Opozita del të hënën në sheshin para Kryeministrisë përkrah studentëve protestues

Të hënën (nesër) protesta më e madhe e studentëve dhe gjithë shqiptarëve para Kryeministrisë. Opozita lë flamujt e partive dhe bën thirrje për reagim kombëtar. Nesër parashikohet mbi 100 mijë veta para zyrës së kryeministrit dhe në Bulevard  për ta detyruar Edi Ramën të firmosë 8 kërkesat e studentëve, të cilët hynë në ditën e 12-të të protestës në mes ftohtit dhe akullit.

Refuzimi i kryeministrit Edi Rama për të plotësuar 8 kushtet e studentëve ka përshkallëzuar protestat e të rinjve. Sidomos ironia e tij me video e tallje në facebook, ndërkohë që ata rrijnë në të ftohtë dhe akull natën, i ka acaruar kaq shumë sa nuk dihet se si do ta përmbajnë veten ditën e hënë. Reagimi më masiv i studentëve dhe qytetarëve do të zhvillohet nesër (ditën e hënë) në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së Kryeministrisë. Më 17 dhjetor, mbi 100  mijë shqiptarë pritet të zbresin në shesh në mbështetje të kërkesave të studentëve. Burimet pranë PD dhe LSI thonë së pritet numër epokal protestuesish kundër kryeministrit. Thirrjes së tyre për ndihmë u janë bashkuar jo vetëm studentët nga gjithë vendi, por gjithë qytetarët. Dje në protestën para Kryeministrisë u bashkuan banorët e “Astir” në Unazën e Re. Ashtu si dhe studentët ata kanë disa javë që protestojnë, por deri më sot qeveria nuk ka vendosur t’u japë dëmshpërblim. Në protestë ata ishin jo vetëm si kundërshtarë të qeverisë, por edhe si prindër dhe të afërm që shqetësohen për kushtet e studentëve.

Po dje, në mënyrë të qartë pjesë e protestës së studentëve janë bërë dhe partitë kryesore opozitare në vend, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, kreu i partisë, Lulzim Basha deklaroi se demokratët e gjithë vendit të hënën dot të jenë në krah të studentëve. Duke i cilësuar si të ligjshme kërkesat e studentëve, Basha deklaroi se Partia Demokratike vendimin e parë që do të marrë kur të vij në pushtet është anulimi i ligjit për Arsimin e Lartë. Basha u shpreh se pjesëmarrja në protestë nuk është partiake, por një detyrë qytetare për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve dhe të vendit. Flamuri do të jetë vetëm flamuri kombëtar dhe asnjë flamur partiak.

Edhe më drejtpërdrejtë në mbrojtje të kërkesave të studentëve ishte kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Në tre takime të zhvilluara me strukturat e LSI, në Durrës, Kavajë dhe në Lushnjë, kryetarja e LSI bëri një ftesë të pazakontë për një kryetare partie. Ajo kërkoi nga anëtarët e LSI që të hënë të flakin teserat e partisë dhe me flamuj kombëtarë tu bashkohen në Tiranë studentëve për të detyruar qeverinë që të tërhiqet para studentëve. “U bëj thirrje të gjithë anëtarëve të LSI kudo që janë, të harrojnë kartën e partisë dhe të marrin flamurin kombëtar për tu bashkuar të hënën me studentët”, – deklaroi kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Janë me mijëra mesazhe solidariteti që të rinjtë shqiptarë jashtë vendit kanë dërguar në rrjetet sociale për protestën e studentëve. Shqiptarët jashtë vendit, e shohin këtë manifestim si ngjarjen më të rëndësishme për ta bërë Shqipërinë një vend normal. Ata mrekullohen se ka një rini të tillë e cila nesër do të marrë fatet e vendit.

Protestat e ditës së hënë nuk do të jetë e partive, por e studentëve dhe të rinjve. Nuk do të ketë fjalime për partitë dhe as manifestim i opozitës. Qëllimi i tubimit është mbështetja e studentëve dhe realizimi i kërkesave të tyre për investime në arsim dhe kushte më të mira për ambientet ku jetojnë. Por më shumë se kaq nuk është një protestë që ka në qendër vetëm tetë pikat që studentët i kanë drejtuar Ministrisë së Arsimit. Protesta e 10 ditëve më parë nisi si një revoltë e brezit të ri që nuk ka asnjë lidhje me qeverinë dhe politikën e sotme, por kërkon më shumë dinjitet. Po protestojnë të rinjtë që nuk duan të largohen si emigrantë, por kërkojnë që ëndrrat e tyre t’i realizojnë këtu. Është thirrja e një brezi që është revoltuar me qeverinë, partitë dhe gjithë sorollatjet e 28 viteve të fundit dhe nuk pranojnë më justifikime. Ndaj dhe kërkesat e tyre duken si më të thjeshtat, por në fakt po kërkojnë reformimin e arsimit, i cili është dhe hallka kryesore e zhvillimit të shteteve. Tetë kërkesat e studentëve janë si “Kushtetuta e rinisë” që nuk negociohet. Qeveria ka vetëm një rrugë, ti plotësojë ato sa më parë dhe më pas mund të negociojë për një plan kombëtar se si brezi i ri të qëndrojë në Shqipëri dhe të mos bredhë më rrugëve të Europës.

Nesër Tirana do jetë lajm botëror nga shpirti dhe sakrifica e studentëve të mbështetur nga populli.

Ata nesër do bëjnë historinë e re të Shqipërisë.

Q.Xhani