Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Shqipëria

Prof. Ksenofon Krisafi*

“Ne ndodhemi sot në pragun e një ngjarjeje të jashtëzakonshme në jetën e Kombeve të Bashkuara dhe në atë të njerëzimit…”. Ky deklarim solemn bëhej nga Eleanor Roosevelt rreth tre vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e cila me krimet e përbindshme dhe holokaustin nazist kishte traumatizuar deri në thelb ndërgjegjen njerëzore. Bëhej 70 vjet më parë, në 10 dhjetor 1948, në Pallatin Shajo, në Paris, në seancën plenare përmbyllëse të Asamblesë së tretë të Përgjithshme të OKB. Jo rastësisht dhe jo më kot Asamblea do t’i përfundonte punimet, me miratimin e një akti, teksti symbol i të cilit i bënte jehonë aspiratës së përgjithshme të njerëzimit, për krijimin e një atmosfere paqeje dhe sigurie ndërkombëtare, ku të mbretëronin liritë dhe të drejtat e njeriut pa dallime, akt që hyri në histori me emrin Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut. Ajo ishte kurorëzimi i një shtegtimi të gjatë të ëndrrës shekullore të njerëzimit që nisi me Magna Cartën dhe vazhdoi me Petition of Rights, Deklaratën franceze të të drejtave të njeriut dhe qytetarit, amendamentin Bill of Rights të Kushtetutës amerikane, për të stacionuar te Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, e dhjetorit 1948, e cila  hodhi themelet e një zhvillimi epokal për të drejtat e njeriut. Përcaktimet e saj do të shndërroheshin në motiv përpjekjesh për gjenerata njerëzore, për ndërmarrjen e qindra nismave kodifikuese nga OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare, universale dhe rajonale, që çuan në krijimin e një kompleksi normativ, të quajtur Kartat e mëdha të të drejtave të njeriut.

Idea e përpunimit të Deklaratës së 10 dhjetorit 1948 lindi nga vendosmëria e njerëzimit për t’iu dhënë fund tmerreve të Luftës së Dytë Botërore. Prandaj në Komisionin përgatitor që do të punonte rreth tre vjet për tekstin e Deklaratës, u përfshi edhe diplomati 30 vjeçar francez, Stefan Hessel, i mbijetuari i kampit nazist të Buhenvaldit.

Miratimi i Deklaratës do të tërhiqte vëmendjen rreth domosdoshmërisë së respektimit të një kodi të drejtash dhe lirish themelore. Vitet që rodhën evidentuan nevojën e përfshirjes edhe të të drejtave të tjera si ato të integritetit fizik e psihik të grave e vajzave, fëmijëve, handikapatëve, të personave me orientim të ndryshëm seksual etj.

Zhvillimet e mëtejshme të situatave, fillimi dhe mbarimi i Luftës së Ftohtë, detanta ose acarimet e raporteve midis Fuqive të Mëdha, ngjarje të tilla si rënia e murit të Berlinit, rënia e disa prej shteteve shumëkombëshe, e ashtuquajtura “pranvera arabe”, krizat që kanë goditur shtete dhe rajone etj, janë reflektuar në thellimin e hendekut ndërmjet përcaktimeve parimore të Deklaratës dhe realitetit për të drejtat e njeriut. Veçanërisht krizat financiare kanë rritur numrin e të papunëve, kanë shtuar varfërinë, mjerimin, kanë theksuar pabarazitë ekonomike, sociale e kulturore dhe i kanë privuar subjektet e Deklaratës nga gëzimi i një vargu të drejtash substanciale.

Megjithë ndonjë paragjykim me të cilin u shoqërua përgatitja e saj, Deklarata, mbeti “manifesti i parë që njerëzimi i organizuar ka miratuar ndonjë herë.” Cilësimin e mësipërm e ka bërë ndërkombëtaristi i shquar francez, Rene Cassin, një nga anëtarët e Komisionit përgatitor. Teksti i saj, i përmbledhur në tridhjetë nene, ku përmenden të drejtat civile, ekonomike, sociale dhe kulturore, të patjetërsueshme e të pandashme, është cilësuar si themeli i së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe frymëzuesi i të gjithë traktateve ndërkombëtare të kësaj fushe të periudhës së pas luftës.

