Miratohet rezoluta për bisedimet me Serbinë. Ja ekipi i ri negociator i Kosovës

Kuvendi i Kosovës zhvilloi këtë të shtunë një seancë të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë, bisedime të cilat janë në krizë pas vendosjes së taksës 100% ndaj importeve serbe si dhe formimit të ushtrisë.

Me votat e partive të koalicionit qeveritar si dhe asaj socialdemokrate të formuar më herët këtë vit nga deputetë që u larguan prej Vetëvendosjes dhe e rreshtuar tashmë si forcë në opozitë, 59 deputetë votuan pro një rezolute ku ndër të tjera përfshihet dhe përbërja e një ekipi të ri negociator që udhëhiqet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Në këtë projekt-rezolutë thuhet se procesi i dialogut me Serbinë do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në proces, anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe NATO.

Por, në ekip mungojnë dy partitë më të mëdha opozitare: Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosja, të cilat nuk morën pjesë në seancë.

Për shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, platforma për dialog është vetëm Kushtetuta, ndërsa ekip negociator është vetëm qeveria legjitime: “Ta kemi të qartë se asnjë votim në Kuvend nuk mund të shmangë Kushtetutën. Kosova nuk mund të përfaqësohet në këtë proces të rëndësishëm me pothuaj ekipe dialoguese nga partia e shtatë apo e tetë në Kuvend dhe nga ata që kanë mandate të huaja. Nuk ka proces në Kosovë që mund të zhvillohet pa LDK-në, partinë me mbështetjen më të madhe në vend. Të mos mashtrohet askush”.