Sondazhi një mujor në “Koha Jone” për Njeriun e Vitit 2018. Politikë, biznes, televizion dhe gazetari

Redaksia online www.kohajone.com pas një votimi prej 29 ditësh shpall fituesit e Njeriut të Vitit 2018 në Politikë, Biznes, Televizion dhe Gazetari i Vitit. 

Erion Veliaj, Politikani i Vitit 2018

Në foto: Erion Veliaj

Është fakt se sot Tirana ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm, po ta krahasojmë me Tiranën e 2015, kur Erion Veliaj erdhi në krye të punëve të kryeqytetit. Ndryshim i cili ka rënë në syrin dhe veshin e shumicës së gazetave e revistave më të njohura të Europës, që nuk i kanë kursyer rreshtat për transformimin e përditshëm të kryeqytetit shqiptar.

Që në ditën e parë si kryebashkiak, Veliaj u zotua për t’i dhënë kryeqytetit një frymë të re, më moderne, për ta kthyer në një qytet të jetueshëm për njerëzit.

Një nga vendimmarrjet e para të tij ishte pikërisht reformimi i shërbimit të pastrimit publik dhe aksionet për vendosjen e kontrollit në hapësirat urbane, të cilat ishin zaptuar padrejtësisht. Aksion i cili tregoi për vendosmërinë e tij për t’i ndryshuar fytyrën Tiranës, duke nisur me mbajtjen pastër të saj.

Sot nuk ka asnjë dyshim se Tirana ka një infrastrukturë shumë herë më të mirë se katër vite më parë. Sheshi “Skëndebej, Pazari i Ri, Bulevardi i Ri janë dëshmia më e qartë e këtij transformimi dhe se dora ndryshuese e Veliajt ndihet kudo. Krahas rehabilitimit të rrugëve, të cilat kishin vite që nuk kishin njohur ndërhyrje, për herë të parë Bashkia e Tiranës nisi projektin për korsitë e dedikuara për biçikletat.

Një numër i konsiderueshëm blloqesh banimi kanë pësuar një transformim të pabesueshëm edhe për më kritikët, ndryshim që ka prekur thuajse cdo lagje të Tiranës. Filozofia e ndërtimit të qytetit u fokusua tek fëmijët, të cilët janë tashmë dhe avokatët më të mirë të çdo projekti të ri ambicioz të Bashkisë së Tiranës.

Nuk mund të lëmë pa përmendur rikonstruksionin e çerdheve, kopshteve në të gjithë kryeqytetin, ndërkohë që ka nisur puna për ndërtimin e shkollave të reja, të cilat do t’i japin fund një prej problemeve më të mëdha që nga vitet ’90: mësimit me dy turne. Veliaj i ka shpallur luftë mësimit me dy turne në shkollat e Tiranës dhe zgjidhja po vjen me ndërtimin e 17 shkollave të reja në 2019.

Por, pavarësisht skepticizmit në fillim nga shumë persona, Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Veliajt ia doli që të ndërtojë kënde lojërash në çdo lagje në kryeqytet, mbi 37, ku më i madhi është ai në Parkun e Madh të Liqenit Artificial. Një vëmendje të madhe i është kushtuar mjedisit dhe rritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës. Me Planin e ri të Përgjithshëm Vendor të Stefano Boerit, Tirana ka nisur punën për Pyllin Orbital, një kurorë e gjelbër me 2 milionë pemë që do të rrethojë deri në 2030-n kryeqytetin. Vetëm në sezonin e fundit ky numër shkoi mbi 150 mijë, një pjesë e konsiderueshme kontribut i qytetarëve dhe i kompanive të ndryshme që i janë bashkuar Bashkisë së Tiranës në këtë nismë. Vetë Veliaj ka marrë lopatën në dorë dhe e shohim në çdo cep të Tiranës duke mbjellë pemë. “Ditët pa makina”, aksionet vullnetare të pastrimit, si dhe kthimi i një sërë rrugësh në pedonale, kanë dhënë një impakt pozitiv në uljen e ndotjes së ajrit. Vendimi më i rëndësishëm ishte edhe eliminimi i qeseve plastike.

