vërtetës ka ndryshuar të gjithë formën për shkak të akteve nënligjore që ka nxjerrë qeveria, që janë në funksion të individëve të caktuar dhe jo të universitetit, të krijimit të një universiteti autonom, por në krijimin e një universiteti që i merr dhe i asfikson dalëngadalë”,- deklaroi kryetarja e LSI. Kryetarja e LSI solli shembullin e Kosovës, një shtet i ri që brenda disa viteve për sistemin arsimor parauniversitar ua mundëson librat falas të gjithëve nxënësve. Ndërkohë që në Shqipëri nocioni i librave falas është hequr nga qarkullimi prej kohësh dhe çmimet variojnë sipas tarifave të vendosura nga shtëpitë botuese që janë të lidhura me interesa financiare me drejtoritë arsimore.

Por mënyra për të realizuar një reformë reale në gjithë arsimin e Shqipërisë është që të rinjtë të ngrenë zërin dhe të kërkojnë më shumë të drejta si dhe më shumë investime. Para gjimnazistëve, kryetarja e LSI solli shembullin e protestës së studentëve, të cilët kanë kërkesa ekonomike dhe qeveria ende nuk u ka dhënë zgjedhje. Ajo tha se gjimnazistët duhet të ngrihen së bashku me studentët për të detyruar qeverinë që të plotësojë çdo kërkesë. Gjatë protestave të muajit një pjesë e gjimnazistëve u ndaluan që të merrnin pjesë në tubime nga drejtorët e shkollave. Duke i denoncuar këto akte si shprehje të censurës dhe sjelljes me tipare diktatoriale, kryetarja e LSI kërkoi nga gjimnazistët që të ngrënë zërin dhe të bashkohen me studentët. “Është koha për t’u ngritur. S’ka nevojë për të shkuar në anarki, sepse nuk janë aq trima ata që të presin deri te anarkia, mjafton që ju të jeni të gjithë të bashkuar. Mesazhi i studentëve ka qenë shumë i qartë: Të bashkuar kemi për të fituar! Po u bashkuan edhe gjimnazistët në protestën e studentëve që në thelb të saj është vazhdimësi e juaja, sepse vitin tjetër pjesa më e madhe e juaja do të jenë studentë, kjo do të jetë një nga fitoret më të mëdha që ka arritur rinia shqiptare, duke lënë 100 hapa mbrapa politikën shqiptare, e cila ka nevojë për ndërgjegjësimin tuaj që për hir të së vërtetës, është ndërgjegjësimi që fëmijët i bëjnë prindërve të tyre”,- deklaroi kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Të hënën, ku do të shënohet dhe çelja e protestave, pritet që studentët të paraqesin dhe një herë kërkesat e tyre ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. Ndryshe nga tubimet e tjera, në njoftimet e tyre të rinjtë kanë përcaktuar dhe vendin ku do të mblidhen. Në orën 10:00 të gjitha studentët e fakulteteve në Tiranë do të jenë para godinës së Kryeministrisë. Këtë bërë bashkë me ta do të jenë dhe mijëra të rinj të gjimnazeve të Tiranës.

Qamil Xhani