Jemi vend me fat, Kryeministri ynë është më i miri dhe më i bukuri i krejtve!

Nga Agron Gjekmarkaj –
Të marrtë e mira të marrtë more Kryeministri ynë qyfyrexhi! Ç’paske qenë! Del ti në ekran dhe fëmijët i pushojnë keqatjet, pleqtë e çarsin gjumin, laneshat e ndalin dhimbjen, barinjtë ngahin për t’i mbyllur dhëntë ndër stane, ndërsa ministrat frymëmbajtur si para një mrekullie fiksojnë shikimin e dlirin veshte! Ata më mirë se kushdo e dinë që kjo tokë veç Skënderbeut, një të dytë si ty kurrë nuk e nxori. I japin të drejte Elisës kur me Gjergjin të krahasoi, açik me qartësi profetësh, por njerëzore siç është xhelozia ,i gërryen së brendshmi pse atyre më parë mendja nuk u vojt? Një si amëtim u rëndon mbi stomak.

Disa prej tyre tanimë të urtësuar nga bashkëpunimi i gjatë si bij të nostalgjisë dhe mirënjohjes kanë kuptuar se momenti është këputur si ftua nga dega për të hedhur disa shënime kujtimesh si pajë për brezat e ardhshëm. Njëra e fillon kështu rrëfimin e saj të jetës: “Ishte ditë e vrenjtur, dimër, Saliu kishte vrarë shpresën me çifte, ndihesha e dëshpëruar teksa pikëllimi më kishte pushtuar aurën, befas takova Edi Ramën. Ai më pa, shtanga dhe në horizont u shfaq dielli. Ishte dielli i Rilindjes, që së shpejti do të binte mbi gjithë Shqipërinë. Provova atë që kishte provuar Parisi dhe Ornela Vorpsi. Lezeti i shpresës s’ka shpagim!”

Në fakt, sa herë Kryeministri shfaqet, na konfirmohet superioriteti i tij në një fushë të caktuar të dijes, artit, kulturës, teknikës, mekanikës, politikës, kibernetikës apo matematikës e fizikës. Dalja e tij e fundit në TV ishte një doktoraturë e madhe për fatet e shoqërisë dhe shtetit. Ai ndër pedagogë është më i miri. A e keni dëgjuar kur i gjykon të gjithë me një fjalë goje, duke ndarë miellin nga krundet, të diturit nga të paditurit, veshgjatët nga veshshkurtrit? Diturinë e shekujve mban mbi supe si Volteri. Me gazetarët ka rivalitet, të cilin e fiton paq se ndihet gazetar më i mirë se ata ku e ku? Ehuhaa! Në punë stili e publicistike më i thukëti, më darovitësi, më lozonjari, më hokatari, me pak fjalë, lëronjësi më i shquar i gjuhës shqipe, Buzuku e Kadare vijnë më pas. Gabim të madh bëjnë studentët që nuk shtojnë edhe një pikë të re në kërkesat e tyre. Libri “Kurbani” si dhe tregimi “Ina, Ina hiqi brekët” të futen në tekste shkollash. Me të mund të bëhen punime masteri e doktorature. Por edhe si studiues letërsie e si kritik i di të gjitha. Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti dhe Aurel Plasari, para tij në këso gjykimesh duken si axhaminj që luajnë me tepsi. Zërat që nuk duan identifikim pohojnë se edhe Umberto Eko nuk e pat më jetën e gjatë kur iu shfaq kjo konkurrencë e re në dheun e Arbrit.

Ndër filozofë shkëlqen! Mund të ndërtohej një antologji e mirëfilltë e mendimit të tij bashkëkohor duke përmbledhur statuset e tij në “Facebook”. Nja dy a tre lexoi Habermasi nga këto të bekuara, të cilat mbarojnë me fjalën rilindje e ndonjë ikonë gazmore dhe i dogji, i poqi, shkrumb e hi i bëri librat e tij. U soll më keq me tekstet e veta se kalifi Omar me bibliotekën e Aleksandrisë.

Në dava historie, siç e keni vënë re, kujtdo ia vë qylafin sipas kresë. Në sport ka lënë nam. Ilir Beqja po shkruan një monografi për të si basketbollist dhe peshqesh për njerëzit që kanë nevojë të ushqejë adhurimin. Në çështje mode të vret Zoti të kërkosh një të dytë që i afrohet. Me jelekë e brandavekë, me qillota e kapota lë pa frymë të madh e të vogël, që ashikllëkun e ka kult në jetë!

Dita e 11 e protestës së studentëve

Sevdallëkun dhe jaranllëkun ia lë vetes së paku në ligjërim, sidomos në fushatë elektorale duke bërë bandillin publik ograjave. Po kaq i parë është në çështje ekonomie, bujqësie e blegtorie, më bujk se bujqit, më blegtor se blegtorët, më ekonomist se Arben Ahmetaj. Tavëll, domino, spathi, pllakaton etj., luan më mirë nga të gjithë. Trikot i thur shpejt, byrekun e qan, rrobaqepës si ai. Ne jemi vend me fat. Kryeministri ynë është më i miri dhe më i bukuri i krejtve! Studentët ende s’e kanë kuptuar këtë e protestojnë prej 10 ditësh. Sa do t’u rëndohet ndërgjegjja kur ta kuptojnë se ç’po bëjnë. Thjesht po gjuajnë me gur, të drejtën, të mirën dhe të bukurën. Haram e paçin mërzinë që i kanë shkaktuar. I plaçin sytë kujtdo që i bie së mirës me shkelm. /Panorama.al.