Radio gjermane: Të rinjtë shqiptarë po ikin nga vendi

Protesta e studentëve shqiptarë ka bërë jehonë në shumë media ndërkombëtare.

Së fundmi kjo protestë është raportuar edhe nga radioja publike gjermane, “DeutschlandFun”.

Kjo radio ka intervistuar  drejtuesin e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri, Walter Glos.

Glos është shprehur se studentët po përpiqen që t’i mbajnë organizimet dhe protestat të qeta dhe paqësore.

Më tej ai ka treguar se protestat lindën pas pakënaqësive të shumë studentëve, që duhej të paguanin tarifa të larta për provimet e mbetura.

I pyetur fillimisht nëse protestat do mbeten paqësore apo do ketë dhunë, ai thotë se “kjo është e vështirë për t’u parashikuar”.

“Përveç kësaj, tarifat për shkollimin janë tepër të larta. Këto ndonjëherë shkojnë deri në 2600 euro për një vit, dhe në një vend me pagë mesatare nga 300 deri në 3500 euro, kjo është shumë e shtrenjtë, prandaj ne kemi dhënë bursa këtu. Studentët shpesh qajnë kur përzgjidhen për bursa, sepse e ndjejnë veten me fat nëse marrin bursë nga një fondacion politik gjerman”, shprehet ai.

Gjithashtu në intervistën e tij ka dhënë alarmin se nga Shqipëria, po largohen të gjithë të rinjtë dhe se me këtë valë largimesh një ditë mund të mbetet vetëm qeveria.

“Në pesë vitet e fundit janë larguar më shumë se 400 mijë të rinj nga vendi dhe në një popullsi me 3 milion banorë, kjo është një shifër tepër e lartë dhe tregon se kjo temë duhet marrë seriozisht, ndryshe do kemi një qeveri, por nuk do kemi popullsi”, tha Glos.