Tërmeti në Itali, banorët strehohen në palestra e shkolla

Frikë e panik gjatë natës në ishullin e Siçilisë në Itali. Në orën 3.19 minuta një tërmet në shkallë 4.8 ballë ka goditur territorin e provincës së Katanias duke shkaktuar shëmbjen e disa banesave e rreth 10 të plagosur.

Sipas ekspertëve termeti është shkaktuar nga rizgjimi i aktivitetit vullkanik të Etnas.

Sipas Institutit italian të Gjeofizikës e Vullkanologjisë, epiqëndra e tërmetit ka qënë 2 km larg komuës së Viagrande në afërsi të vullkanit Etna, e në thellësi 2 km nën tokë.

Gjatë natës së shkuar janë regjistruar mbi 10 lëkundje të tjera tërmeti më të lehta. Komunat më të goditura nga tërmetit janë Fleri, Santa Venerina e Zafferena Etna.

Lëkundja e parë e tërmetit të kësaj nate është regjistruar pas orës 1.09 e shkallës 3.3 i shoqëruar më pas me lëkundjen e fuqishme të orës 3.19 e shkallës 4.8.

Departamenti i Mbrojtjes Civile është aktivizuar menjëherë në mbrojtje të popullsisë e rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm Komitetit Operativ është mbledhur në Romë me një grup ekspertësh, të cilët janë nisur në Siçili në ndihmë të autoriteteve vendase.

Gjatë orëve të fundit është verifikuar një rizgjim i vullkanit Etna, i cili është nga vullkanët më të lartë e aktivë në Europë.

Rizgjimi i vullkanit ka nisur rreth orës 9 të 24 dhjetorit, e ekspertët e Insitutit italian të Sizmologjisë kanë regjistruar në 3 orë mbi 150 lëkundje sizmike në territorin pranë tij.

Lëkundja e fuqishme e regjistruar gjatë natës ka shkaktuar panik e frikë tek banorët e zonave të goditura të cilët kanë kaluar natën në rrugë.

Dëmet materiale janë të shumta, por për fat të plagosur deri më tani janë vetëm 10 e në gjëndje të lehtë.

Autoritetet vendore informojnë se aeroporti i Catanias qëndron i mbyllur e do të bëhet operativ pas orës 13 të ditë së sotme, gjithashtu vazhdon të jetë dhe austostrada Catania-Messina.

Kryetarët e bashkive të komunave siçiliane të goditura nga tërmeti kanë hapur palestra e shkolla për strehimin e banorëve të shtëpive të shkatërruara.

Grupe shpëtimi të mbrojtes ccivile po verifikojnë në territor dëmet e shkaktuara.