Transporti publik, po ashtu, nën kujdesin e Veliajt, i është nënshtruar një reformimi të thellë: është shtuar numri i linjave brenda qytetit dhe flota e autobusëve, çka ka rritur numrin e qytetarëve që zgjedhin transportin publik. Për të promovuar transportin e gjelbër, kryebashkiaku i hapi dritën e gjelbër ardhjes së 4 mijë biçikletave “Mobike”, projekt që realizohet në disa nga kryeqytetet më të zhvilluara, ndërkohë që kushdo që do të pajiset me taksi elektrike, paguan zero lekë taksa. Shumë shpejt edhe flota e autobusëve të transportit publik do të shndërrohet me autobusë elektrikë duke sjellë zero ndotje për mjedisin.

Një vëmendje të veçantë Veliaj i ka kushtuar edhe kujdesit social. Riktheu çekun e bebes, si një mirëseardhje për banorët më të rinj të qytetit, që ishte ndërprerë nga administrata e mëparshme, ndërsa brenda mandatit shpërndau mbi 2000 kredi të buta për familjet në nevojë dhe çiftet e reja. Nëse deri katër vite më parë në kryeqytet nuk kishte asnjë qendër sociale, aktualisht në të gjithë kryeqytetin janë ngritur shtatë të tilla që ofrojnë jo vetëm një vakt të ngrohtë, por edhe kujdes të specializuar. 

Në foto: Erion Veliaj me familjen

Kadri Morinaj, Biznesmeni i Vitit 2018

Në foto: Kadri Morinaj

U lind në Natën e Kadrit, shoqëruar me krismën e pushkës, sipas zakonit. Prej kësaj nate të mirë mori dhe emrin, që duket se do t’i sillte fat gjatë gjithë jetës. Bëhet fjalë për njeriun me natyrë ambicioze, Kadri Morinaj, i arsimuar në administrim biznesi i cili nisi rrugën e sipërmarrjes në vitin 1990, me kompaninë “Euro-Alba”. Më pas, emri i tij u lidh me posedimin e njërit prej ambienteve më të njohura në Tiranë, Bar – Restorant Piazza. Nga viti 2000-2004, aktiviteti i tij u shtri në fushën bankare, si aksioner në disa banka prestigjioze në Shqipëri, ndërsa, më pas, u bë një nga aksionerët e kompanisë telefonike T-Mobile. Në vitin 2004, Kadri Morinaj e zgjeroi aktivitetin e tij në një fushë të re, pasi ambicia e tij ishte dhe për industrinë e sigurimeve. Ia arriti qëllimit, duke blerë kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”. Në vitin 2006, shoqëria “Dukagjini” e shndërroi emrin në EUROSIG, një kompani me kapital tërësisht shqiptar. Shumë shpejt EUROSIG zuri një vend nderi në tregun shqiptar të sigurimeve, duke u shtrirë në të gjithë territorin e vendit me 22 degë dhe më shumë se 230 agjenci e pika përfaqësimi. Sot ofron paketa të plota shërbimesh dhe aktivitetesh, duke u renditur në kompanitë më prestigjoze. Ambiciet e Kadri Morinaj nuk mund të ndaleshin me kaq. Kompania me trendin më të lartë të rritjes në Shqipëri nuk mund të rrinte vetëm brenda kufirit administrativ të Shqipërisë, por duhej shtrirë edhe më gjerë në rajon, ku ka shqiptarë, por edhe më tej. Me iniciativën e tij gjatë vitit 2015, Eurosig shtriu investimet edhe në Kosovë, për të zënë vendin e parë në tregun e sigurimeve. Ndërkohë, për të katërtin vit rresht, EUROSIG është klasifikuar si kompania me trendin më të lartë të rritjes në tregun e sigurimeve dhe me ritmet më të larta të pagesave të dëmeve. Viti 2016 ishte sërish i suksesshëm në sipërmarrjet dhe iniciativat ambicioze të presidentit Kadri Morinaj.Ndërsa rritet çdo ditë në bizneset e tij, ku sot janë të punësuar mbi 3000 punonjës në të gjithë rajonin ku të punësuar janë edhe njerëz me aftësi të kufizuara, në maj të vitit 2016, Kadri Morinaj realizoi një tjetër ambicie të tij, duke e kurorëzuar me blerjen e 100% të aksioneve të kompanisë shtetërore të sigurimeve INSIG, shoqëria e parë e sigurimeve në Shqipëri. Sfida e radhës për Kadri Morinën është zgjerimi në tregun Europian. Kjo, sepse besueshmëria dhe siguria janë gurët e themelit të filozofisë së EUROSIG. Puna, përkushtimi dhe ambicia janë sekreti i suksesit të Kadri Morines, i cili nuk e kishte menduar ndonjëherë se, nga një person që punonte për sigurinë e ish-kryeministrit komunist Mehmet Shehu, do të arrinte të blinte vilën e tij, disa dekada më vonë. Profesionalja dhe njerëzorja duket se janë sekreti i suksesit të bizneseve të sipërmarrësit Kadri Morinaj.

