Sot Kuvendi i PD. Basha, lideri i një partie në rritje dhe europiane

Këtë të shtunë PD-ja zhvillon Kuvendin e saj. Gjatë këtyre viteve selia demokrate ka kaluar nëpër shumë fortuna, përballë dhe brenda shtëpisë. Por ajo është konsoliduar, përditë e çdo orë dhe tashmë mund të thuhet se është një parti e gatshme për të ardhur prapë në pushtet. Lulzim Basha, mes mungesës së eksperiencës dhe vizionit europian në rritje, ndonjëherë e ka ngatërruar udhën në shtigjet demokrate, të cilat shpeshherë janë të thepisura, ku vetëm Berisha ia dinte monopatet politike të saj. Por Basha  është një lider i ri, pa lidhje kriminale, pasionant dhe ku mund të thuhet se është gati për rikthim në pushtet.

PD-ja ka kaluar që nga qershori 2013 nëpër disa fortuna, ku edhe për gabimin e Bashës apo fajet e ish-bashkëpunëtorëve të Berishës, mund të daravitej si parti. E megjithatë PD-ja mund të thuhet se është bërë një parti europiane, ku diversiteti vlon, duke mbetur demokrate siç ka emrin.

Kanë ikur, por edhe janë rikthyer figura të larta demokrate, në PD. Me ndonjë është bërë gabim në trajtimin e tij apo saj, porse vetë PD-ja është krijuar si një Lëvizje e Madhe, ku ka shumë rryma e fraksione e ku ndër vite ka patur edhe palosje të tyre, porse ka mbetur Demokratike, pasi ajo është parti gjithnjë në veprim. Duhet të ecësh me hapin e saj, ndryshe del nga radhët e ecjes.

PD-ja është në thelb parti që duhet të ecësh vetë në këmbë e jo të marrë njeri përdore apo të të rikthejnë duke të shtruar qilimin blu. Duhet të luftosh që të rikthehesh. Dy ikonat janë rikthyer mbrëmë, sipas lajmeve, Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj. Të dy të shkëlqyer, intelektualë, demokratë në shpirt dhe të papërlyer në pisllëqe ekzekutive. Nuk janë “Zeusi”, por janë ikona të historisë së PD-së, e tashmë nga ikona do jenë zemreku, bashkë me shumë të tjerë.

Lulzim Basha tashmë është lider. Deri dje ishte kryetar partie. Por ka shumë muaj që e ka merituar emrin e Liderit. Ishte Berisha, por kishte karizëm lideri që pa hyrë në PD. Ai është Univers që nuk e kap asnjeri në PD. Ndërsa Basha kishte punë për t’u bërë nga kryetar në lider.

Tashmë, ai është. I duhet vetëm të mos bjerë në gropat që mund të hap prapë mazhoranca nga halli i rrëzimit nga pushteti.

Lulzim Basha ka nevojë të kujtojë atë që ka thënë vetë: Në më gënjefsh herën e parë të vraftë Zoti, në më gënjefsh herën e dytë, të ruajtë Zoti!

PD është në prag të marrjes së pushtetit, natyrisht me aleatët, ndaj duhet të jetë e kujdesshme, duke mos harruar zjarrin dhe shpirtin historik që kur ngrihen demokratët, nuk ka qeveri që i del para. Aq më tepër një qeveri krimi!