Dëbora mbulon Shqipërinë, ARRSH: Akset problematike, ku duhet të përdorni zinxhirë

Reshjet intensive të borës dhe temperaturat e ulëta kanë “mbërthyer” Shqipërinë. Reshjet e borës dhe ulja e temperaturave ka bërë që në disa prej akseve rrugore të ketë probleme sa i takon qarkullimit të automjeteve. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur akset rrugore në të cilat duhen përdorur zinxhirët për të lëvizur.

ARRSH sqaron se në Dardhë, Voskopojë, Bigell Gorricë dhe në Qafën e Qarrit, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të prezencës së ngricave në rrugë, pasi temperaturat janë shumë të ulëta. Reshjet nuk mungojnë as në veri të vendit por ajo që vlen të theksohet është se bora ka zbardhur edhe bregdetin si rrallë ndonjëherë. Saranda, Dhërmiu dhe Palasa u zgjuan të premten me flokë bore të cilët mbuluan plazhin, duke surprizuar jo pak banorët vendas por edhe turistët. Parku Kombëtar i Llogarasë gjithashtu ofron një panoramë fantastike. Fshati Nivicë në Vlorë përgjatë dy ditëve është mbuluar nga petku i bardhë.

Dardha, Voskopoja dhe vetë qyteti i Korçës janë përrallë më vete, ndërsa janë të shumtë turistët që kanë përjetuar bukurinë dimërore duke e bërë të vështirë largimin prej tyre. Reshje bore ka pasur edhe në Gjirokastër. Qyteti i gurtë shkëlqen edhe më shumë në këto ditë të ftohta dimri me borën prezente mbi të. Reshjet e borës kanë zbardhur mbi 80% të territorit, ndërsa vetëm Tirana, Elbasani, Fieri dhe Durrësi janë qytetet ku ende nuk kanë rënë flokët e parë. Në aksin rrugor Vlorë- Llogara kalohet vetëm me zinxhirë, pasi janë hasur probleme me ngricat e krijuara. Ndërkohë, situata paraqitet e vështirë edhe në dy akset si Kotë-Sevaster dhe Kotë-Vranisht-Kuç. Shtabi i emergjencës ka konfirmuar se në këto akse problematike do të kalohet në 48 orët e ardhshme vetëm me automjete të pajisura me zinxhirë.

Njoftimi i plotë nga ARRSH për gjendjen e rrjetit rrugor dhe kushteve të qarkullimit të automjeteve

Në Rajonin Verior Shkoder: Nuk ka pasur reshje gjate natës, temperaturat shumë të ulëta, të cilat kanë shkaktuar prezencën e akullit në rrugë. Kontraktorët e mirëmbajtjes kanë punuar gjatë gjithë ditës dhe janë ende duke punuar për pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës.

Në akset rrugore Pukë-Fushë Arrëz , Kuben-Vasie, Burrel-Peshkopi, Skuraj-Burrel, është bërë pastrimi dhe shpërndarja e kripës dhe qarkullimi është pa probleme. Pa probleme qarkullohet edhe në aksin Shkodër-Hani i Hotit-Tamarë. Lëvizja e mjeteve duhet të kryhet me zinxhirë në pjesën fundore të aksit Ura e Cerenecit-Steblevë. Drejtuesit e mjeteve të vendosin zinxhir në orët e para të mëngjesit në akset Qafë Bualli – Krastë, Kukës-Ura e Zapodit, dhe Kukës-Bushtricë, për shkak të prezencës së ngricave në rrugë.

Në Rajonin Qendror Tirane: Në akset e Dajtit, sidomos në pjesët fundore të tyre, është punuar për shpërndarjen e kripës dhe pastrim e rrugës nga dëbora. Në të gjitha akset kalohet pa zinxhir. Në aksin Librazhd-Steblevë, në segmentin Lunik-Stebleve qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhirë. Në aksin Elbasan-Gjinar nuk ka probleme për qarkullimin. Në aksin Librazhd-Përrenjas-Qafë Thanë është punuar për pastrimin dhe qarkullimi kryhet pa zinxhir.

Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Gjetë natës nuk ka pasur reshje dëbore, por temperaturat vazhdojnë të jenë shumë të ulëta. Është punuar në orët e para të mëngjesit për shpërndarjen e kripës dhe pastrimin e kaseve. Aksi kryesor Qafë-Thanë-Pogradec-Korçë-Bilisht-Kapshticë qarkullohet pa zinxhir. Korçë-Voskopojë qarkullohet pa zinxhir. Qarkullimi kryhet me zinxhir në Boboshticë-Dardhë, Qafë Qarri-Ersekë, Liqenas-Doganë Goricë. Kontraktorët e mirëmbajtjes kanë punuar gjatë gjithë ditës dhe janë ende duke punuar për pastrimin e këtyre akseve dhe trajtimin e tyre me kripë. Me zinxhir qarkullohet në pjesën fundore të segmentit Erind-Cajup, si dhe në segmentin Sevaster-Kalivac.

Në segmentin Ura e Leklit-Përmet është punuar për shpërndarjen e kripës në vendet ku ka ngrica. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me kujdes dhe të përdoren gomat e dimrit. Është punuar për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës edhe në aksin Tepelenë-Dorez-Peshkopi. Qarkullimi kryhet me kujdes. Rekomandohen përdoruesit e rrugës të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. Të vendosin zinxhir në akset që përmendëm më sipër, të respektojnë udhëzimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar, të përdorin gomat e dimrit.

Tepelenë

Trashësia e borës në Tepelenë arrin në 30 centimetër, ndërsa në Kurvelesh raportohet se  rruga është e kalueshme vetëm me zinxhirë. Moti i keq gjithashtu është prezent edhe në Memaliaj, ndërkohë është zhbllokuar rruga në njësinë Buzë, e cila ishte e bllokuar pas reshjeve të borës. Në Frashër të Përmetit gjendja është përmirësuar dhe makinat lëvizin vetëm me zinxhirë. Në Zagorie të Libohovës situata paraqitet më pak problematike dhe kalimet e mjeteve kryhen duke përdorur zinxhirët. Ndërkaq po në Gjirokastër nga reshjet e dëborës është bllokuar aksi Taroninë- Fushë-Bardhë si dhe segmenti Rehovë-Golem.

Gjirokastër 

Në Gjirokastër ka rënë dëbora e parë për këtë vit. Jo vetëm në fshatra por edhe në qytet ka rënë dëborë por nuk raportohet për probleme. Institucionet janë në gatishmëri në rast emergjence në zonat malore.

Sarandë

Mëngjesin e së premtes temperaturat shënuan -2 gradë celcius në qytetin bregdetar të Sarandës, duke sjellë edhe reshjet e para të dëborës. Në Sarandë për herë të fundit ka rënë dëborë në janar të vitit 2017. Sipas IGJEUM reshjet do jenë në formë dëbore deri në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit.

Qafë-Thanë

Në Qafë Thanë-Kapshticë ka pasur reshje të dobëta por është bërë pastrimi dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Në segmenti fundor prej 20 km të aksit Ura e Cerenecit-Stebleve rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të ngricave në rrugë. Po kështu edhe në segmentin Lunik-Stebleve. Në Qafën e Llogarasë dhe në Qafën e Muzinës, nuk ka pasur reshje për pasojë qarkullimi kryhet pa probleme.

Tragetet

Moti i keq nuk ka përfshirë vetëm Shqipërinë por edhe vendet fqinje. Si pasojë e kushteve të këqija atmosferike, tragetet që janë nisur nga Bari për në Durrës pritet që të mbërrijnë me vonesë. Në det të hapur forca ka arritur deri në 10 ballë.