“Në rast refuzimi nga Kryeministri, protesta në rang kombëtar”

Këshillat Studentorë kanë paralajmëruar dje protestë në rang kombëtar në rast se Kryeministri Edi Rama do të refuzojë të plotësojë pa kushte, tetë kërkesat e paraqitura prej tyre prej 12 ditësh.

Në një deklaratë të lëshuar dje, Këshillat Studentorë kanë hedhur poshtë lajmin e publikuar dje nga mediat se ata kishin kërkuar mbledhje urgjente të Parlamentit sot për kërkesat e tyre dhe e cilësuan atë një mashtrim.

Ata përforcuan lajmin se do të hidheshin në protestë kombëtare në rast se Rama nuk do të reagonte.

Këshillat studentorë njoftuan dje se mashtrimi për thirrjen gjoja të Parlamentit “janë tentativa për të na përçarë dhe se dialog me Kryeministrin ne nuk pranojmë. 8 kërkesat tona janë mëse të qarta, të zeza mbi të bardhë dhe sqarojmë këdo se nuk do të ketë asnjë dialog pa u plotësuar këto 8 pika.

Në rast refuzimi nga Kryeministri, sqarojmë se protesta jonë do të përshkallëzohet në rang kombëtar. Kushdo që kërkon dialog me Edi Ramën nuk përfaqëson interesin e studentëve,” përfundon njoftimi.