Monika Kryemadhi në Korçë: Këtë të hënë të gjithë te kryeministria për studentët

Kryemadhi me të rinjtë e LRI-së në Korçë: Bashkohuni me studentët për studentët. Bashkohuni për të ardhmen e Shqipërisë.

Do t’ju bëja një sugjerim që këtë entuziazëm dhe këtë shpërthim ta keni nesër në Tiranë me shokët tuaj, me vëllezërit tuaj, me motrat tuaja që janë studentë, ashtu siç keni pjesë e protestave studentore në Universitetin e Korçës, mos ndaloni nesër që të vazhdoni dhe t’ju bashkëngjiteni atyre djemve dhe vajzave të Tiranës, që po qëndrojnë netëve të ftohta, në temperaturë minus përballë kryeministrisë për ti kujtuar këtij kryeministri, që studentët shqiptarë, studentët e Shqipërisë janë e ardhmja e vendit. Në atë grup të rinjsh e të rejash, në atë grup të jashtëzakonshëm studentësh, por edhe këtu te ju, në Korçë, në Gjirokastër, në Shkodër, në Elbasan, në Durrës do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, ai kryeministër i Shqipërisë, që do të jetë vend i pranuar në Bashkimin Europian, sepse vetëm me një rini të mrekullueshme si ju, Shqipëria do ti ketë shanset për të qenë anëtare e Bashkimit Europian. Para se të vazhdojmë, unë dua të jap disa mesazhe, ku nëpërmjet jush të shpërndahet në të gjitha familjet e Korçës, në të gjithë dhomat e konvikteve të studentëve të Korçës, në të gjithë shtëpitë e fermerëve, në fshatrat e Korçës, të Maliqit, të Devollit. Në Pogradec ishim, sapo mbaruam atje dhe erdhëm këtu te ju, do të kthehemi dhe do të ndalojmë dhe në qytete të tjera. Por dua t’ju them diçka shumë të thjeshtë dhe shumë të sinqertë, sepse protesta e studentëve është një mësim shumë i mirë për ne. Është një mësim shumë i mirë për të kuptuar, se kur jemi të gjithë bashkë, nuk na ndalon dot askush. Kur jemi të gjithë bashkë, i japim forcë dhe besim njëri-tjetrit. Kur jemi të gjithë bashkë, bëjmë diçka, e cila nuk është vetëm në funksion të një grupi, por është në funksion të të gjithë shoqërisë. Protesta e studentëve është një mësim shumë i mirë për të gjithë klasën politike, por edhe për prindërit e tyre, sepse studentët na dhanë mësimin për të kuptuar, sepse kur shikojmë diçka të padrejtë duhet të reagojmë.

Duhet të reagojmë. Kur shikojmë sesi ata grabisin buxhetin e shtetit, paratë e taksapaguesve dhe i fusin në xhepin e Edi Ramës, që nesër t’i përdori për të blerë votat e shqiptarëve, për të sjellë në Parlament kriminelin, hajdutin, mashtruesin e trafikantin, normal që ne duhet të reagojmë. Prandaj thirrja ime për ju është bashkohuni më studentët. Bashkohuni me studentët për studentët. Sepse duke luftuar për studentët sot kemi luftuar për të ardhmen e sigurt të shqiptarëve dhe tuajën. Kemi luftuar për të ardhmen e Shqipërisë. Çfarë kërkojnë studentët? Ju e dini më mirë se unë se pjesa më e madhe juaja jeni studentë këtu. Përgjysmim të tarifave, dyfishim të buxhetit të arsimit të lartë, 0,46% e ka sot në buxhet Edi Rama. Studentët e kërkojnë dhe i thonë bëje 1%. Bëje 1% sepse nuk i kushton asgjë, ku nga 46% e buxhetit të shtetit që ua jep koncesioneve të tij, tua japi studentëve. Pra 5 veta marrin 46% të taksave të shqiptarëve dhe 140 mijë studentë kërkojnë 0,5%. Që është një pikë uji në oqean në vjedhjen dhe në thesin e madh të vjedhjeve të Edi Ramës, që t’ia heqi xhepit të tij dhe tua çojë studentëve. Prandaj të drejtat e studentëve janë të drejta. Prandaj të drejtat e studentëve duhen realizuar menjëherë dhe pa asnjë kompromis, pa dialog dhe pa negociata. Nëse Edi Rama do dialog dhe negociata të plotësojë këto 8 kërkesa, se pastaj të tjerat janë të realizueshme.

