Situata e motit sot në Shqipëri dhe çfarë pritet

Shqipëria është nën minus gradë. Reshjet e borës dhe ulja e temperaturave ka bërë që në disa prej akseve rrugore të ketë probleme sa i takon qarkullimit të automjeteve. Autoriteti Rrugor ka bërë të ditur akset rrugore në të cilat duhen përdorur zinxhirët për të lëvizur. ARRSH sqaron se në Dardhë, Voskopojë, Bigell Gorricë dhe në Qafën e Qarrit, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të prezencës së ngricave në rrugë, pasi temperaturat janë shumë të ulëta.

Në Qafë Thanë-Kapshticë ka pasur reshje të dobëta por është bërë pastrimi dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Në segmenti fundor prej 20 km te aksit Ura e Cerenecit-Stebleve rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të ngricave në rrugë. Po kështu edhe në segmentin Lunik-Stebleve. Në Qafën e Llogarasë dhe në Qafën e Muzinës, nuk ka pasur reshje për pasojë qarkullimi kryhet pa probleme.

Situata në zona të caktuara të vendit paraqitet problematike nga reshjet e dëborës që kanë rënë gjatë natës. Në Kukës të gjitha rrugët janë të kalueshme me përjashtim të aksit rrugor që lidh Njësinë Administrative Arrën me rrugën nacionale dhe fshatin Turaj me Njësinë Administrative Topojan. Në bashkitë Tropojë dhe Has furnizimi me energji elektrike është normal me përjashtim të fshatit Pistë Njësia Administrative Malzi Bashkia Kukës dhe fshatrat Kishaj e Pogaj të Nj.Ad.Gjinaj bashkia Has.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, reshjet pritet që të zbresin deri në 600 m mbi nivelin e detit. IGJEUM parashikon që ”Reshjet do të jenë në formë dëbore deri në 600 m mbi nivelin e detit (në zona shumë të kufizuara mund të zbresin dhe poshtë këtij niveli, përfshirë edhe bregdetin e Jonit, por kryesisht dëborë e përzier me shi)”.

Situata në zona të caktuara të vendit paraqitet problematike nga reshjet e borës që kanë rënë. Disa zona rurale të thella në Bulqizë dhe në Dibër janë të izoluara nga bora. Në Dibër janë të bllokuara nga bora nëntë fshatra në njësinë Lurë, gjithashtu edhe disa në Kalanë e Dodës, Zall Dardhë, Grykë Nokë, ndërsa në Bulqizë është e bllokuar Terrova. Trashësia e dëborës në këto zona e ka bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.

Rruga Kukës-Peshkopi kalohet me vështirësi, ndërsa rruga Peshkopi-Tiranë kalohet pa probleme. Në qarkun e Korçës akset nacionale janë të kalueshme pa zinxhirë, por në zonat turistike malore dëbora ka arritur nga 15-40 cm dhe lëvizja mund të bëhet vetëm me zinxhirë. Ndërkohë që edhe në qytet ka probleme me ngricat në rrugë. Sot temperatura në Korçë ka arritur në -5 gradë, ndërsa e shtuna pritet që të jetë dita më e ftohtë.

Borë në Gjirokastër 

Në Gjirokastër ka rënë dëbora e parë për këtë vit. Jo vetëm në fshatra, por edhe në qytet ka rënë dëborë, por nuk raportohet për probleme. Institucionet janë në gatishmëri në rast emergjence në zonat malore.

Borë në Sarandë dhe Delvinë

Mëngjesin e sotëm temperaturat shënuan -2 gradë celcius në qytetin bregdetar të Sarandës, duke sjellë edhe reshjet e para të dëborës. Në Sarandë për herë të fundit ka rënë dëborë në janar të vitit 2017. Sipas IGJEUM reshjet do jenë në formë dëbore deri në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit.

Tragetet nga Bari në Durrës nisen me vonesë

Moti i keq nuk ka përfshirë vetëm Shqipërinë, por edhe vendet fqinje. Si pasojë e kushteve të këqija atmosferike, tragetet që janë nisur nga Bari për në Durrës pritet që të mbërrijnë me vonesë. Njëri pritet të mbërrijë rreth orës 10:30, ndërsa tjetri është nisur vetëm në mëngjes në drejtim të Durrësit dhe pritet të mbërrijë pas orës 14.00. Në det të hapur forca ka arritur deri në 10 ballë.

Ngricat, akset ku rekomandohet përdorimi i zinxhirëve

Dhërmiu mbulohet nga bora (FOTO)