Ronaldo: I lumtur që shënova golin e 5000 dhe që po ndihmoj shokët

Cristiano Ronaldo dhe Juventus nuk dinë të ndalen në Seria A. Ylli portugez shënoi mbrëmë golin e 11-të në këtë sezon dhe të 5000-in në historinë e bardhezinjve. Pas ndeshjes ai është shprehur se është i lumtur që ndihmon shokët dhe ekipin

“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe golin e parë në derbi, pasi ishte një ndeshje tepër e vështirë. Fusha nuk na ndihmonte aspak, ishte skandaloze, topi kërcente shumë keq edhe për faj të të ftohtit dhe lojës së ashpër që u luajt. Gjithsesi, edhe një herë tjetër u treguam shumë të zotët, të duruar dhe e shfrytëzuam menjëherë rastin që na u dha për të ‘thyer’ ndeshjen.

Goli numër 5000 në historinë e Juves në Serinë A? Që kur vendosa të vija këtu e thashë dhe e kam konfirmuar edhe së fundmi: jam këtu për të ndihmuar skuadrën, për ta çuar Juventusin te fitoret dhe trofetë që kërkon, së bashku me ndihmën e shokëve të mi. Sigurisht që të realizosh një gol jubilar apo qoftë edhe vetëm golin që vendosi një sfidë kaq të ndjerë sa derbi, më lumturon, por unë preferoj që të fitoj me Juventusin kundrejt numrave të mi”, deklaroi portugezi.