Përkrahësi më i fortë në bizneset dhe sipërmarrjet e Kadri Morinaj, është familja e tij. Ai është babai i 4 fëmijëve dhe në vitin 2007, regjisori shqiptar me famë botërore Sten Dragoti u bë kumbar i djalit më të vogël të familjes, Klarkut. Emri i këtij të fundit nuk është i rastësishëm, i gjetur mes listave me emra, siç mund të bëjë çdo prind për fëmijën e tij. Djali i vogël i familjes Morinaj është quajtur Klark, për nder të Gjeneralit Amerikan Wesley Clark, komandant suprem i forcave të NATO-s në Evropë, gjatë bombardimeve të aleancës kundër ushtrisë serbe në pranverën e vitit 1999, në Kosovë. Por të qenit një biznesmen i suksesshëm nuk e ka bërë Kadri Morinën të humbasë lidhjet me realitetin dhe njerëzit e thjeshtë. Përkundrazi, si besimtar i denjë dhe njeri me shpirt të madh ai shënon sot një sërë veprash bamirësie dhe filantropie.

Ajo çfarë ka qenë më pikantja e që ka përlotur çdokënd që e ka parë e dëgjuar është sponsorizimi i transplantit të mëlçisë së një fëmije 3-vjeçar, i cili, megjithë ndihmën e Morinaj, fatkeqësisht s’mundi të jetojë.

Ndër mbështetjet e tij për artin dhe kulturën janë edhe mbi 500 libra të sponsorizuara për botim të shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, të rinj e të vjetër, mes të cilëve edhe romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, të shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli.

Për të vazhduar më pas me mbështetje financiare për restaurimin e Xhamisë së Ethem Beut, në Tiranë, rehabilitimin e afreskeve të saj, si dhe rikonstruksionin e shumë objekteve tjera të kultit, si kisha, xhami e teqe në mbarë vendin. Por, Kadri Morinaj, një mysliman i devotshëm, është personi që sponsorizoi drekën, në Restorant Piazza, të Papa Françeskut, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, si shembull i një bashkëjetese të qartë fetare. Duke qenë gjithmonë i gjendur për mbështetjen e artit e kulturës dhe financues i qindra aktiviteteve kulturore, Kadri Morinaj u ka shtrirë dorën e ndihmës edhe njerëzve në nevojë, ka financuar dhe financon shumë shoqata si “Shoqata e Jetimëve”, shoqata e fëmijëve që vuajnë nga autizmi, “Fëmijët Shqiptarë“, sponsor gjeneral i Festivalit të Filmit në Durrës, për 3 vjet radhazi nga 2008-ta, por pa lënë pas dore as plagën që e vuan ende sot Shqipëria, gjakmarrjen, duke financuar e ndihmuar Shoqatat e Pajtimit të Gjaqeve në misionin e tyre.

