Presidenti Meta në Skrapar: Ideali kombëtar i skraparllinjve ka qenë përherë forcë udhëheqëse

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot qytetin e Çorovodës ku u mikprit nga Kryetari i Bashkisë së Skraparit, z.Nesim Spahiu, autoritete vendore, veteranë si dhe shumë qytetarë.

Gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Riza Cerova”, Presidenti Meta, vlerësoi Mustafa Kajo Bakiasin – Kapinovën (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, si edhe dekoroi me Titullin “Naim Frashëri” Baba Meleq Staravecka (pas vdekjes).

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti Meta vuri në dukje se: “Skraparllinjtë kanë luftuar gjithmonë për liri, identitet dhe përparim shoqëror. Ideali i tyre kombëtar ka qenë përherë forcë udhëheqëse në betejat e pafundme për liri dhe pavarësi.

Skrapari ka qenë dhe është toka e burrave trima dhe e grave trimëresha, barrikadë e pakalueshme për çdo armik dhe bazë e palodhur e luftërave çlirimtare.

Skraparllinjtë e kanë ditur vlerën lirisë dhe i kanë vlerësuar përherë energjitë e pafundme që çliron liria dhe dinjiteti.

Nuk ka etapë dhe epope të luftës për pavarësi të Shqipërisë që bijtë e Skraparit të mos kenë pasur heronjtë dhe dëshmorët e vet!

Presidenti i Republikës theksoi gjithashtu se: “Nga ky panteon emrash të ndritur me propozimin e Komitetit të Veteranëve të Skraparit dhe të Kryetarit të Bashkisë, kam kënaqësinë të vlerësoj dy patriotë skraparllinj të shquar të lëvizjes sonë kombëtare dhe Pavarësisë së vendit: Baba Meleq Staravecka dhe Mustafa Kajo Bakiasi (Kapinova).

Baba Meleq Staravecka, në traditën më të shkëlqyer atdhetare të bektashianëve tanë nuk e ndau kurrë fenë nga atdheu. Ai kontribuoi në mënyrë të jashtëzakonshme për edukimin e brezave më të rinj me dashurinë për atdheun, gjuhën shqipe dhe për Zotin.

Mustafa Kapinova gjithmonë tregoi se kishte lindur për të luftuar vetëm për lirinë dhe progresin e popullit të tij.

Mustafa Kapinova ka një kontribut të shquar në forcimin e shtetit të parë shqiptar, por dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare”, vlerësoi Presidenti i Republikës.