Keni dëgjuar për skandalin dhe mega vjedhjen e Unazës së Re. Nuk e dini ju se çfarë është, por dëgjoni si Edi Rama do të prishë më shumë se 650 shtëpi, mbi 1000 familje të zonës do t’i nxjerri në rrugë të madhe në mes të dimrit. Ndërkohë ka vjedhur 40 milion euro i ka futur në xhep. Dhe çfarë thotë? Thotë që kjo është për qytetarët e Tiranës që të lëvizin në mënyrë të lirshme. Mashtrim. Siç është mësuar të mashtrojë gjithmonë. Siç ka thënë që do hap 300 mijë vende të reja pune. Sa të rinj dhe të reja janë larguar nga Korça në emigracion sepse s’ka vende pune. Sa të rinj dhe të reja kanë mbyllur bizneset e tyre sepse kanë falimentuar për shkak të taksave të larta? Sa infermierë dhe mjekë janë larguan nga Shqipëria, sepse nuk kanë mundësi të punojnë këtu dhe largohen për të gjetur një punë më të sigurt në Europë. Të njëjtën gjë bënë dhe me Unazën e Re. Por ishin banorët që protestuan në mënyrë stoike, mbi 1 muaj e gjysëm për të demaskuar këtë megaskandal. Tani po bëj edhe diçka tjetër. Ky zotëria është kaq i pafytyrë dhe kaq mashtrues saqë thotë është bërë një tender. Por pse nuk ja ka dhënë tenderin vëllezërve Hysa që janë ortakët e vëllait të Edi Ramës, të cilët kanë dhënë ofertën me zero lekë. Vëllezërit Hysa janë treguar bamirës për të ndërtuar Unazën e Re falas. Ky t’ia jepte vëllezërve Hysa, ta ndërtonin Unazën e Re dhe të shpëtonte 40 milionë euro që donin për Unazën në mënyrë që këto para mund ti kalonte shumë kollaj për kushtet e studentëve, për uljen e tarifave, për bursat për të rinjtë me aftësi të kufizuara të cilat janë të gjitha mundësi që një parti si e Edi Ramës që shërben për të drejtat dhe për njerëzit e shtresës së mesme, kishte shansin dhe mundësinë që t’u shërbente studentëve që mbi të gjitha janë shtresa më e varfër në Shqipëri për  momentin. Sepse përfaqësojnë familjet më të varfra, por përfaqësojnë njerëzit më inteligjentë që do të jenë e ardhmja e këtij vendi. Por ky njeri nuk bën asgjë për ta, ky njeri gënjen, intimidon, mashtron.

Dua të falënderoj gjithë studentët këtu nga Korça, për sjelljen e tyre dinjitoze përballë një mashtruesi dhe një grabitësi si Edi Rama. Të cilët i dhanë një mësim shumë të mirë profesorëve të tyre, që u rreshtuan në rresht përpara këtij mashtruesi, ulën kokën, pranuan fyerjet, intimidimet dhe kërcënimet dhe kërkoi që t’i fusë në përçarje me njëri-tjetrin, vetëm për të shpëtuar fytyrën e tij.

Po prapë këtu nga Korça, u bëj thirrje këtyre profesorëve të nderuar, që nëse kanë pak dinjitet, nëse kanë pak moral,nëse kanë pak integritet, të ngrihen dhe të bashkohen me studentët. Se vetëm kështu mund t’i kthejnë dinjitetin universitetit, stafit akademik, studentëve dhe Shqipërisë. Bashkohuni me studentët dhe mos lejoni përçarësit dhe ndërhyrësit. Po të ishte për politikën, politika kishte hyrë që ditën e parë. Por nuk kanë nevojë studentët për politikën. Sepse studentët janë vetë politikë. Sepse kërkesat e studentëve janë kërkesa politike dhe që kërkojnë vendim në parlament. Dhe në momentin që hyjnë me vendim në Parlament, ato janë kërkesa politike që kërkojnë zgjidhje politike. Që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për të dalë nga kjo emergjencë. Vetëm një i çmendur nuk pranon që të heqë paratë nga xhepi i vetë, që i ka vjedhur në gjithë këto vite për të mos ja shpërblyer dhe për të mos iu dhënë mundësinë minimale e jetesës për studentët shqiptarë.

