Vetting-u për të gjithë, por jo për politikën

73 vota kundër të mazhorancës, rrëzuan Vetting-un në politikë, një propozim surprizë i opozitës për ndryshime në Kushtetutë, dhe që në thelb kishin plotësimibn e ligjit të dekriminalizimit, ketë herë duke kërkuar një kontroll të imtësishëm të politikanëve për pasurinë dhe integritetin moral. Fati i kësaj nisme u përcaktua që në krye të herës, kur demokratët hodhën propozimin. Socialistët, ishin të vendosur për të mos e pranuar, duke e cilësuar farsë politike, ndërsa besojnë se kontrollin e të zgjedhurve më mirë se çdo institucion tjetër do ta bëjë drejtësia e re.

Por sipas opozitës është fatkeqësi që Partia Socialiste është në pushtet,e këtë argument ata e mbështesin me fakte të pretendura se shume zyrtarë të lartë kanë rezultuar me precedent penal. Në këtë Parlament, tha Enkelejd Alibeaj, më shumë se 19 deputetë nuk kishin diploma, por denime penale, për krime nga me të ndryshme ndërsa sistemin e drejtësisë e cilëson të rënë.

Opozita thotë, se nuk ka kërkuar as më shumë e as më pak se sa kontroll të politikanëve ashtu sikurse po kryehet për gjyqtarët, prokurorët apo policët. Për të arritur tek rrëzimi i propozimit për vetting në politikë, socialistët u kujdesën të merrnin dhe opinionin e komisionit të Venecias. Ata nuk morën parasysh presionin e opozitës e cila kërkonte më me ngulm që nisma të miratohej me urgjencë, e më pas të niste një proces i thellë kontrolli për politikanët, kryesisht për pasurinë dhe lidhjet me botën e krimit.

Kryetari i opozitës ishte kundër dërgimit të vettingut për opinion në Venecia. Edhe pse ishte i vetëdijshëm se nisma do rrëzohej, sërish në artikulim politik ai tha se mazhoranca kërkon ta zvarrisë. Presioni i opozitës arriti deri në atë pikë sa Lulzim Basha, vettingun në politikë e cilësoi si vijën e kuqe që përcakton sjelljen e opozitës me institucionet në vend.

Bashkangjitur me këtë mesazh të prerë, kryetari i opozitës Lulzim Basha, e akuzoi në atë kohë kryeministrin Edi Rama, se nuk e do shkëputjen e lidhjeve të politikës me krimin, pasi sipas tij është mekanizmi kryesor që e mban në pushtet. Pas këtij momenti Partia Demokratike ende nuk e ka berë të qartë vendimin e saj politik, përveç fatit se është e prerë në akuzat e saj, se kryeministri dhe mazhoranca e tij janë të lidhur dhe i shërbejnë oligarkëve dhe krimit të organizuar.

Përtej qëndrimit të politikës për të kaluar vetëveten në një sitë të imët për integritetin moral dhe pasuror, opinionbërësit dhe politologët janë pro nevojës së vlerësimit të politikës, por ndahen mbi instrumentat që duhet të përdoren. Gazetari, Aleksandër Çipa, thotë se lidhjet e politikës me krimin tashmë janë evidente dhe problem real, por sipas tij vettingu si një nismë që ndërmerret nga vetë politika është e paragjykuar.

Ndërsa politologu, Afrim Krasniqi, thotë se opozita nuk gjeti mekanizmin e duhur për të bërë vettingun në politikë. Sipas tij është e pamundur që gjyqtarët dhe prokurorët të kontrollohen për gjithçka bëjnë në jetën e tyre dhe kryeministri, ministrat apo deputetët të përjashtohen. Aleksandër Çipa dhe Afrim Krasniqi, mendojnë se refuzimi i nismës kushtetuese për vettingun në politikë, nuk është fundi i betejës së demokratëve.

Sipas tyre në rast të vullnetit politik, instrumenta që bejnë të mundur një proces të tillë mund të parashikohen fare qartë në ligjin zgjedhor, por dhe në ligje të tjera, të cilat bëjnë të mundur sëpari demokratizimin e partive politike. Afrim Krasniqi thotë se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të miratohen disa klauzola për zgjedhjet vendore, të cilat mund të aplikohen edhe në zgjedhjet e përgjithshme, për të bërë të mundur vettingun e politikanëve.

Sesioni parlamentar u mbyll me thirrjen e fortë të kryetarit të Partisë Demorkatike Lulzim Basha, se refuzimi i vettingut në politikë do të thotë jo normalitet institucional. Ai paralajmëroi se me ketë qeveri nuk mund të këtë asnjë reformë, ndërsa renditi arsyet pse mazhoranca shmang dhe bllokon kontrollin e saj. Përtej debatit politik dhe retorikës së akuzave, duket se vettingu në politikë ka acaruar më tej marrëdhënien mes opozitës dhe mazhorancës, duke paralajmëruar një sesion të ri të nxehtë paralamentar, kjo dhe për faktin se viti 2019, është vit zgjedhor.

Me deklaratat e tij të ashpra se kjo qeveri nuk e ka legjitimitetin për të kryer asnjë reformë, duket se Lulzim Basha po paralajmëron vendime të forta opozitare dhe mundësinë e krijimit të një krize institucionale.