Nis marrja e shpërblimit te pensionistët, datat si do shpërndahet

Nga data 17 dhjetor nis shpërndarja e shpërblimit për pensionistët. Më shumë se 650 mijë pensionistë do të nisin ditën e hënë të marrin 5 mijë lek, shpërblim të vendosur nga qeveria. Kush nuk e ka marrë ende pensionin do ta marrë shpërblimin bashkë me pensionin.

Ndërkohë që ata të cilët e kanë marrë pensionin, do ta tërheqin shpërblimin duke filluar nga dita e hënë. Shpërblimi do të merret në postë. Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado, i kontaktuar nga gazeta, thotë se nga dita e hënë pensionistët duhet të paraqiten në postë për të tërhequr shpërblimin.

“Nga data 17 dhjetor do të nis procesi i shpërndarjes së shpërblimeve dhe të gjithë ata që kanë datën në këtë grafik, pavarësisht nga llojet e pensioneve, do ta marrin shpërblimin bashkë me pensionin. Dhe të gjithë ata, po themi ata që e kanë marrë pensionin ditën e hënë, 3 dhjetor do të lihet që të hënën pasdite të marrin shpërblimet, në varësi të grafikut të cilin do ta publikojmë.

Duke filluar nga ora 8 e mëngjesit deri rreth mesditës, punonjësit e Postës do t’u shpërndajnë pensionin atyre që kanë ditën dhe pasdite do të shpërndajnë shpërblimin vetëm për ata persona që u ka kaluar data e marrjes së pensionit. Sigurisht, që do të punojmë me orar të zgjatur. Numri total i përfituesve është 650 mijë e 600 përfitues”,  u shpreh Astrit Hado për Report Tv.

Përfituesit

-499.000 persona që marrin pension pleqërie, invaliditeti familjar dhe pension qyteti
-133.000  persona që marrin pension si anëtarë të kooperative bujqësore
-981 persona me trajtim të veçantë financiar, dhe persona që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake.
-11.876 persona që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.