Dua të them dhe diçka tjetër.  Sot ne jemi në Korçë, do të vazhdojmë nëpër rrethe të tjera dhe nuk do të ndalemi në të gjithë Shqipërinë. Kjo thirrje nuk ka ardhur vetëm nga LSI por ka ardhur dhe nga shumë parti të tjera.  E tha Petrika, harroni kartën e anëtarësisë, harroni flamurin e partisë, futini në sirtar se do ju duhen për më vonë, por zgjoni ndërgjegjen kombëtare sepse kjo është më e rëndësishmja. Shqipëria po i thërret bijtë e saj.  Vetëm rinia shqiptare mund t’i fusë të rinjtë, që të zgjojë jo vetëm klasën politike, por që të zgjojë të gjithë popullin, të zgjojmë prindërit, të zgjojmë vëllezërit, të zgjojmë gjyshërit, sepse jetojmë në minimumin e jetesës. Të zgjoni gjyshërit tuaj, që marrin pension 70.000 lekë të vjetra, që janë mbi 600.000 pensionistë në Shqipëri që jetojnë me minimumin jetik, me pensionet e tyre nuk paguajnë dot ilaçet. Me pensionet e tyre nuk paguajnë dot dritat dhe ujin e jo më të ushqehen. Prandaj kërkoni ndihmesën e gjyshërve tuaj, që të jenë me ju në çdo protestë kundër kësaj qeverie grabitëse. Kërkoni ndihmën e prindërve tuaj, të cilët mundohen dhe rraskapiten për t’ju dhënë shansin dhe mundësinë që të shkolloheni, që të keni një jetë më të mirë në të ardhmen. Kërkoni sportin e pedagogëve tuaj, të cilët pa ndihmën e tyre, nuk do të kishim arsim, edhe me të metat e veta. Por bashkë me ta, edhe ju do të bëni që diplomat që ju do të keni, do të jenë diploma të cilat janë dinjitoze dhe ju garantojnë vendin e punës, dhe jo të jenë diploma të cilat nuk vlejnë për asgjë. Prandaj kjo protestë ka një rëndësi të veçantë. Ka rëndësi për të kuptuar, që Reforma në Arsim e Edi Ramës dështoi. Ka rëndësi për të kuptuar që premtimet e Edi Ramës deri më sot kanë qenë mashtrime. Ka rëndësi për të kuptuar që Edi Rama, jo vetëm ka mashtruar shqiptarët, por Edi Rama ka mashtruar dhe ndërkombëtarët me fasadat e tij zbukuruese, dhe sot ai është përballë të gjithë këtij realiteti të hidhur dhe të zi. Këtij realiteti që sot nuk mund ti themi që është i bukur, këtij realiteti që nuk mund ti themi që është i begatë, por është realiteti më i zi që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, mbas viteve 97 dhe sigurisht në momentin ku ndryshoi sistemi. E thonë të gjithë që është Dhjetori i dytë. Analistët thonë që është Dhjetori i dytë, analistët thonë që po vjen një rrymë e re dhe një filozofi e re, por do të dëshiroja të thoja që ky nuk është Dhjetori i Dytë. Ky është një Dhjetor ndryshe, nga Dhjetori tjetër. Ky është një Dhjetor për të kuptuar që sot, më shumë se kurrë, nuk diskutohet më fjala e Lirë, por diskutohet e ardhmja e Shqipërisë ,çështja e demokracisë. Sepse ka 5 vjet që s’ka demokraci dhe ka 27 vjet që demokracia është shumë e brishtë në Shqipëri, dhe nuk janë ngrit shqiptarët ndonjëherë në protestë në demokraci. Sot diskutohet a do të ekzistojë më emri Shqipëri në hartë apo nuk do të ekzistojë më. Dhe kjo është arsyeja që njerëzit janë ngritur, e sidomos të rinjtë, e që kërkojnë nën flamurin kombëtar për të protestuar përpara zyrës së kryeministrit, i cili nuk e ka problem të fali çdo gjë të Shqipërisë vetëm për të shpëtuar kokën e tij.

