Jepjani mandatet studentëve të ndezin zjarret

Nga Ilir Levonja –

Pak minuta më parë lideri i forcës politike më të madhe në vend, PD, Lulzim Basha u tha gazetarëve se qeveria duhet të plotësoj menjëherë 8 pikat e studentëve. Plus atyre pallavrave të tjera u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen me studentët në protesta etj. Pasi qeveria me korrupsionin në tenderimet etj, në një vend europian duhej të ishte rrëzuar me kohë. Ajo që më tendos nervat është një fakt fare i thjeshtë, që studentët nuk kanë 8 pika në kërkesat e tyre, por 9. Kjo në lidhje me proçedimet penale që u tentuan nga qeveria pak ditë më parë karshi atyre si protestues. Pra janë 9 pika, jo 8…, sa një bateri e tëri mediash dhe institucionesh tentojnë papushim t’i minimizojnë. Dhe ajo që është më e habitshmja, i thotë me një stil komod pasi afërmendsh çimentoi pozitat pas farsës së radhës në kuvendin kombëtar që partia demokratike mbajti më dt 15 dhjetor të këtij viti. Dhe nga ky kuvend rezultoi ajo që, edhe PD u fut në brutalitetin tradicional të liderëve të lindjes, me postulatin mos i fol shoferit. Janë 9 kërkesat e studentëve, jo 8. Dhe kjo e 9-ta ka rëndësi të madhe pasi shmang kërcënimin dhe burgosjet në emër të ligjit. Mirëpo Lulzim Basha nuk e di. Nuk gjej fjalë si ta quaj, si ta thërras, sepse atmosfera politike e vendit është e tillë që, kaq aq dështime, ka aq shance të mëdha për tu shpalosur fuqia opozitare sa as 90, dimri atyre viteve nuk i kishte. Atëherë ankoheshim për një rrënim ekonomik dhe aq. Për një hapje me botën dhe aq. Kurse sot veç rrënimit ekonomik nga informaliteti, kulturës korruptive totale, degjenerimit të votës së lirë, që i bëjnë shqiptarët në shumicë dërrmuese të kërcasin dhëmbët…, shkurt një rënie kombëtare, janë pretekse vullkanike që do t’i ëndërronte çdo opozitar i vërtetë.
Çdo sfidant’ klasik i politikës transformuese për të bërë vendin të jetueshëm dhe merituar përmasat e liderit historik. Mirëpo ky, i radhës, me sa duket është një sallator sere dhe jo bio. Apo siç e themi ndonjëherë me gojën plot, dem i tredhur dhe jo dem rrace. E para në këtë situatë protestash, të mbash kuvende është një lloj oportunizni karrikesh dhe të ndenjurash, është të presësh radhën. E dyta të bësh gam gam para ca mikrofonëve me ca gazetarë të papaguar, pa siguracione etj., është farse ideollogjike që fatkeqësisht funksionon akoma në ballkanin perëndimor dhe sipër në lindje. Që Lulzim Basha po pret radhën, kjo është e padiskutueshme. Dhe kjo është e dëmshme për demokratët po e po, por mbi të gjitha për vendin dhe demokracinë.
Ka kaq ditë që në sallonet e opozitarizmit sillen erëra ku një konflikt gati i hapur me studentët do transformojë çështjen në politike. Me ato shpjegimet se janë kërkesa ekonomike, mos të përzihet politika, nuk ka vend për politikën, për partitë, PD a LSI etj. Duhet ta di çdo opozitar se çdo protestë sado ekonomike, sado për të tjera gjëra kësisoj shkaktohet nga dështimet politike. Kështu që nuk ka pse të ketë hezitime. Puna është se studentët, me që ata po protestojnë këtë radhë, duan besueshmëri dhe jo demagogji konferencash nga selite. Dhe besueshmëria fillon aktet e mëdha. Të tilla që nuk diskutojnë as mandatin. Për më tepër kur flitet për shitje e blerje votash nga droga dhe bosët e saj në rrethina. I duhet thënë sot çdo opozitari të vertëtë dilni në rrugë, kontribuoni për vendin dhe bëjeni publikisht djegjen e mandateve se ndryshe kurrë nuk keni për të qënë të dobishëm për vendin.
Bëjeni publikisht aty ku në ato zjarre të varfër ngrohin duart ata studentë race. Digjini faqe dheut tek zjarret e netëve të ftohta të studentëve. Digjini në sy të tyre, mjaft me caktime datash, mjaft me kuvende për portofolët tuaj. Me bojkote bajate. Deri sa e refuzon në gjithçka qeveriun, refuzoje qartësisht. Jepja mandatin studentëve të ndezin zjarrin, kaq. Jo me kuvend, me dy gishta kallkan përpjetë, me propogandë fjalësh pështymë. Eshtë demagogji. Eshtë rasti i përkryer i mjerimit më klasik, pasi forca më e madhe, forca opozitare po i ofron vendit një tjetër shushunjë për të ardhmen. Dhe ky e ka emrin dështim i suksesshëm. Dështim…