Të drejtat e njeriut mbrohen në radhë të parë nga e drejta e brendshme e shteteve, por një rol primordial kanë edhe normat e së drejtës ndërkombëtare.

Shumë vjet pas miratimit të Deklaratës, duke vlerësuar me doza të qarta pesimizmi zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht shkeljet e të drejtave të njeriut që vërtetoheshin në vende të ndryshme të botës, francezi Robert Badinter thoshte se ajo “ka mbetur thjesht horizonti moral i kohës sonë”. Në këtë deklarim mund të ketë pjesë nga e vërteta, por sidoqoftë duhet pranuar se që nga 1948, në fushën e të drejtave të njeriut nuk mund të mohohet progresi i bërë, pavarësisht se jo gjithëçka ka ecur siç do të dëshirohej. Pas saj u përgatitën dhjetra akte juridiko-ndërkombëtare kushtuar mbrojtjes së aspekteve specifike të të drejtave të njeriut ose kategorive, grupeve dhe shtresave të margjinalizura. Të tilla janë konventat kundër diskriminimit ndaj grave, kundër torturës, për të drejtat e fëmijës si dhe një numër i madh aktesh të tjera. Vend të posaçëm zënë paktet e vitit 1966, për të drejtat politike, civile, ekonomike e sociale etj. Për zbatimin e tyre është ngritur edhe një sistem institucionesh gjyqësore si p.sh. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Gjykata Ndërkombëtare Penale, Gjykatat Ndërkombëtare Penale ad hoc për krimet e luftës në ish Jugosllavi, në Ruanda, Siera Leone, Kamboxhia etj, të cilat kanë gjykuar dhe dënuar krimet e kryera atje dhe në vende të tjerë.

Organi më tipik dhe më i specializuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të parashikuara në Deklaratën e 10 dhjetorit 1948 dhe në aktet e tjerë, mbetet OKB, e cila ka krijuar struktura të posaçme si Këshilli i të drejtave të njeriut, Komisioni i Gruas, Komisioni i të drejtave të fëmijës etj.

Çështjet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut janë objekt veprimtarie edhe i Këshillit të Europës dhe disa organizatave të tjera me karakter rajonal.

Raporti i shqiptarëve me të drejtat e njeriut, si kudo në vendet e tjera, ka qenë problematik. Ata kishin edhe disavantazhin se deri në fillimet e shekullit të XX, nuk kishin ende shtetin e tyre. Deri sa ishin shtetas të Perandorisë osmane katalogu i të drejtave që Stambolli iu njihte atyre ishte shumë modest. Mjafton të thuhet se ata nuk gëzonin arsimin në gjuhën e tyre, hapjen e shkollave shqipe, një e drejtë e zakonshme që popujt e tjerë e kishin prej kohësh. Ndërkohë ata vetë, në marrëdhëniet me fqinjët e tyre janë treguar shembullorë, kanë respektuar të drejtat e pakicave etj ende pa e pasur një shtet kombëtar. Nuk kanë ndërmarrë ndaj tyre asnjë veprim që mund të kualifikohej si dhunim i të drejtave të njeriut, përkundrazi kanë dëshmuar një kod moral nderi unikal, të përshkuar nga qytetaria, kultura dhe emancipimi. Dhe kjo ndodhte kur qarqe të caktuara drejtuese të fqinjëve, në zbatim të planeve aneksioniste, kryenin vrasje masive, genocid, djegie të shtëpive, përdhosje të objekteve të kultit dhe varrezave të shqiptarëve, si dhe ndërmerrnin akte të tjera, që të pengonin përpjekjet për krijimin e shtetit të tyre. Ky qëndrim fatkeqësisht vazhdoi edhe gjatë e pas dy Luftrave Botërore. Në Luftën e Kosovës ai mori përmasat e një genocidi dhe krimi lufte.

