Kejdi Mehmetaj: Të gjithë bashkë të hënën me studentët, për studentët

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, deklaroi se të hënë gjithë shqiptarët duhet të jenë në shesh në mbrojtje të kauzës së studentëve.

Fjala e deputetes së LSI-së, Kejdi Mehmetaj në takimin me strukturat e LSI Lushnje

Ashtu siç edhe Kryetarja e LSI tha në fjalën e saj, jemi të nderuar të gjithë që jemi pjesë sot e këtij takimi në Lushnje. Jemi të nderuar për pjesëmarrjen tuaj, por mbi të gjitha për angazhimin që ju treguat për një takim të jashtëzakonshëm në një situatë që është krejt e jashtëzakonshme. Sepse nuk ka ndodhur që mbas viteve ’90 për një arsye shumë madhore, që mijëra studentë, mijëra vajza e djem të rinj, të rrinë në rrugët e Tiranës prej më shumë se 10 ditësh. Dhe jo thjesht të rrinë ditën për të protestuar për të drejtat e tyre, por të kalojnë natën ne temperatura minus gradë, për të cilën ata kundërshtojnë e protestojnë që t’u plotësojë kërkesat e tyre minimale, nuk i lejon as të ngrohen në këtë dimër me temperatura minus 2 apo 3 gradë celsius.

Nuk i lejon fëmijët e shqiptarëve as të ngrohen, sepse kjo qeveri ka frikë nga fëmijët e shqiptarëve që më së fundmi u ndërgjegjësuan dhe kuptuan që të drejtat e tyre qëndrojnë mbi çdo gjë tjetër. Sepse nuk ka pushtet, nuk ka pushtetarë, nuk ka ministër që mund t’iu dalë atyre përpara edhe t’i thotë se është më i fortë apo më i zoti se ta, e që hakun e tyre, paratë që duhet të investoheshin për ta t’i fusë në xhepat e oligarkëve. E dini ju të nderuar se 46% e parave të shqiptarëve sot shkojnë në xhepat e 5 a 6 oligarkëve. Dhe 140 mijë studentë kërkojnë vetëm 1% nga ky 46%. Dhe kryeministri më arrogant se kurrë, por edhe më i trembur se kurrë, dhe për këtë të jeni të gjithë të sigurt, nuk pranon as t’u realizojë atyre kërkesat minimale.

Ata nuk kërkojnë asgjë tjetër përveç se të kenë dhoma të ngrohta, të kenë kushte minimale për të jetuar.  Dhe ajo për të cilën jam ndjerë më keq sot kur erdha këtu me ju pasi takova dhe disa student dhe i pyesja ku janë prindërit tuaj. Dhe më thoshin prindërit tanë nuk kanë mundësi që të paguajnë transportin që të vijnë dhe të na mbështesin ne. dhe këtë gjë e kuptova këtu me ju që me gjithë dëshirën për të qenë atje me fëmijët tuaj, që të jeni ju që ti jepni ngrohje, mbështetje, batanije, ndihmë e suport, e keni të pamundur të përballoni kostot minimale të transportit. Sepse në këtë ditë ka arritur Shqipëria sot, që qytetarët e saj të mos kenë standardin, të mos kenë para për të paguar standardin e minimumit të jetesës. Që fermerët të mos kenë mundësi të kalojnë ditën, edhe pse ky vend është i bekuar me tokë me diell, me tokë që prodhon. Që naftëtarët, që jetojnë jo shumë larg nga ju, të mos kenë mundësi të sigurojnë jetesën për vete dhe për familjen e jo më tu japin para fëmijëve të tyre për tu shkolluar. Që minatorët po ashtu të kenë të njëjtat probleme, ndërkohë që rrezikojnë jetën dhe nuk arrijnë dot të vënë pjatën e bukës përpara fëmijëve të tyre. Që biznesi i vogël ka mbyllur dyert dhe nuk arrijnë dot po ashtu të sigurojnë minimumin për fëmijët dhe më besoni ata studentë aty në shesh, nuk i ka nxjerrë vetëm shkolla, nuk i ka nxjerrë vetëm tarifa, por i ka nxjerrë pamundësia juaj, e familjeve shqiptare për ta bërë jetën e tyre më të qetë dhe komode.

Dhe unë dua t`i bashkohem thirrjes së kryetares, jo si një anëtare partie, jo si nënkryetare e LSI, por si një vajzë 25-vjeçare që e kam filluar angazhimin tim politik vetëm e vetëm me një qëllim,që ta bëjmë këtë vend sado pak më të mirë sa mundemi. Vetëm si një vajzë e re, si një vajzë 25-vjeçare, jua bëj këtë thirrje nga zemra që të gjithë pa dallim partie, ideje, pa atë kartën dhe atë flamurin, të shkojmë aty me ato vajza dhe djem të rinj, që po i japin Shqipërisë një shpresë që na ka nxjerrë një dritë aty në fund të tunelit dhe atë dritë duhet të rendim dhe ta kapim të gjithë. Kështu që më shumë se kaq, se kaq jemi shumë pak, duhet të jemi të hënën atje me studentët, për studentët sepse ata kanë vetëm një qëllim. Ta bëjmë këtë vend të jetueshëm, ta bëjmë këtë vend më të mirë. Unë ju falënderoj shumë dhe përkrahja juaj në këtë ditë të nevojës së Shqipërisë është e domosdoshme dhe e nevojshme. Takohemi të hënën në Tiranë, ju dhe gratë tuaja sepse askush më shumë se ato nuk e kuptojnë vuajtjen tuaj. Takohemi në Tiranë.