Kreu i FRESSH, Eljo Hysko: Mos besoni “Fake News”. Nuk kam dhënë dorëheqjen

Në një pjesë të mediave gjatë mbrëmjes së sotme u publikuar një lajm që pretendonte se kreu i Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë, Eljo Hysko ka dhënë dorëheqjen, pas protestës së studentëve. Në media u publikua dhe në “status” i pretenduar i Hyskos në Facebook.

Por siç rezulton lajmi ishte një “Fake News” dhe “statusi” në Facebook një montazh. I pyetur nga “Koha Jonë”, kreu i FRESSH u shpreh se gjithë lajmet që qarkullojnë për këtë temë në median online janë “Fake News”. Ai konfirmoi se vijon të jetë në detyrë dhe i angazhuar me sfidat e FRESSH, ndërsa kërkoi nga të gjitha mediat të jenë më të kujdesshme dhe të mos bien pre e fushatave me lajme të rreme.

Hysko u shpreh se publikimi i lajmit për “dorëheqje” bëhet në moment të caktuar dhe ka qëllime politike. “Lajmi është i pavërtetë. Mediat që e kanë publikuar të parat apo e kanë “prodhuar” e kanë kërkuar ndjesë dhe e kanë fshirë. Shpresoj që edhe mediat e tjera të tregohen në nivelin e duhur të profesionalizmit. Në kohën e duhur do të flas dhe më konkretisht se kush fshihet pas kësaj fushatë të turpshme që ka disa ditë që vijon kundër të rinjve të FESSH dhe mua personalisht. Është e padrejtë që të rinjtë që merren me politikë përballen me këto farë sulmesh jo morale dhe jashtë standardeve profesionale të gazetarisë”,- tha Kreu i FRESSH, Eljo Hysko për “Koha Jonë”.