Raporti formal-juridik fillestar i Shqipërisë me Deklaratën Universale për të drejtat e njeriut, lidhet me mospraninë e delegacionit të saj në seancën e miratimit në Paris, në 10 dhjetor 1948, për shkak se ajo nuk ishte anëtare e OKB. Po edhe nëse abstragohet për pak nga realiteti i asaj kohe, duke supozuar se ajo do të ndodhej në Paris 70 vjet më parë, është e sigurt se nuk do të kishte ndonjë ndryshim përsa i përket politikës së saj ndaj të drejtave të njeriut ne vend. Sepse udhëheqja shqiptare e asaj kohe ishte bashkuar me politikën e bllokut lindor, që ngrihej mbi mohimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut edhe pse formalisht, në një përmasë modeste, ato ishin parashikuar në Kushtetutën e vendit dhe në akte të tjera juridike. Në jetën e zakonshme të shqiptarëve ato, përgjithësisht mbetën një slogan propagandistik, spekulativ, sepse vëreheshin shkelje të rënda. Prandaj deri në fillimet e viteve ’90 të shek. të kaluar, sa ekzistoi regjimi monist, një ndër aspektet më evidente ku shfaqej forca represive e shtetit, ishte ai i të drejtave dhe lirive themelore. Ky realitet i hidhur do të përgënjeshtronte propagandën false të regjimit të Enver Hoxhës, e cila kishte nisur që me ardhjen e tij në krye të vendit. Në një konferencë shtypi me gazetarë të huaj, më 3 dhjetor 1945, ai tha se “Në Shqipërinë e re as ka pasur, as ka, as do të ketë terror e shtrëngim, se ne jemi kundër këtyre… Të gjithë kanë të drejtën e fjalës, të mbledhjeve dhe të besimit. Prona private respektohet. Çdo gjë këtu bëhet me ligje dhe mbrohet nga ligji. Ata që thonë të kundërtën, gënjejnë dhe shpifin…”  Siç dihet, menjëherë ai “filloi punën” për të kundërtën e asaj që deklaroi.

Gjendja do të ndryshonte pas rënies së komunizmit, por nuk u përligj shpresa e shqiptarëve, të cilët mendonin se me ardhjen e sistemit demokratik, u shkëput përfundimisht çdo lidhje me të kaluarën edhe në fushën e të drejtave të njeriut. Shfaqeshin sërish shkelje që, me sa duket, ishin rrjedhojë e vazhdimit të reminishencave të trashëguara nga regjimi i kaluar, por edhe e mungesës së përvojës ose në jo pak raste e abuzimeve nga ana e atyre që morën drejtimin e vendit. Shkeljet janë të pranishme edhe pse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në vend vepron një mozaik aktorësh, i përbërë nga autoritete qeveritare qendrore e vendore, përfaqësi të organizatave ndërkombëtare, organe të shumta të medias, OJF etj. Ato punojnë të rrënjosin bindjen se të drejtat e njeriut gëzohen vetëm në një shoqëri të lirë, ku respektohet e vlerësohet njeriu, shteti dhe e drejta, ku ka formim qytetar, ndjenjë solidariteti, përkushtim, kulturë, principialitet, sjellje etike, idealizëm e fisnikëri, ku sanksionohen dhe zbatohen standartet në fushën e shëndetit, arsimit, banimit etj.

Të drejtat e njeriut janë jo vetëm një ideal, por edhe një nga treguesit objektivë të organizimit dhe funksionimit të një shteti, i shkallës së emancipimit dhe demokratizimit të tij. Gëzimi i të drejtave të njeriut nuk mund të kuptohet në kushtet e mungesës së lirisë, shtetit të së drejtës, transparencës. Dhuna dhe kërcënimi që vijnë nga tejkalimi i kompetencave prej nëpunësve apo nga prirjet e tyre abuzuese ose që diktohen si vijë sjelljeje nga politika, i shndërrojnë ato në fiksione dhe në vuajtje për shtetasit.

Garantimi i të drejtave të njeriut ndikon në mbarëvajtjen e zhvillimeve politike, ekonomike, sociale etj, në demokratizimin e jetës, në luftën ndaj korrupsionit, në mbrojtjen e interesave të minoriteteve, dëgjimin e zërit të grupeve ose shtresave të margjinalizuara etj.

