Pepe zgjidh kontratën me Besiktas pas problemeve ekonomike, rrogën e fundit ja jep …

Klubi i Besiktas po kalon një periudhë jo shumë pozitive, si në fushën e lojës ashtu edhe jashtë saj. Gjigantët turq u eliminuan të enjten nga Europa League nga Malmo pas humbjes që pësuan në shtëpi dhe duket se kjo disfatë do të ketë pasoja edhe në arkat e klubit.

Skuadra nga Stambolli ka probleme të theksuara ekonomike, aq sa tashmë po merr në konsideratë edhe zgjidhjen e kontratave me disa prej futbollistëve më të mirë të saj.

I pari në listë për t’u larguar në janar është mbrojtësi portugez Pepe, i transferuar në vitin 2017-të nga Real Madrid. 35-vjeçari ka një kontratë deri në qershor 2019 dhe përfiton 9 milionë euro ne sezon, por pritet që ai të largohet në janar, duke arritur një marrëveshje me drejtuesit e klubit.

“Marca” ka zbuluar se, para se të largohej nga ekipi, Pepe ka hequr dorë nga rroga e muajit të fundit dhe ka kërkuar që ato pará të përdoreshin për të paguar stafin (veçanërisht ata që merren me kuzhinën dhe fushën).