Studentët para Kryeministrisë: Të hënën të na bashkohen të gjithë

Protesta e studentëve ka vijuar edhe ditën e sotme përpara Kryeministrisë. Studentëve iu janë bashkuar edhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria, nga banorët e Astirit, naftëtarët etj. Studentët kanë vijuar të shprehen se janë të vendosur në kërkesat e tyre duke i bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kauzës së tyre.

Njëri nga studentët i pyetur për televizionin “Ora News” u ka bërë thirrje çdo prindi, çdo pedagogu, çdo njeriu që ndihet qytetar i Shqipërisë dhe ka sadopak solidaritet për të gjithë këta studentë, të bashkohet të hënën.

Ndërkohë që i pyetur nëse do të pranohen edhe forumet apo edhe partitë politike në protestë ai u shpreh se: “Unë i falënderoj, e falënderoj edhe kryetaren e partisë së LSI-së edhe kryetarin e PD-së, edhe vetë kryeministrin Edi Rama nëse bëjnë kërkesë për forumet e tyre përkatëse. Sepse ata para se të jenë pjesë e një forumi janë studentë. Uroj që ato kartat e anëtarësisë t’i djegin, të vijnë të gjithë këtu bashkë dhe t’i japim të drejtë kësaj kauze. Realisht kjo kauzë është e drejtë dhe nuk e kuptoj pse kryeministri po mundohet të krijojë këtë përqasje, po mundohet të krijojë përfaqësi dhe të negociojë me diçka që është e pa negociueshme. Është e drejtë dhe iu lutem personalisht që mos ta injorojnë këtë grusht njerëzish, siç e cilëson me dronet e tij. Jemi këtu vetëm për kauzën tonë, të mbajmë frymën gjallë dhe të ndezim një ndërgjegjësim kombëtar. Ne nuk jemi këtu për të paragjykuar asnjë. Këtu do të ndalohet çdo thirrje ose ide për mosbindje civile ose bllokim rrugësh. Këtu nuk ka asnjë parti dhe asnjë nuk është zot i kësaj proteste, vetëm shpirti i lirë. Këtë duhet ta bëjmë të qartë.”

Dita e 11 e protestës së studentëve