Çështja e të drejtave të njeriut, e afishuar sot si një ndër prioritetet e rëndësishme të strategjive politike të çdo shteti që aspiron integrimin në strukturat rajonale e globale dhe posaçërisht në Bashkimin Europian, është themelore edhe për organet kompetente shqiptare, për programet e zhvillimit të qëndrueshëm e afatgjatë, për legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin si dhe për politikat qeverisëse në veçanti.

Për zbatimin e tyre Shqipëria e ditëve tona ka përcaktuar si objektiv rritjen ekonomike, shtimin e vendeve të punës, reduktimin e varfërisë, rritjen e mirëqenies, arritjen e standardve europiane në fushat e zhvillimit. Aplikimi i përvojave të suksesshme europiane mund të realizojë zgjerimin dhe forcimin e natyrës sociale të shtetit, përkrahjen, solidaritetin, drejtësinë sociale për shanse të barabarta për këdo, sidomos për personat që iu përkasin minoriteteve, komuniteteve etnokulturore si dhe shtresave të margjinalizuara.

Shqipëria sot, pavarësisht vështirësive dhe problemeve, me të cilat ndeshet, është një vend ku autoritetet kompetente të ngarkuara me mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë përherë nën trysninë e detyrimit për të kryer detyrat e tyre funksionale. Tregues i kësaj situate, të ndryshme nga më parë, janë ndër të tjera edhe ekzistenca e institucionit të rëndësishëm kushtetues të Avokatit të Popullit dhe e disa institucioneve të tjera, të tilla siç janë Komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi etj. Ato, me veprimtarinë e tyre, së bashku edhe me një numër organizatash joqeveritare, kanë sjellë një frymë të re në jetën e përditshme të shqiptarëve.

Tregues tjetër është gjithashtu edhe pjesëmarrja tashmë aktive në veprimtarinë e disa organizatave ndërkombëtare, duke filluar nga OKB, ku ajo nuk mjaftohet më si dikur vetëm me aktin e prezencës formale, por kontribuon me fjalime, debate, ndërhyrje, propozime ose edhe me zënien e posteve drejtuese në disa prej tyre.

Përvjetorët e Deklaratës Universale për të drejtat e njeriut, zakonisht ngacmojnë memorien e njerëzve për ato ç’kanë ndodhur dhe iu kujtojnë qeverive detyrimin për t’iu dhënë familjeve të viktimave satisfaksionin e nevojshëm moral dhe eventualisht material.

Shqiptarët, në Shqipëri e Kosovë si dhe në trojet e tjera, kujtojnë me dhimbje pasojat e krimeve dhe genocidit serb gjatë Luftës së Kosovës, që iu morën jetën mijëra njerëzve të pafajshëm. Ata dhe strukturat shtetërore në krye të tyre, në bashkëpunim edhe me faktorin ndërkombëtar, duhet të bëjnë përpjekjet maksimale për ta detyruar Serbinë të kërkojë falje për tragjedinë e popullit Kosovar, të dënojë kriminelët përgjegjës si dhe të shpërblejë dëmet e kryera në Kosovë nga ushtritë serbe.

Ky përvjetor nuk mund të mos sjellë ndërmend edhe krimet e kryera në Shqipëri dhe në Kosovë gjatë regjimit komunist. Respektimi i kujtimit të atyre të cilëve iu është marrë jeta ose iu është mohuar dinjiteti dhe personaliteti, shenjtërimi i jetës dhe dinjitetit njerëzor, satisfaksioni moral për prindërit, fëmijët ose familjarët e tyre, vënia përpara përgjegjësisë e fajtorëve, kompensimi material i vuajtjeve dhe dhëmbjeve të viktimave të persekutimit komunist dhe drejtësia njerëzore kërkojnë ndërmarrjen e veprimeve efikase dhe të vërteta. Kështu ata ose trashëgimtarët do të arrijnë të gëzojnë të drejta sipas përcaktimeve të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut.

