Flamurtari i falet kapitenit Bushit ndaj Kamzës në Vlorë (VIDEO)

Flamurtari ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme minimale 1-0 ndaj Kamzës në javën e 17-të. Në stadiumin “Flamurtari” sfida u luajt në një terren të rënduar nga reshjet e shumta të shiut, që ishin prezente gjatë gjithë ditës në qytetin e Vlorës. Trajneri Daja pati mundësinë të hidhte në fushë futbollistët më të mirë të organikës së tij, ndërsa Gjoka propozoi një mbrojtje “të arnuar” për shkak të disa mungesave në këtë repart.

Pjesa e parë u zhvilluar thuajse tërësisht në gjysmëfushën e Kamzës, teksa vlonjatët i shkuan disa herë pranë golit, por pa arritur të thyejnë portierin Avdyli. Goli erdhi vetëm në minutën e 67-të të takimit, kur sulmuesi kroat Bushiç shfrytëzoi maksimalisht një krosim të ardhur nga këndi nga Cale dhe pas një gjuajtjeje të saktë me kokë, çoi topin në rrjetën e portës së Ilir Avdylit.

Kamza tentoi të reagojë në minutat e fundit, duke u afruar disa herë në zonën e portës së Koliçit, por njëkohësisht la edhe hapësira, duke rrezikuar të pësonte edhe golin e dytë. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për vlonjatët, që ashtu si ndaj Laçit, triumfuan me shifrat 1-0 dhe tashmë mbeten në vendin e 6, por me 28 pikë të grumbulluara.