Në 27 vjet të karrierës dhe sukseseve të tij në biznes, në fokus të ndihmave kanë qenë shoqatat. Veç të përmendurave më lart, Kadri Morinaj ka ndihmuar vazhdimisht:

  • Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, Tiranë.
  • Shtëpinë e të Moshuarve, në Kamëz, Tiranë.
  • Shoqatën e Fëmijëve Jetimë dhe Fëmijëve të Ngujuar, Shkodër.
  • Fëmijët në nevojë të bashkive Përmet dhe Tepelenë.
  • Shoqatën Kombëtare të të Verbërve.
  • Ndihmë për Rrjetin e Fshatrave të Fëmijëve SOS.
  • Sponsorizim i bursave të studentëve, në Ohër të Maqedonisë.
  • Sponsorizim i bursave të studentëve të ekselencës të Fakultetit të Ekonomisë, pranë UT.
  • Sponsorizimin e realizimit të disa filmave me tematikë të jetës sociale, të 25 viteve të fundit.
  • Sponsorizime për Shoqatën e të Persekutuarve Politikë në Shqipëri.
  • Sponsorizimin e disa albumeve fotografike shqiptare për promovimin e turizmit në Shqipëri.
  • Mbështetje financiare për këngëtarët e talentuar, në Festivalin e 54-t në RTSH.
  • Mbështetje financiare për Federatën Shqiptare të Volejbollit, në Shqipëri.
  • Mbështetje financiare për shkollën 9-vjeçare të Sopotit, në Bulqizë.

Si një njeri që kontribuon çdo ditë në përhapjen e vlerave shqiptare në të gjithë botën, Kadri Morinaj ka ideuar dhe mundësuar realizimin e një shtatoreje për Nënë Terezën, e cila, prej gushtit të vitit 2016, qëndron në Rio de Janerio, përballe statujës së famshme të Krishtit ne Katedralen Metropolitane. Njëkohësisht, Kadri Morinaj ka mundësuar edhe realizimin dhe vendosjen e bustit të Ismail Qemalit, në hotelin “Continental”, në Bukuresht, aty nga ku nisi edhe historia e pavarësisë së Shqipërisë.

Ndërkohë, qindra persona, shkrimtarë, poetë, të njohur e amatorë, përfaqësues shoqatash e organizatash nga më të ndryshmet, por edhe institucione shtetërore, të cilave iu mungon buxheti, trokasin në zyrën e Kadri Morinaj për mbështetje financiare dhe realizimin e qëllimit të tyre: ndihma për të varfrit, aktivitete për fëmijët, mbështetje për njerëzit në nevojë, apo edhe botime të ndryshme. E, siç bën zakonisht Kadri Morinaj, asnjë nuk del nga aty me duart bosh.

Në foto: Kadri Morinaj

Por, për gjithë të mirat dhe ndihmat, për sukseset e tij, për mbështetjen ndaj të tjerëve, Kadri Morinaj është vlerësuar maksimalisht nga shumëkush. Vlerësimi kryesor është suksesi i tij që arrin thuajse çdo ditë në biznes, por, ai i paçmuari, është nderimi që i është bërë dhe i bëhet nga individë, shoqata, organizata dhe institucione nga më të njohurat në vend dhe botë. Si një njeri i suksesshëm i biznesit, Kadri Morinaj e ka nisur serinë e çmimeve dhe vlerësimeve të mëdha që në vitin 2003, kohë kjo, kur në SHBA, Samiti Botëror “International Awards News York 2003”, i dha çmimin “Excelence and Business Prestige”.

Duke qenë një nga kontribuesit më të mëdhenj në vend për artin, Kadri Morinaj është nderuar më Certifikatë Mirënjohjeje nga Shoqata e Piktorëve të Shqipërisë, për kontributin e dhënë ndaj tyre. Ndërsa Shoqata Ndërkombëtare “Bytyçi” i ka dhënë Morinaj, çmimin gjeneral “Plisi i bardhë, emblema hyjnore e shqiptarisë”. Me çmimin “Për sipërmarrje të suksesshme” e ka nderuar Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, të cilës i shtohet edhe certifikata e mirënjohjes e shoqatës “Helles”, “Për bashkëpunim në eventet artistiko-sociale”. Kompania Klik Expo Group e nderoi më 27 nëntor 2016 me Medaljen “Shqiponja e Artë”, për kontributin e tij në fushën e biznesit në Shqipëri. Filantropi shqiptar Kadri Morinaj u dekorua me medaljen e 319 nga 4000 të tilla, që jepen për figura të shquara dhe njerëz me kontribute të veçanta, nga Papa Françesku, vlerësim ky i bërë në shtator të vitit 2014.