Prandaj o sot o kurrë për t’u bashkuar me vëllezërit tuaj, me studentët. Por nuk do të jenë vetëm studentët, do të jenë dhe naftëtarët, të cilët luftojnë për statusin e tyre dhe Edi Rama  i përçau, i masakroi, i sakatoi. Dhe sot statusin e naftëtarit nuk e marrin ata që kanë punuar gjithë jetën në shpime, por e marrin burokratët e zyrave të institucioneve të naftës. Statusin e minatorit, të cilët gjithë jetën e tyre kanë hyrë me qindra metra nën tokë, dhe nuk e përfitojnë ata statusin e minatorit, por e përfitojnë burokratët e zyrave të institucioneve. Do të jenë me studentët fermerët, të cilët luftojnë për çmimin e lartë të naftës dhe nuk mund të konkurrojnë dot me tregun, as me Maqedoninë as me Kosovën për prodhimet e tyre. Do të bashkohen biznesi i vogël, i cili po mbyllet çdo ditë e më shumë sepse nuk përballon dot taksat e larta. Do të bashkohen mësuesit, të cilët kërcënohen nga drejtoritë arsimore dhe nga korrupsioni i portalit të famshëm të Lindita Nikollës dhe Edi Ramës për të eliminuar mësuesit e zotë dhe për të vendosur militantët partiakë e injorantë. Do të bashkohen mjekët dhe infermierët të cilët kërcënohen çdo ditë sepse kërkojnë pagën e 13 sipas ligjit dhe sipas kontratave të punës. Por që Edi Rama nuk ia jep, sepse i ka futur në xhepat e koncensionarëve.

Sepse sot nuk ka mundësi tjetër. O do të ngrihen të gjithë, ose Shqipëria nuk do të ekzistojë më. Por nuk do t’ia japim më këtë shans armiqve të Shqipërisë me në krye Edi Ramën, që e shikon popullin e tij si armik. Por do të bashkohemi të gjithë. As për karrigen e Edi Ramës, as për karrigen e asnjë tjetri. Do të bashkohemi me studentët për vetëm një kauzë. Për të shpëtuar Shqipërinë nga ky i çmendur, nga ky i kapur nga krimi i organizuar. Nga ky trafikant që e ka kthyer Shqipërinë në qendër të së keqes dhe në qendër të sektit më kriminal siç është Rilindja. Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve, nesër por jo vetëm nesër edhe sot. Secili nga ju që ka një kushëri, një shok, një mik , një farefis, t’i kërkoni që të jetë sot me studentët në Tiranë. Ku të marrë dhe komshinjtë dhe shoqërinë  e tij. T’ju dërgojë një foto duke i njoftuar që unë jam në shesh, kam dalë në shesh për ju. Bëjini thirrje të gjithë njerëzve tuaj, kudo që janë në  gjithë Shqipërinë. T’u bashkohen studentëve, të përgjigjen kërkesave tuaja për të qenë në shesh me studentët dhe për ti përkrahur ata. Sepse vetëm solidariteti, bashkimi me njëri-tjetrin mund të na japë mundësinë që t’i bëjmë ballë kësaj të keqe shumë të madhe. Kam dhe një kërkesë të fundit për ju. Ju bëj thirrje të besoni në Zot. Sepse duke besuar në Zot, do të besoni te vetja juaj. Duke besuar në Zot, do t’u japë Zoti forcën dhe besimin për tu përballur me sfidat e jetës. Duke besuar në Zot, do të gjeni rrugën e ndriçuar për të ecur përpara në rrugën e duhur dhe jo në rrugën e gabuar. Duke besuar në Zot do të kuptoni që aleati juaj më i mirë është Atdheu dhe aleati juaj më i mirë është shoku që keni në krahë që protestoni bashkë për të drejtat tuaja. Për ato të drejta të cilat nuk ua ka dhënë as Edi Rama, as politika por na i ka dhënë sistemi, na i ka dhënë Zoti lart në qiell. Prandaj Zoti iu ruajtë ju dhe familjet tuaja. Zoti ju dhëntë forcën ju për tu përballur me këtë të keqe kaq të madhe. Zoti na dhëntë forcë dhe besim dhe ne politikanëve që të dalim mbi vete dhe të bëhemi njësh me studentët për të kuptuar që lufta e studentëve nuk është luftë për politikë, por është luftë për fëmijët e shqiptarëve, sepse vetëm kështu mund të kemi një sistem, që kur të jem unë pensioniste, profesori pensionist, ju pensionist, fëmijët tuaj të jenë pjesë e sistemit, që ju mbajnë e përkujdesen me dashuri për ju.