Rastet e shkeljeve të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, që, siç u tha, përbëjnë një pjesë të realitetit shqiptar, janë të evidentuara edhe nga Avokati i Popullit, krahas organeve shtetërore dhe aktorëve të tjerë nga shoqëria civile etj. Ky institucion i rëndësishëm ka dhënë kontribute të pamohueshme në identifikimin dhe marrjen e masave që ato të mos përsëriten. Mendoj se fakti që ka shkelje apo abuzime, nuk duhet interpretuar si dobësi ose si dështim i institucioneve të ngarkuara me ruajtjen dhe mbikqyrjen e zbatimit të tyre. Në punën që bëjnë mund të ketë mangësi, por është e sigurt se pa ekzistencën dhe veprimtarinë që ato kryejnë, dhunimi i të drejtave të njeriut do të ishte më i madh dhe ndoshta një pjesë do të mbetej e pazbuluar. Veprimi i koordinuar i organizmave të specializuara ndërkombëtare, universale e rajonale me strukturat vendase, çon në zvogëlimin e shkeljeve, në afirmimin e një klime asfiksuese për dhunuesit e të drejtave të njeriut si edhe në parandalimin e shkeljeve.

Kremtimi i 70-vjetorit të Deklaratës Universale për të drejtat e njeriut sivjet në Shqipëri bëhet në kushtet e një situate të rënduar, e cila ka shkaktuar reagime të shumta. Dallohen posaçërisht ato të studentëve, të cilët janë ngritur në protesta të përditshme duke parashtruar përmbushjen e disa kërkesave të përligjura. Autoritetet kompetente shtetërore, duke filluar nga qeveria, duket se po reflektojnë dhe kanë shfaqur gatishmëri për plotësimin e tyre. Por është rasti dhe koha, të shpejtojnë, të shtojnë vëmendjen dhe të reagojnë menjëherë, për t’iu dëshmuar studentëve respektin që meritojnë, që imponojnë mosha, formimi, përkushtimi, sjelljet shembullore qytetare dhe sinqeriteti mbresëlënës, të treguar prej tyre pa kursim në këto ditë të acarta dhjetori. Janë tej mase të dhimbshme pamjet që tregojnë djem dhe vajza, të vendosur në kauzën e atyre, që e gdhijnë natën poshtë zyrës së kryeministrit, në një të ftohtë me temperatura shumë të ulëta. Justifikimi se disa prej tyre mund të jenë të përdorur nga forca të caktuara politike, nuk e përligj aspak vonesën e trajtimit dhe zgjidhjes sa më parë të çështjes së tyre shumë të drejtë. Studentët janë pjesa më e bukur, më e çiltër dhe më e vyer e çdo shoqërie, që duhen trajtuar me dashuri dhe përkushtim të skajshëm. Ata janë e ardhmja e vendit dhe nuk duhen lënë as në duart e disa burokratëve të paaftë, të strukur në zyrat qeveritare as edhe në mëshirën e disa “profesorëve” dhe drejtuesve universitarë të pamëshirshëm. Dua të besoj se edhe studentët do ta gjejnë pa vonesë kurajon, mençurinë dhe pjekurinë e nevojshme që të bisedojnë me organet kompetente për kohën, format dhe mënyrat me optimale të përmbushjes së kërkesave të tyre. Kjo nuk e zbeh dhe nuk e vë aspak në pikëpyetje vlerën e kërkesave ose kauzës së tyre. Përkundrazi shpejton zgjidhjen, kursen vuajtjet dhe e rrit më shumë personalitetin dhe prestigjin e tyre.

Një zgjidhje e tillë do ta nxjerrë këtë çështje nga formati i propagandës false, të panevojshme dhe do t’i shërbejë realisht respektimit të kërkesave dhe detyrimeve që burojnë nga Kartat e Mëdha dhe Deklarata Universale për të drejtat e njeriut, të evokuara posaçërisht në këtë jubile të 70 vjetorit të saj.

*Pjesë nga Referati i mbajtur në 11 dhjetor 2018, në Konferencën vjetore të Avokatit të Popullit, 2018, “70 vjetori i Deklaratës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut-20 vjetori i Kushtetutës, sa kanë përparuar të drejtat e njeriut në Shqipëri?”