Për kontributet e tij, Kadri Morinaj është dekoruar edhe nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, “Per kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të qytetit të Durrësit, në punësimin e shumë qytetarëve si dhe për mbështetjen e aktiviteteve në promovimin e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti”. Kadri Morinaj është Qytetar Nderi në disa nga qytetet e Shqipërisë dhe qytete ku jetojnë shqiptarët në diasporë. Në 3 dhjetor 2016, me nr Prot.,807/16, Vatikani i akordoi Kadri Morinaj çmimin ndërkombëtar, “Akademik Nderi për vitin 2016”. Çmimi iu dorëzua në Romë nga Presidenti i Akademisë Bonifaciana Papale, Kavalier, Doktor Sante De Angelis, përkrah shumë personaliteteve të tjera botërore, duke e bërë kështu Morinaj, të parin shqiptar që merr këtë titull nga Ati i Shenjtë.

Morinaj u shqua si mbështetës në promovimin e vlerave kombëtare, në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, organizuar në Shtutgart, më 13 – 15 janar 2017.

Në 19 dhjetor 2017 Kadri Morinaj merr pjesë në Samitin Ndërkombëtar të liderëve i organizuar në Oxford –UK ku merr çertifikatën e Anëtarit me të drejta të plota i Klubit Ndërkombëtar të Liderëve,nga Asambleja Europiane e Biznesit.

E për të vënë qershinë mbi tortë, në vigjilje të ndërrimit të viteve, presidenti i kompanive EUROSIG dhe INSIG mori çmimin “Kalorësi i Lartë i Ehlibetit”, akorduar nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve.

Është i suksesshëm, bamirës, njeri me ambicie dhe zemër të madhe.

Është thjesht Kadri MORINAJ! 

Alketa Vejsiu, Moderatorja më e suksesshme televizive e vitit 2018

Në foto: Alketa Vejsiu

Një nga producentet dhe prezantueset televizive më të dashura të ekranit shqiptar. Gjithmonë në prime time, me emisione të rëndësishme me një audiencë të lartë, Alketa Vejsiu ia ka dalë të sjellë në Tv Klan spektakle që kanë qenë shumë suksesshme. “Në kurthin e Piter Pan 1” ishte risi jo vetëm sepse fitoi audiencën maksimale, por edhe sepse bëri për vete fëmijë e të rritur.
Meqenëse sezoni i parë i këtij programi i kaloi pritshmëritë e produksionit, Grabocka dhe Vejsiu kanë ndezur motorët për “Në Kurthin e Piter Pan2”!

Alketa Vejsiu ka mbyllur me sukses edhe Dance With Me 5, një spektakël në vëmendjen e të cilit vendosen personazhe të njohur shqiptarë që sfidohen në kërcim me njëri-tjetrin. Alketa Vejsiu ka intervistuar shumë personazhe të njohur, me peshë, por prezantuesja e njohur italiane Paola Perego do të ishte një surprizë në finalen e edicionit të pestë të DWM 5. Pasi vlerësoi Alketën dhe televizionin Klan në një intervistë në emisionin ‘Maurizio Constanzo Show’ në “Canale 5”, prezantuesja e famshme italiane erdhi enkas për finalen e spektaklit të kërcimit. Në një bisedë të sinqertë përballë publikut shqiptar, foli për karrierën e gjatë në ekran, por edhe për jetën personale.
Hapi nuk ndalet. Në finalen e madhe të DWM, Vejsiu zbuloi se e presin projekte të tjera që do t’i bëjë publike shumë shpejt. “Ferma”, një nga produksonet më të suksesshme në vendet ku është transmetuar, pritet që të vijë në Tv Klan, nën firmën e Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut.
Por sinjalet lënë të kuptohet qe Alketa diçka po gatuan edhe në industrinë italiane të televizionit!
Duke qenë e lidhur ngushtë me ekranin dhe median në tërësi, Alketa Vejsiu është themeluese e revistës “Class”, një nga portalet më të lexuar në Shqipëri. Të shkruash për Alketën duhen disa numra gazete, ndaj po e mbyllim shkurt: Një diell televiziv.

Alketa Vejsiu, një femër klas në prezantim dhe në jetë, një moderatore që shkëlqen në botën e televizionit shqiptar dhe jo vetëm. Diçka po thur ajo edhe në shtetin fqinjë, Italinë!

Në foto: Alketa Vejsiu

Marin Mema, Gazetari i Vitit 2018

Në foto:Marin Mema

Ndërkohë që kishte trokitur mijëvjeçari i ri ndryshime të vrullshme shënuan në median shqiptare duke e transformuar atë njëherë e përgjithmonë. Dritan Hoxha, një njeri me vizion të qartë për atë që donte të bënte, krijoi TV Top Channel, duke mbledhur pranë vetes profesionistë të konfirmuar dhe talente që premtonin. Mes të rinjve ishte edhe gazetari Marin Mema, në atë kohë një student i ri gazetarie.

17 vite kanë kaluar që atëherë dhe karriera gazetareske e Marinit eci dhe u rrit paralelisht me “Top Channel”. Në CV e tij nuk vihen re kalime nga njëra media në tjetrën dhe mesa duket ka zgjedhur të jetë besnik i përhershëm i televizionit që i dha mundësinë e parë. Një TV nga i cili ka marrë shumë, por edhe ka dhënë përkushtimin e tij në krijimin e qindra dokumentarëve dhe reportazheve, duke fituar vlerësimin e publikut që sot vendosi ta shpallë Personazhin e Vitit.

Një fond prej 500 reportazhesh dhe dokumentarësh në arkivën e Top Channel mbajnë sot firmën e Marin Memës. Janë realizime në kërkim të gjurmëve shqiptare, për të mbajtur gjallë e me krenari identitetin kombëtar, jehona e të cilave shpesh është bërë shkak që emri dhe fotoja e Marinit të jenë kryeartikuj të gazetave kryesore, të atyre vendeve që janë ndjerë “të sfiduar” prej punës së tij. Ndërkohë, mjaft të vërteta historike që nuk mund të mohohen kanë qenë jo pa kosto për Marinin, deri në pikën sa fqinjët grekë do ta shpallnin Non Grata në vitin 2012, si person që kërcënonte rendin dhe sigurinë kombëtare tw Greqisw!

Por përpos “të pakënaqurve”, Marin Mema gëzon me dhjetra çmime e tituj nderi:

– Reporteri më i mirë 2011- 2012, zgjedhur nga Akademia e Pavarur e Audiencës

– “Njeriu i vitit 2015”, shpallur nga Fondacioni “Harpa”

-Titulli i Mirënjohjes nga Organizata “Albanian Roots”, SHBA

– Titulli “Hasan Prishtina”, dorëzuar nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

– Gazetari më i mirë i vitit 2014, përzgjedhur nga Unioni i Gazetarëve Shqiptare

-Reportazhi mbi fshatin Malbardhë i ciklit “Shqipëria Tjetër” merr vendin e pestë mes 100 kandidaturave nga e gjithë bota për çmimin “Jacques Chirac”

-Çmimi “O sa mirë me qenë Shqiptar”, Shoqata e Tifozave “Kuq e Zi”

– Një nga 10 personalitet e vitit 2016/2017/2018 nga rezultati i sondazhit te publikut në Top Channel

– Titulli “Mirënjohja e Labërisë”, Vlorë

-Çmim i mirënjohjes nga “Shoqata e Prodhuesve Shqiptar” me motivacionin për promovimin e vazhdueshëm të vlerave autentike shqiptare dhe zbulimin e gjurmëve brenda dhe jashtë vendit

Së fundi lexuesit e gazetës së parë të pavarur dhe më të madhe në Shqipëri, “Koha Jonë” e kanë përzgjedhur si GAZETARI I VITIT 2018.

Në foto:Marin Mema